LAJMI I FUNDIT:

Në rend të parë, mirëqenia e qytetarëve

Nuk e di nëse ka kuptimi çfarëdo përcaktimi për sistemin politik të djathtë ose të majtë nëse në qenësinë e vet ai sistem nuk e ka për qëllim jetën më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk e di nëse ka kuptim mbajtja e zgjedhjeve komunale nëse në qenësinë e vet ato zgjedhje nuk e kanë për qëllim zgjedhjen e më të mirëve për të lehtësuar dhe rregulluar mirëqenien e të jetuarit në këtë vend. Nuk e di nëse ka kuptim secili organizim shtetëror institucional nëse në qenësinë e vet ai organizim nuk e ka për qëllim rregullimin me ligj, pra, qeverisjen institucionale për të arritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ose, nuk e di nëse do të kishte vend më të mirë ku dhe kur të gjithë do të jetonin në harmoni shoqërore për jetë e mot. A ekziston ky vend? Sigurisht që po. Vetëm duhet punuar për të. Deri atëherë, të flasim pak.

Zgjedhjet komunale po afrohen. Ndërkohë, rregullimi dhe përcaktimi politik i partive politike vazhdon të mbetet një terren i hapur sipas sistemit “kah të fryn era”, pra, aty ku ka vota. Kohëve të fundit kemi një lëvizje të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila bile po deklarohet për përcaktimin e djathtë politikë. Por, kur shikohet ajo se çfarë ofron AAK-ja (deri më tash) fitohet përshtypja që kjo parti nuk ka lidhje se çka është “e djathta” apo edhe “e majta”. Për më tepër, AAK shpesh po e kanos pushtetin aktual se do ta thyej atë në mes atë duke ia marr LDK-në me vete. Sido që të jetë, këta të LDK-së nuk bëzajnë fort përderisa i kanë garancitë që do të vazhdojnë të jenë në pushtet pa marr parasysh me kë dhe si (si gjithmonë).


Dua të them, nuk është edhe fort interesant përcaktimi politik i AAK-së aq sa është interesant konfuzioni që po shpërndan kjo parti mes qytetarëve të Kosovës. Kështu, shpesh, AAK duket sikurse RTK. Edhe ata të RTK-së thonë që janë medium, por kur shikohet përmbajtja e saj atëherë shihet që ata më parë të dezinformojnë sesa të informojnë. Por, megjithëkëtë, situatat e tilla theksojnë domosdoshmërinë e nevojës për debate, pra, për tema të ndryshme siç është në këto raste përcaktimi politik dhe mediet.
Si shtesë e temave do të ishte edhe tema e lojalitetit. Kosova po ka probleme serioze me njerëzit lojalë. Dua të them, kjo nuk po ndodhë vetëm në sferën e politikës por edhe të medieve dhe të tjerave, ku kundërshtarët e djeshëm po bëhen miqtë e sotëm.

Pra, ashiqare, po shihet që përcaktimi politik i partive tona politike është temë e madhe në vete. Shumica nga to në programet e tyre politike e kanë zhvillimin ekonomik, arsimor, mbrojtjen sociale, pensionet, rrugët, etj. Në esencë, ajo çfarë shkruhet në ato programe politike mund të shkruhet nga kushdo që di pak shkrim e lexim dhe pak anglisht. Dua të them, në ato programe politike gjithmonë mungojnë të dhëna dhe data të sakta se kur do të realizohen ato programe dhe si?

Sido që të jetë, partitë politike duhet ta kuptojnë që esenca e secilit aktivitet politik duhet të ketë për qëllim shtimin ose ngritjen e mirëqenies qytetare në Kosovë. Me barkun plot, me një vend të punës të sigurt, me një të ardhur të sigurt, me një bankë të sigurt, me një shkollim të sigurt, mund të bëhet çfarëdo që të kihet nevojë, çfarëdo që është e domosdoshme, edhe të luftohet krimi e korrupsioni edhe të shkohet drejt BE-së ose kahdo qoftë.