LAJMI I FUNDIT:

A ndryshoi mendimi teorik-letrar i strukturalistit Todorov?

A ndryshoi mendimi teorik-letrar i strukturalistit Todorov?
Tzvetan Todorov

Nga: Floresha Dado

Një dukuri e papritur u shfaq në sistemin e të menduarit teorik të studiuesit të shquar Cvetan Todorov (Tzvetan Todorov), i cili njihet si një ndër përfaqësuesit e strukturalizmit francez. Botimi para disa vitesh i librit Letërsia në rrezik, (2007) jo thjesht befasoi, por rihap për diskutim çështje thelbësore që kanë të bëjnë me thelbin e shkencës letrare, me raportin e veprës letrare me autorin, me kontekstin historiko-kulturor dhe me lexuesin. Dihet kalimi i vrullshëm i këtij teoricieni të njohur nga shkolla bullgare, që ngrihej mbi teorinë ideologjike marksiste, tek strukturalizmi, që ishte mohim ekstrem i kësaj shkolle. Duke iu referuar tezave të Formalizmit Rus, mbi të cilat u mbështetën strukturalistët francezë, Todorov zhvilloi më tej teorinë e narracionit. Por, papritur, mbas gjysmë shekull, shfaqen teza që duken si kontradiktore me pikëpamjet e mëparshme të tij, duke iu rikthyer shpjegimit mbi një marrëdhënie të re me autorin si dhe mbi misionin e letërsisë. Konceptet mbi shkencën dhe objektin e saj, letërsinë, rishfaqën në një qasje më të gjerë, larg sistemit teorik strukturalist. Çfarë vlere ka kjo në përpunimin e mendimit të sotëm teorik-letrar ?

Duke u ndalur në disa pikëpamje teorike që trajtohen në veprën e këtij teoricieni bullgaro-francez, i cili u bë i famshëm në mjedisin kritik francez të viteve ’70, theksoj që në fillim se interpretimi nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm me këtë vepër, por me metodologjinë e interpretimit kritiko-letrar. Më i rëndësishëm është diskutimi i shkaqeve të befasive që u shfaqën në mendimin e tij teorik, mbas 4 dekadash, lidhur me thelbin e studimit letrar dhe specifikën e objektit, letërsisë. Pyetja është: çfarë ndodhi në sistemin e të menduarit të këtij teoricieni të shquar ? A janë pikëpamjet e fundit luhatje, dilema apo dhe kontradikta në sistemin e tij teorik, te zhvilluar përkrah strukturalistëve R. Bart dhe Zh.Zhenett? Mendoj se janë dy aspekte themelore që duhen marre në konsideratë, për të kuptuar pse ky sistem pësoi një lëvizje të re, jo pak të çuditshme për ata që e njohin teorinë narrative dhe gjithë konceptin e tij mbi strukturën shenjore të tekstit letrar.


Së pari, Todorov, si bullgar, kreu studimet në universitetin bullgar, që mbështetej plotësisht në teoritë sociologjike-kulturore marksiste, të cilat mbizotëronin studimin shkencor jo vetëm në Bullgari por në gjithë vendet e sistemit komunist. Intuita jo e zakonshme e njohësit të letërsisë bëri që në heshtje të mos e pranonte dogmën, ndikimin e ideologjisë zyrtare në studimin e letërsisë dhe në përgjithësi të humaniteteve. Siç sqaron vetë, rruga e tërthortë e kapërcimit të kësaj dogme ideologjike u bë për të qasja tek dukuritë gramatikore që organizojnë  tekstin letrar. Por, formim i parë me teoritë pozitiviste, sado që u mohua në vitet që erdhën më pas në Francë, kish lënë sado, pak gjurmë, që ose do dilte dikur, ose do mbetej fshehur në pavetëdijen e tij. Ky është nje faktor i rëndësishëm që na ndihmon për të kuptuar sot kthesat e papritura në teorinë e Todorovit.

Së dyti, kontakti me teoritë  strukturaliste të R.Bart dhe Zh. Zhenett në Paris, ishte një zbulim për vetëdijen e interpretuesit të letërsisë, i jashtëzakonshëm në metodologjinë e interpretimit strukturor-gjuhësor, duke zhvilluar me tej konceptet e Formalizmit Rus mbi dallimin e gjuhës poetike nga ajo praktike, duke thelluar vëzhgimet mbi strukturën narrative të tekstit letrar. Depërtimi në thellësitë e teorisë strukturaliste ishte  i vrullshëm, ishte një përmbysje e sistemi teorik që sundonte shkencën letrare të vendit të tij, Bullgarisë, prandaj edhe kthesa ishte shumë e fortë, gati ekstreme. Ishte një lloj siç ndodhi me Formalizmin Rus që, duke mohuar shkencën pozitiviste në fillim te shekullit XX, kaloi në qëndrime të skajshme mbi mënyrën e interpretimit letrar. Tezat e mohimit të autorit, të marrëdhënies me realitetin, të ideve të veprës, etj. duke qenë ekstremisht radikale, mbas disa vitesh do te korrigjoheshin nga disa teoricienë formaliste, si M. Bahtin, i cili kish zhvilluar idenë se përdorimi i gjuhës në letersi është edhe përdorim letrar, edhe social dhe ideologjik.

Ndikimi i këtyre dy faktorëve formues, nga dy sisteme teorike te ndryshëm, padyshim ka lënë gjurmë në formimin teorik të Todorovit, në vetëdijen por dhe në pavetëdijen; në kohë dhe momente të ndryshëm  ato janë takuar brenda vetes, për të nxjerrë kokën, sado pak, në fazën e tretë të zhvillimit të teorisë së tij. Marrja parasysh e këtyre dy faktorëve është shumë e rëndësishme për të kuptuar sot lëvizjet e papritura në sistemin e këtij teoricieni të shquar. Mjeshtër i analizës së rrëfimit, vëzhgues i hollë i dukurive të strukturës gramatikore të tekstit letrar, Todorov zhvilloi në një drejtim tjetër teorinë strukturaliste, veçanërisht në fushen e narratologjisë, duke identifikuar rrëfimin me gramatikën, duke u futur në strukturën e ndërtimit të frazës së tekstit letrar, në logjikën e marrëdhënieve të pjesëve të ligjëratës, në ndërtimin e skemës se raporteve të personazheve, etj. Nuk po hyj në tezat e rendësishme që shtjelloi në fushën e interpretimeve strukturore-gjuhësore të tekstit letrar, në zhvillimin e kategorisë së transformimeve narrative, në analizat interesante të ligjërimit letrar, mbështetur gjithnjë në tregues gramatikorë dhe sidomos në shtrimin për herë të parë të çeshtjes:“si na shpie një tekst te ndërtimi i një universi imagjinar? Cilat janë ato aspekte të tekstit që përcaktojnë ndërtimin, të cilin e përftojmë gjatë leximit dhe në ç’mënyre?” (Poetika e Prozes) etj. sepse tani nuk është synimi të ve  në dukje vlerat dhe risitë e teorisë narrative të Todorovit. Në këtë fazë të përpunimit të sistemit të tij teorik strukturalist, ndjehet fuqishëm refuzimi i koncepteve paraardhese të analizes… Në këtë fazë ‘franceze’ ai mbetet brenda në nje skemë ngushtësisht teknike, analizat që i bën strukturës së personazhit brenda strukturës rrëfimtare janë interesante, origjinale, ndonëse, sipas mendimit tim, në një farë mënyre e mekanizojnë personazhin, duke e bërë thuajse mjet që lidhet me mjete të tjera të rrëfimit. Kështu, duke shkuar te gjuha e tekstit, një kthesë e madhe në konceptin e analizës, Todorov stopoi në aspekte thellësisht teknike, për të braktisur konceptin se letërsia nuk është thjesht dhe vetëm skemë, por emocion njerëzor…Sigurisht, siç e thashë më sipër, kjo është faza e triumfit të lirisë së mendimit të teoricienit, që ndërton një teori origjinale, krejt ndryshe nga sistemi i shkollimit të tij në Bullgari.

Mirëpo, disa dekada më pas (viti 2007), trajtimet në librin Letërsia në rrezik dëshmuan se forca e logjikës (vetëdija) dhe intuita e jashtëzakonshme, do takohen, duke bërë që, në një farë mënyre, në disa aspekte, pikëpamjet e tij teorike mbi interpretimin e tekstit letrar të pësojnë një ndryshim. Madje përmbysje. Pyetja është: kemi luhatje, kontradikta apo pikëvështrim teorik të ri, të vetëdijshëm? Mendoj se këto pyetje lidhen me dy çeshtje thelbësore, metodologjike e kuptimore: së pari me kuptimin mbi shkencën e letërsisë, se dyti mbi natyrën e objektit të saj, letërsinë. Duke hyrë në arsyetimin e Todorovit, mund të ndalemi në këto dy drejtime:

Si nisi lëkundja e parë (e vetëdijshme apo intuitive?). Duke rrëfyer  procesin që ndodhi me të, kur zhytet në analizën gjuhësore strukturaliste të tekstit, ai shkruan se iu desh të pranonte koncepte të psikologjisë, antropologjisë, historisë… “Meqë idetë e autorëve kishin aq forcë, me qëllim që t’i kuptoja sa më mire, kam dëshiruar të zhytesha në historinë e të menduarit mbi njeriun dhe epokat e tij, në filozofinë morale dhe politike”(f.13) Në mënyrë të papritur Todorovi i rikthehet rolit të kontekstit, realitetit, të mohuar nga formalistët dhe shkolla e tij strukturaliste. Bashkëteoricieni francez Zh. Zhenett kish pohuar se“Letersia është shikuar si mesazh pa kod, tani është e nevojshme të shikohet si kod pa mesazh”. Por Todorov në pyetjen që i bën vetes “edhe sot përse e dua letërsinë?” konfirmon rolin njohës të letërsisë, pohon se “ajo na bën që bota reale tëbëhet më e ngarkuar me kuptimësi, apo “larg te qënit nje argëtim….”. Merita e jashtëzakonshme e formalizmit kishte qenë se për herë të parë synoi të saktësonte specifikën dhe pavarësinë e shkencës letrare në raport me shkenca të tjera humane dhe se përcaktoi dallimin thelbësor midis gjuhës praktike dhe poetike. Todorov, duke ruajtur këtë vlerë të dyfishtë të kësaj teorie, që kish qenë një nga burimet e strukturalizmit francez, shfaqet tashmë me trajtim befasues, duke afirmuar në mendimin teorik të fillimit të shekullit tonë disa aspekte të mohuara nga teoria formaliste dhe më pas ajo strukturaliste (së cilës i përkiste prej disa dekadash), siç ishte realiteti, idetë e veprës, raporti me lexuesin, etj.

Lind pyetja: a mund të qëndrojnë këto pohime në sistemin teorik strukturalist të përpunuar prej tij, që mbështetet në teknikën e skemave te narracionit? A ka mospërputhje dhe a mund pranojmë një kontradiktë në sistemin e tij të të menduarit, apo kemi një luhatje që shkon përtej vetëdijes? (Vite me parë, ai kish kundërshtuar pikëpamjen e Niçes, i cili, në vlerësimin mbi Dostojevskin, shihte te letrarja psikologjiken, filozofiken, shoqëroren… Kthesa, nëse do ta quajme kështu, vjen te Todorov më e drejtpërdrejtë kur pohon “…mësojmë keqkuptimësinë e një teksti po qe se e shohim këtë nga nje qasje rreptësisht e brendshme, në momentin kur veprat ekzistojnë cdo herë në kuadër të një konteksti dhe në dialog me këtë të fundit; as mjetet nuk duhet të bëhen qëllim, as teknika, që te na bëjnë të harrojmë qëllimin e ushtrimit” (f.23). Gjithashtu  “ …të krijosh një botë më të vërtetë nënkupton që arti të mos e ndërpresë lidhjen e tij me botën” (f.55).

Në fillim të shekullit XXI, gati një shekull mbas teorisë formaliste dhe një gjysmë shekulli mbas lulëzimit të strukturalizmit francez, mbi të cilat kish përpunuar teorinë e tij të gramatikës së rrëfimit, duke zhvilluar më tej konceptet strukturaliste, Todorovi befason lexuesin. Tashmë nuk e mohon qasjen e jashtme (tradita e vjetër e shkollës në Bullgari), por shprehet se qasja e brendshme (d.m.th. studimi i marrëdhënieve mes elementeve të një vepre) duhej të plotësonte qasjen e jashtme (studimin e kontekstit historik, ideologjik, estetik), apo kur pranonse se letërsia është një laborator ku mund të njihet autori. Duke përvetësuar, tashmë, një traditë tjetër të analizës në shkollën franceze, e cila e konceptonte veprën letrare “si një objekt të mbyllur i të folurit, i vetëmjaftueshëm, absolut” (f.28) mendoj se kjo nuk është me luhatje, por kthesë e rëndësishme në teorinë e tij dhe një kontradiktë me disa aspekte të sistemit teorik të mëparshëm. Është shumë interesante pikëpamja e tij se rënia e interesimit të nxënësve për letërsinë i ka shkaqet pikërisht te pikëpamja se letersia nuk qënka gjë tjetër përveç ilustrimit të mjeteve të nevojshme për analizen e saj” (29), apo se “letërsia flet vetëm për vete dhe se mënyra e vetme për ta nderuar ate është të nxjerre në pah lojën e elementeve të saj përbërës.” (f.31). Pohimi i tij se “Letërsia imagjinative dhe shkrimet shkencore apo filozofike janë të ndryshme, por në kuadër të një gjinie të përbashkët; si të parat, ashtu edhe të fundit varen nga bota dhe veprojnë në te…” (f.50) mund të merret si luhatje, apo si mbështetje e një koncepti më të gjerë të marrëdhënies formë/përmbajtje?

Pra, natyrshëm lind pyetja: a ka luhatje në pikëpamjet e reja të Todorovit?

Sigurisht, atëhere kur synon të bashkojë qasjen formaliste me njohjen e faktorëve të jashtëm, që ishin mohuar kategorikisht. Fakti që Todorovi iu kushtua gjuhës, strukturës së brendshme të veprës do të ndikonte në përpjekjen e tij për të afruar dy metodologji të kundërta. Ai u kthehet faktorëve autor, lexues, qëllim i veprës, duke ndjekur periudha të ndryshme historike të mendimtarëve të artit dhe letërsisë. Pse e bën këtë? Sepse gjen diçka racionale në evoluimet e konceptimeve, sepse në mënyre instiktive i vendos lëvizjet e tij në kurbën e zhvillimit të mendimit teorik, nga antikiteti në teoritë modere të kohës. Dhe në këtë oshilacion historik vjen natyrshem përseri luhatja, apo kthesa e vetëdijshme.

Duke ritrajtuar teza e pikëpamje të mendimit teorik-letrar Todorovi, nisur nga përvoja tashmë e gjatë e interpretimit të letërsisë, shtron një pyetje shumë interesante dhe të rëndësishme për mënyrën e kontaktit me letërsinë: “A po marrim nje dije që ka të bëjë me vetë disiplinën, apo mos ndoshta me çeshtjen e saj?”. Mbas një shekulli kur formalistët kishin ngritur si çeshtje kryesore pavarësinë e shkencës letrare si dhe përcaktimin e thelbit të objektit të saj – letërsisë- Todorovi e rimerr ceshtjen, por duke iu qasur në një mënyre origjinale thelbit të shkenceës së letërsisë. Pyetja e tij: a duhen studiuar metodat që ilustrohen përmes veprave te ndryshme, apo studiohen veprat duke përdorur metoda nga më të ndryshmet. “Cili është qëllimi dhe cili është mjeti?” (f. 19).

Çeshtja e dytë thelbësore, që rishikon Todorovi, është mënyra e qasjes te vepra letrare; edhe rreth ketij aspekt ndeshim pikëpamje pak a shumë befasuese në raport me atë çka perfaqësonte deri vonë sistemi i tij teorik, thellësisht strukturalist. Duket se në të menduarit e tij është zbehur paksa kureshtja per teknikat e veçuara të strukturës së brendshme, të përpunuara prej tij dhe strukturalistëve të shquar francezë.

A është lëkundur besimi i Todorovit në këto ‘mjete të qasjes’? Nisur nga pohimi i tij: “Risitë e sjella nga qasja strukturaliste në dekada paraprake janë të mireseardhura me kusht që të ruajnë funksionin e mjeteve, e jo të bëhen qëllimi i tyre i vetëm”na lind mendimi se kjo ka ndodhur.

A ka paqartesi te Todorov?. Sigurisht jo. Përkundrazi, përvoja e gjatë në interpretimin letrar, njohja e thellë e dy metodologjive diametralisht të kundërta, ajo sociologjike dhe strukturaliste, përpunohen brenda vetëdijes së tij për të kristalizuar një qëndrim më të qartë në rishpjegimin e thelbit të letërsisë dhe qasjes ndaj saj. Duke ndjekur disa pikëpamje teorike, shfaqur gjatë historisë së zhvillimit të mendimit teorik-letrar, ai kupton me intuitë vlerën e rrugëtimit të këtyre pikëpamjeve, të cilat unë nuk i shoh as si gabime, as si kapricio, por si pikëvështrime të ndryshme, të pashmangshëm  mbi tekstin letrar, që kanë ndikuar në mënyrat e ndryshme të interpretimit letrar

Pra, vështruar në tërësi, mendoj se kontradiktat nuk janë në sistemin e të menduarit teorik të Todorovit, por në gjithë teoritë e kuptimit dhe interpretimit historik të letërsisë. Koncepti metodologjik i tij mbi shkencën e letërsisë shfaqet i larguar tashmë nga pikëpamjet e mëparshme, kur bashkë me Bartin, Zhenettin kish synuar që ta çlironte interpretimin e letërsisë nga ‘parmaku i hekurt i kombeve dhe shekujve, me qëllim të hapjes drejt asaj që i bën veprat te afert ame njera-tjetrën” (f. 12). Synimi, sigurisht kishte qenë i drejtë dhe mbetet ende në konceptet e Todorovit, por tashmë diçka ka lëvizur në mënyrën e realizimit të këtij objektivi shkencor. Teoricieni e zhvillon qartazi raportin midis shkencës së letërsisë dhe objektit të saj, duke riinterpretuar të dy kahet ekstreme të kuptimit të letërsisë: “veprat prodhojnë kuptim, shkrimtari mendon, roli i kritikut është ta shndërrojë këtë kuptim dhe këtë mendim në të folurit e përbashkët të kohës së vet – dhe është fare pak e rëndësishme të dihet se me çfarë mjeti ai arrin qëllimin e vet.” (f. 80) dhe me pas “studimet letrare do të gjenin sot vendin e tyre në kuadër te humaniteteve, përballë historisë se ngjarjeve dhe të ideve, duke bërë që të gjitha këto disiplina të avanconin të menduarit, duke u ushqyer nga veprat po aq sa edhe nga doktrinat, nga veprimet politike po aq sa edhe nga ndryshimet shoqërore, nga jeta e popujve po aq sa edhe nga jeta e individëve”. (f.82)

Pse ka rëndësi diskutimi i pikëpamjeve të fundit të teoricienit të shquar strukturalist Cv. Todorov?

Jo thjesht se në fillim të shekullit XXI konceptet mbi shkencën e letërsisë dhe thelbin e artit letrar rishfaqen me një kuptim më të gjerë, por sepse na rikujton se letërsia, sipas skemës së përcaktuar nga R.Jakobsoni, nuk është as vetëm kod (strukturë shenjore), as vetëm autor, as vetëm kontekst kulturor, as thjesht mesazh, por është një kompleksitet funksionesh që realizohen nga disa faktorë krijues, të cilët ngrihen mbi një kod specifik gjuhësor. Çdo kritik, studiues ka të drejtën e vet të përqëndrohet në njerin apo tjetrin aspekt të strukturës së brendshme. Kjo është zgjedhje metodologjike e studiuesit, por që nuk do të thotë se shteron interpretimin e veprës letrare. Në këtë kuptim them se, me vetëdijen dhe intuitën letrare të jashtëzakonshme, teoricieni bullgaro-francez Cv.Todorov,  arriti natyrshëm në riinterpretimin e koncepteve të tij teorike, duke dëshmuari se mendimi teorik letrar ndjek vazhdimisht letërsinë dhe nuk mund të qëndrojë i ngurtësuar në njerën apo tjetrën skemë. Njohja e thellë e letërsisë korrigjon çdo lloj qëndrimi të skajshëm. /Gazeta “ExLibris”/