LAJMI I FUNDIT:

Ndërpritet kryendeshja, Besa paralajmëron tërheqje

Ndërpritet kryendeshja, Besa paralajmëron tërheqje

Se në volejboll mund të ndodhin gjëra të çuditshme kjo sikur nuk është më befasi për opinionin kosovar. Edhe fakti se ndeshjet u zhvilluan të shtunën kur në Kosovë për shkak të zgjedhjeve nuk zhvillohej asnjë ngjarje sportive, është një sihariq që vjen nga shtëpia e volejbollit kosovar.

Rasti i fundit është nga ndeshja kryesore e javës së 8-të në Superligë në konkurrencën e meshkujve ndërmjet Lubotenit e Besës e zhvilluar në Ferizaj, ndeshje e cila nuk e ka pritur fundin. Ajo është ndërprerë në setin e pestë te rezultati 10:6 për vendas.

“Loja ishte me rivalitet të lartë dhe këtë e dëshmon edhe rezultati. Disa herë kemi reaguar ndaj vendimeve të padrejta të gjyqtarëve, veçmas të Senad Haxhës. Ky gjyqtar edhe më parë na ka dëmtuar, madje e ka pasur të ndaluar ka 3 vjet që ta ndajë drejtësinë në ndeshjet e skuadrës sonë. Pas ndeshjes e kam kuptuar se Haxha ishte i interesuar që ndeshja të kryhet sa më shpejtë pasi kishte për të udhëtuar në Gjilan, ku ishte caktuar gjyqtar i një ndeshje tjetër”, thotë Lajçi, duke e përshkruar rastin e ndërprerjes.

“Topi kishte prekur në fushën e kundërshtarit dhe kjo ndodhi para syve të gjyqtarit të dytë, i cili tregoi me të drejtë se pika duhet të na takojë neve. Mirëpo gjyqtari kryesor, i cili ishte në anën tjetër e tha të kundërtën. Ne reaguam duke kërkuar sqarim dhe konsultim me gjyqtarin ndihmës, por ai nuk pranoi, madje inskenoi sulmin pa e prekur askush”, tha kapiteni i Besës, Skender Lajçi, i cili akuzohet nga gjyqtari Haxha. Kjo është java e 3-të në të cilën pejanët shkaktojnë probleme.


“Unë e kam parë topin që doli jashtë fushe dhe kam kërkuar mendimin e ndihmësit i cili ka heshtur dhe unë e kam marrë vendimin. Më pas Skender Lajçi më ka sharë e unë e kam ndëshkuar me të kuq kurse ai më është afruar e ka qëlluar karrigen dhe më është kërcënuar, kurse unë kam kërcyer nga karrigia dhe më pas kam dhënë shenjë për përfundimin e ndeshjes”, thotë Haxha duke mohuar se është qëlluar.

“Lajçi nuk më ka lejuar ta nënshkruaj protokollin dhe ka ndërhyrë policia, madje unë i kam mbrojtur pejanët nga policia”, tha gjyqtari Haxha. “Ne do të ankohemi dhe do të kërkojmë që ndeshja të përsëritet pasi jemi të bindur se drejtësia është në anën tonë. Nëse marrim përgjigje negative, ka gjasa reale që të tërhiqemi nga garat pasi vazhdimi i garave në kushte të tilla nuk ia vlen”, thotë Lajçi.

Edhe volejbollisti më i dalluar i Lubotenit, Valon Nikçi e pranon se ka pasur tollovi, por siç thotë “nuk më takon mua të flas për ndërprerje pasi isha pjesë e lojës”. Komisari i Ligës Danush Reçica thotë se as ai e askush tjetër nga federata nuk kanë qenë të pranishëm në ndeshje. “Po i presim deklaratat dhe raportet e personave zyrtar të ndeshjes, kështu që nuk mund të them asgjë”, tha Reçica. /Zëri/Telegrafi/