LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Nuk jam shenjë që kujtdo që t’i teket të më gjuaj

Mustafa: Nuk jam shenjë që kujtdo që t’i teket të më gjuaj

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas sulmit me ujë që iu bë atij në sallën e Kuvendit nga ana e opozitës, ka theksuar se nuk sheh asnjë arsye që dikush të sulmohet qoftë brenda ose jashtë Kuvendit.

Ai ka theksuar se nuk është Qeveria e Kosovës,  ajo që instruktojë institucionet tjera të vendit, por sipas tij, çdo njeri, për veprimet e veta, duhet të përgjigjet para ligjit.

“Jam kryeministër i vendit dhe nuk jam shenjë që kujtdo që t’i teket të gjuaj në mua. Organet e rendit nuk duhet t’i lejojnë këto veprime. Nuk duhet lejuar që të më sulmohet shtëpia. Në qoftë së një shtëpi e kryeministrit në Kosovë sulmohet me shishë molotovi, atëherë diçka nuk është në rregull në këtë vend. Nuk është në rregull të pengohet Kuvendi dhe Qeveria të funksionojë normalisht”, ka theksuar Mustafa.


Ai më tutje ka thënë se “nëse do ta shkelja Kushtetutën do të jepja dorëheqje”, duke shtuar se “unë ju garantoj se nuk e kam shkelur asnjë pjesë e Kushtetutës”.

“Kushtetuesja ka treguar se si duhet te themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që të mbrohet fryma kushtetuese. Nuk është mënyrë demokratike kjo se si po veprojnë njerëzit e opozitës. Në asnjë rast nuk është cenuar asnjë nen i Kushtetutës së Kosovës. I ftojmë opozitën dhe qytetarët që të jenë përkrahës të ndërtimit të vendit, zhvillimit, demokracisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Mustafa./Telegrafi/