LAJMI I FUNDIT:

Munishi: Dominuam plotësisht

Munishi: Dominuam plotësisht

Trajneri i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi, pas fitores bindëse 2-0 ndaj Fushë Kosovës, ka thënë se ekipi i tij e ka dominuar plotësisht këtë ndeshje.

Fushë Kosova është pritur se do të jetë rivale më e madhe e liderit të Superligës së Kosovës, Llamkos Kosovës, por nuk doli ashtu. Vushtrriasit me golat e Labinot Osmanit dhe Semir Zenelit kanë marr pikë të plota ndaj Fushë Kosovës duke u përforcuar kështu në kreun e renditjes tabelore, një javë para përfundimit të fazës së parë të garave. Në anën tjetër Fushë Kosova me këtë humbje, do të ketë shumë punë për ta siguruar mbijetesën.

“Kemi pritur pikë nga kjo ndeshje. Mendoj se ishte një ndeshje e nivelizuar, derisa pranuam dy gola me gabimet tona”, tha trajneri i Fushë Kosovës, Remzi Gojnovci.

Pikët shumë të rëndësishme për të dyja palët, bënë që futbollistët në fushë të jenë paksa të ngarkuar dhe kjo ndikoi që loja mos të sjellë raste për gola. Ishin vendasit që në një periudhë u orvatën të gjejnë golin, por mbrojtja e Llamkosit e udhëhequr nga Alban Dragusha ishte në nivel. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë, një gabim fatal i mbrojtësit Visar Gojnovcit bëri që sulmuesi vushtrrias, Osmani pa vështirësi të shënojë.


Me të filluar pjesa e dytë, minuta 49’, mysafirët kanë arritur edhe një herë të shënojnë, këtë herë përmes sulmuesit tjetër Zeneli, duke i dhënë kështu grushtin përfundimtar, Fushë Kosovës.

“Ishte një ndeshje e mirë. Ne e dominuam atë plotësisht dhe me meritë arritëm të shënojmë fitore. E falënderoj Fushë Kosovën për pritjen dhe organizmin e ndeshjes”, tha trajneri i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi. /Zëri/Telegrafi/