LAJMI I FUNDIT:

Mungon përkrahja e librit shqip

Mungon përkrahja e librit shqip

Situata e librit, respektivisht letërsisë shqipe nuk konsiderohet aq e mirë dhe për këtë, krahas shumë faktorëve, pa faj nuk mbeten edhe institucionet të cilat nuk po bëjnë aq sa duhet për t’i mbështetur shkrimtarët dhe botuesit e kësaj letërsie.

Për vitin 2013, Ministria e Kulturës ka ndarë një buxhet prej 80.000 eurosh për librin shqip, i cili nuk vlerësohet të plotësojë kërkesat, andaj për pasojë të kësaj, referuar edhe raporteve që vijnë nga libraritë e kryeqytetit, letërsia e huaj po dominon letërsinë shqipe.

“Duhet motivim, nuk ka buxhet të mjaftueshëm nga Ministria e Kulturës. Romani është gjini e vështirë andaj duhet stimulim”, ka thënë për Kosovapress, Abdullah Zeneli, botues i librarisë Buzuku në Prishtinë.

Sipas tij, letërsia e huaj nuk guxon ta mbisundojë letërsinë shqipe, andaj shkrimtarët duhet të përkrahen. Një tjetër problem për këtë fenomen, sipas Zenelit, është edhe fakti se literatura shkollore nuk po freskohet aspak me tituj të ri dhe kështu të rinjtë po orientohen më shumë nga letërsia botërore.


Edhe shkrimtari Ramiz Kelmendi thotë të mos jetë i kënaqur me përkrahjen që i bëhet librit shqip. “Unë mendoj se në Kosovë mungon përkrahja e nevojshme mos të them e domosdoshme për ta ndihmuar botimin e librit shqip”.

Nga ana tjetër, Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit Memli Krasniqi ka thënë se Ministria e Kulturës në këto dy vitet e fundit ka rritur buxhetin për përkrahjen e librit.

“Ministria e Kulturës për vitin 2011 ka ndarë 50 mijë euro dhe ka qenë vetëm forma për përkrahjen e botimit të titujve të ri. Në vitin 2012 e kemi rritur buxhetin në 60 mijë euro, ndërsa për këtë vit buxheti është 80 mijë euro dhe është zgjeruar forma e përkrahjes ku përveç përkrahjes për botimin e librave të ri, tani përkrahim edhe blerjen e librit nga botuesit përmes konkursit publik dhe mbështesim botimin e revistave letrare”, ka thënë Dragaj. /Telegrafi/