LAJMI I FUNDIT:

Mos nxitoni me lejimin e mallrave serbe

Lejimi i shpejtë i futjes së mallrave të Serbisë në Kosovë, pa u plotësuar disa kushte themelore nga Beogradi, do të nënkuptojë kapitullimin e politikës kosovare në dialogun e fasilituar nga Brukseli dhe humbjen e adutit të vetëm që mundëson fuqizimin e pozicionit të Prishtinës në këto bisedime, në mesin e shumë pësimeve të tjera

NË QOFTË SE me arritjen e marrëveshjes në Bruksel për vulat doganore së shpejti do të lejohen të hyjnë mallrat serbe në Kosovë, kjo do të jetë për shumë arsye madhore, gabimi më i madh që do ta bënte Prishtina. Kjo, pasi që ka ende shumë pengesa që do të pamundësojnë reciprocitet ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë në shkëmbimin tregtar për një kohë, dhe se më këtë do të humbet edhe aduti i vetëm që ka në dorë Prishtina në këto negociata që filluan mbrapshtë dhe po vazhdojnë të komplikohen edhe më tej. Arsyet për shtyrje janë edhe praktike edhe politike.

Moslejimi i targave kosovare


E PARA, ËSHTË NJË problem në dukje të parë i vogël, por që do të pamundësojë krejtësisht dërgimin e mallrave nga Kosova në tregun e Serbisë. Kjo është moslejimi që automjetet transportuese të Kosovës të hyjnë në Serbi për shkak se ende nuk ka filluar të implementohet marrëveshja për qarkullim të lirë, e cila u pohua të jetë arritur ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit në Bruksel, me pakon e parë të marrëveshjeve, dhe e paraparë që të fillojë implementimin në nëntor. Pra, thjeshtë, pavarësisht marrëveshjes për lejimin e eksportimit të mallrave kosovare në tregun serb, kjo nuk do të mund të ndodhë në qoftë se ato mallra – ashtu siç do të duhej – do të barten me kamionë me targa të Kosovës. Teksa një gjë e tillë nuk do të vlejë edhe për palën tjetër – transportuesit nga Serbia – pasi që Kosova asnjëherë nuk ua ka ndaluar atyre të hyjnë në Kosovë.
Në një situatë të këtillë, duke e ditur se biznesmenët kosovarë nuk kanë kohë për të pritur që të arrihen marrëveshje të reja dhe se nuk e kanë luksin të rrezikojnë të humbin tregun sado i vogël që është i tyre në Serbi, do të vendosin që të bartin mallrat e tyre me transportues me targa të Serbisë dhe kështu Beogradi do të fitojë shumëfish. Një herë pasi që vetë do të eksportojë mallra serbe në Kosovë dhe nuk do të pranojë mallra nga Kosova në Serbi, dhe e dyta, se edhe për ato pak mallra kosovare që do të mund të hyjnë në territorin serb, do të paguhen kompani transportuese serbe.

Made In Kosova

E DYTA, NUK KA ende një marrëveshje që garanton se do të lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë mallrat që bartin mbishkrimin “Made in Kosova”. Beogradi nuk ka dhënë sinjale se do të pranojë mallrat që bartin këtë mbishkrim, duke arsyetuar se Kosova është pjesë e Serbisë dhe si e tillë mallrat që prodhohen në territorin e saj janë mallra të Serbisë. Kjo do të kërkojë pastaj negocimin e një marrëveshjeje të re, në mënyrë që Serbia të pranojë produktet “Made in Kosova” dhe në këtë do të humbet edhe shumë kohë dhe mund, dhe ç’është më e dhimbshmja, sërish do të shitet nga Beogradi si një kompromis i bërë prej tyre, e në fakt do të jetë kompromis për një problem që nuk do të duhej fare të ishte.

Pikat 1 dhe 31

E TRETA, NUK KA ende një marrëveshje (ose neve nuk po na thuhet!) sa i përket vendosjes së policëve dhe doganierëve shqiptarë nga Kosova në pikat 1 dhe 31 në veri. Prishtina thotë se, pas skadimit të marrëveshjes 10-pikëshe të negociuar nga KFOR-i, aty do të vendosen përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, Beogradi thekson se aty assesi nuk bën që të vendosen përfaqësuesit e Prishtinës dhe se kjo mbetet të negociohet në të ardhmen, Brukseli fillimisht ka porositur se gjendja duhet të kthehet ashtu siç ishte para intervenimit të 25 korrikut dhe tash nuk flet fare, kurse KFOR- njofton se gjendja e status quos së arritur me shpalljen e pikëkalimeve si zona ushtarake do të vazhdojë edhe pas 15 shtatorit, datës kur ishte paraparë që të skadonte marrëveshja. Ky komunikim i telefonave të shurdhër do të mund të vazhdojë me muaj dhe secila palë të ngulë këmbë për versionin e vet, ndërsa fatura do të mbetet të paguhet nga Prishtina, pasi që Serbia do të vazhdojë të fusë mallrat në Kosovë duke e shfrytëzuar vendkalimin në Merdar. Po ashtu, ende nuk është filluar as me rimëkëmbjen e pikë së djegur kufitare në Jarinje dhe, në rast se sot do të fillonte puna në rivitalizimin e saj, për t’u futur ajo në funksion do të duheshin të kalonin minimumi edhe disa javë.

Humbja e asit të vetëm nën mëngë

KËTO TË TRIA të përmendura më lart janë vetëm disa nga arsyet kryesore praktike përse do të duhej të ishte e pamundur që në këto momente të fillonte fyrja e mallrave nga Serbia. Kjo pa u ndalur këtu fare në arsyen e veçantë, atë që ka të bëjë me fuqizimin e prodhuesit vendas, i cili pa një pikë dritë në fund të tunelit me situatën e re të krijuar.
E arsyet e tjera janë të natyrës politike. Pas intervenimit të forcave speciale të Policisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit në bllokim të mallrave, do të humbet edhe asi i vetëm që Prishtina ia doli ta ketë në mëngë në këto negociata. Nga tërë vistrën e pikave të parapara për diskutim në dialogun e fasilituar nga Bashkimi Evropian, kjo është e vetmja pikë për të cilën ka disafish me tepër interes Serbia se që ka Kosova. Të gjitha pikat e tjera kanë të bëjnë vetëm me zhbllokimin e pengesave të njëanshme që ia shkakton Serbia Kosovës dhe për të cilat nuk afektohet asgjë në territorin e vetë shtetit serb. Me moslejimin e futjes së mallrave serbe në territor kosovar, është arritur hera e parë kur Serbia është shumë e interesuar që të arrihet një marrëveshje zhbllokuese, pasi që rrezikohet një treg që sillte të ardhura prej mbi 350 milionë eurosh në vit.

Për të qartësuar këtë situatë, shkurtimisht do të duhej rikujtuar këtu se Beogradit as që do t’i shkonte ndërmend që të hynte fare në negociata me përfaqësuesit e Kosovës në qoftë se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën nuk do të ishte vënë si kusht i hapjes së negociatave për aderim në BE. Tash, tri marrëveshjet e para që janë arritur në dialogun e fasilituar në Bruksel është paraparë që të fillojnë të implementohen në nëntor. Beogradi pret Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian në pjesën e parë të tetorit. Për të dalë ky raport pozitiv, ndër të tjera, është dashur të arrihet përparim në bisedimet me Prishtinën dhe bashkëpunim i plotë me Tribunalin e Hagës. Duke qenë se Beogradi është treguar i shkathët të paraqitet se po i përmbushë këto dy kushte madhore, lehtë mund të pritet që Raporti i Progresit të dalë pozitiv dhe Serbia të fillojë negociatat drejt BE-së. Në një situatë të atillë, kur do të ketë siguruar atë që ka dashur, nuk do t’i bëhet vonë për të filluar me zbatimin e marrëveshjeve me Prishtinën, bile mund të bëjë çmos që të njëjtat t’i zvarrisë së paku deri pas zgjedhjeve të ardhshme serbe që pritet të mbahen në pranverë.

Të pritet Raporti i Progresit

PRISHTINA E KA ME rëndësi jetike që të mos nxitojë me lejimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë, së paku deri pas publikimit të Raportit të Progresit dhe fillimit të zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tash me Beogradin, dhe të tjerave që pritet të arrihen në javët në vazhdim.
Në të kundërtën, e gjithë përparësia në terren e fituar pas 25 korrikut do të zhbëhet dhe do të kthehet si bumerang ndaj Kosovës.
Kosova sërish do të mbetet në pozicionin e negocimit për pikat për të cilat nuk ka fare nevojë të negociohen, pasi që janë pengesa të njëanshme të Serbisë, kurse Serbia do ta ketë luksin e kapitalizmit sa më të madh në arritjen e çfarëdo marrëveshjeje, pasi që ato nuk do të kenë fare ndikim as në jetët e qytetarëve të saj. Për më tepër, do t’i japin impulse në rrugëtimin drejt BE-së.

adriatik@kohavision.net