Protestat e studentëve dhe regjimi i Vuçiqit

Nga: Adriana Zaharijević / The Guardian (titulli: Serbia’s students are showing the world how to restore democratic hope)
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur një ndërtesë shembet për shkak të vjetërsisë, siç ndodhi në Dresden disa muaj më parë, njerëzit natyrisht reagojnë me mosbesim dhe pakënaqësi ndaj autoriteteve. Por, është një histori krejtësisht tjetër kur ndërtesat e reja shemben dhe vrasin njerëz. Shembja më 1 nëntor 2024 e mbulesës prej betoni të një stacioni hekurudhor në Novi Sad, në Serbi – restaurimi i të cilit ishte përfunduar vetëm disa muaj më parë, i shoqëruar me pompozitet qeveritar – vrau 15 persona dhe shkaktoi zemërim dhe indinjatë të vazhdueshme në të gjithë vendin. Protestat masive detyruan kryeministrin të japë dorëheqjen dhe vunë presidentin nën një presion gjithnjë e më të madh.
Fillimisht, pushtetarët e minimizuan shembjen dhe 15 viktimat, duke u mbështetur te frazat e zakonshme të shpërfilljes se, pavarësisht tragjedisë, “Serbia nuk mund të ndalet”. Nuk kishte kohë për zi, nuk kishte nevojë për pyetje, si në kaq shumë raste të mëparshme. Për këtë “progres” të pamëshirshëm dhe të pandalshëm, është sakrifikuar shumë. Shteti ligjor dhe demokracia kanë qenë viktimat kryesore, duke krijuar një kulturë mosndëshkimi, dhune, paaftësie dhe korrupsioni të përhapur. Institucionet kombëtare, si gjyqësori, prej kohësh të kapura nga regjimi, mbyllën sytë ndaj veprimeve jokushtetuese dhe uzurpuese të oligarkisë në pushtet. Dukej se ky do të ishte një tjetër rast ku publiku nuk do të merrte asnjë shpjegim të kënaqshëm dhe askush nuk do të mbahej përgjegjës.
Por, pastaj erdhën studentët. Muajin e kaluar, protestat e tyre paqësore në kujtim të 15 viktimave, të mbajtura para Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, u ndërprenë dhunshëm nga një grup huliganësh që shtireshin si shoferë të paduruar. Më pas u pretendua se ata kishin lidhje të ngushta me partinë në pushtet, madje disa prej tyre ishin anëtarë të saj, dhe presidenti serb doli në televizionin kombëtar për të mbrojtur provokatorët. U zbulua se njerëz të afërt me regjimin kishin marrë udhëzime për të sabotuar momentet e heshtjes. Për të mbrojtur interesat e oligarkisë, dhuna jo vetëm që ishte toleruar, por edhe e diktuar.
Si përgjigje, studentët e universiteteve publike në Serbi shpallën grevë, duke pezulluar mësimin. Deri në fund të dhjetorit, atyre iu bashkuan një numër i madh nxënësish të shkollave të mesme. Të tjerë u bashkuan gjithashtu: bujqit – të pakënaqur prej vitesh me trajtimin nga qeveria – mbështetën kërkesat e studentëve. Pas tyre erdhi Dhoma e Avokatëve të Serbisë. Shfaqjet në teatro përfunduan me aktorët që mbanin pankarta ku shkruhej: “Studentët janë ngritur. Po ne të tjerët”? Publiku nuk qëndroi indiferent: rreth 100 mijë njerëz u mblodhën më 22 dhjetor në sheshin “Slavija” të Beogradit, duke qëndruar në heshtje për 15 minuta. Fundjavën e kaluar, në tremujorin e aksidentit në stacionin hekurudhor, turma të paprecedenta dolën në rrugët e Novi Sadit, dhe një lëvizje në rritje e shtrirë në të gjithë vendin, tani përfshin mësues shkollash, punonjës të kulturës, motoçiklistë që mbrojnë protestat, inxhinierë dhe taksistë. Manifestimet paqësore u mbajtën në mbi 200 qytete dhe fshatra. Në fytyrat e protestuesve pasqyrohej një përzierje e veçantë solemniteti, indinjate, krenarie dhe shprese. Kjo përzierje është bërë simbol i momentit aktual në Serbi.
Kërkesat e studentëve mund të duken të thjeshta. Ata kanë kërkuar që institucionet të tregojnë se mund të kryejnë detyrën e tyre pa u ndikuar nga regjimi dhe në interes të publikut jeta e të cilëve është kërcënuar nga kapja e shtetit. Kështu, kërkesa kryesore, më e vështira për t’u përmbushur, lidhet me publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi restaurimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit. Dy kërkesat e tjera – identifikimi i përgjegjësve për sulmet ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave paqësore, nisja e procedimeve penale kundër tyre, si dhe tërheqja e akuzave penale ndaj studentëve të arrestuar ose ndaluar dhe pezullimi i ndjekjeve ndaj tyre – janë thirrje për drejtësi; një drejtësi që nuk bën dallime midis njerëzve të zakonshëm dhe oligarkisë. Kërkesa e katërt, rritja e buxhetit për arsimin e lartë me 20 për qind, synon rivendosjen e dinjitetit të dijes dhe krijimtarisë akademike.
Por, nuk janë vetë kërkesat, të thjeshta dhe të guximshme, ato që shqetësojnë më shumë regjimin. Ajo që është vërtet e re dhe tronditëse është pohimi i studentëve se asnjë prej këtyre kërkesave nuk është në juridiksionin e presidentit, Aleksandar Vuçiq – figura më e fuqishme në politikën serbe, i mbështetur si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi si një garantues i supozuar i stabilitetit në një Ballkan gjithmonë të paqëndrueshëm. Vuçiqi nuk është shteti, argumentojnë protestuesit; institucionet, ashtu si edhe vetë shoqëria, duhet të çlirohen nga kapja politike.
Studentët nuk kanë rënë në grackën e imitimit të autoritarizmit të presidentit: ata veprojnë si një shumësi, pa një udhëheqës të vetëm, pa një përfaqësues të caktuar. Ata janë të shumtë, me fytyra të ndryshme që shfaqen në pak medie të pavarura që u japin hapësirë. Vendimet i marrin kolektivisht në mbledhjet plenare përmes praktikave të demokracisë së drejtpërdrejtë, duke harmonizuar trupat e tyre vendimmarrës në nivel universiteti dhe midis universiteteve. Përmes veprimeve të tyre, ata kundërshtojnë shtrembërimin e frymës dhe procedurave demokratike.
Në dekadën e fundit në Serbi, partitë opozitare janë shtypur dhe neutralizuar: sindikatat janë të dobëta, ndërsa makineria e partisë në pushtet dukej e paprekshme. Regjimi ka arritur të heshtë dhe të diskreditojë zërat e pavarur – nga intelektualët te denoncuesit e korrupsionit – përmes fushatave të frikësimit dhe propagandës mashtruese të mediave të kontrolluara nga shteti. Frika, apatia dhe dorëzimi kishin mbërthyer vendin prej kohësh. E, megjithatë, tani, ndoshta për herë të parë pas dekadash, studentët – të cilët vetë nuk kanë përfaqësim formal – kanë filluar të përfaqësojnë të gjithë ata zëra të heshtur. Përdorimi i tyre inteligjent i mediave sociale ka nisur të sfidojë dominimin mediatik të regjimit. Pavarësisht ftesave të presidentit për takime gjatë daljeve të tij të përditshme në media (të shoqëruara me kërcënime, lëshime të rreme, akuza dhe thirrje të fshehta për dhunë), studentët kanë qëndruar të palëkundur: kërkesat e tyre janë të qarta dhe të drejtpërdrejta dhe asnjë prej tyre nuk i drejtohet presidentit. Nuk ka vend për negociata. Në këtë qëndrim, ata mbështeten nga profesorët dhe rektorët e universiteteve.
Studentët kanë arritur të tronditin një qeveri që për vite me radhë ose ka blerë dinjitetin e njerëzve, ose ka heshtur dhe përbuzur ata që kanë guxuar t’i thonë të vërtetën pushtetit. Tani, papritur, nuk mund të gjendet asnjë “lider” që mund të blihet, shpifet ose diskreditohet me ndonjë aludim të mjegullt si “agjent i huaj”. Ajo që është më e rëndësishmja, përgjigjja e studentëve ndaj dhunës është tërësisht paqësore, diçka që ka destabilizuar thellësisht të gjithë sistemin e vlerave të kultivuara në Serbi për më shumë se një dekadë. Ata tashmë janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.
Vendosmëria e tyre duhet t’i zgjojë institucionet e ngadalta dhe t’i detyrojë të veprojnë. Këmbëngulja e tyre ka nxitur guximin e publikut, dhe shumë vetë kanë reaguar me trimëri. Ajo që po bëjnë studentët serbë nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i shpresës demokratike në një vend që ka parë shumë pak prej saj – dhe në një kohë kur demokracia po tkurret në mbarë botën. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ndërron jetë babai i ish-presidentit Hashim Thaçi

Thahet liqeni i Vërmicës, dalin në pah piramidat ndarëse dhe pika e kufirit që ndau shqiptarët

Mbushet me vetura luksoze depo e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, kritikohen prokurorët

Rama: Baba iku krenar, Hashim

Ylli i Liverpoolit i thotë ‘po’ Barcelonës – transferimi i tij mund të mbyllet për 75 milionë euro

Pacolli reagon për keqpërdorimin e fotove familjare në TikTok: Paralajmëron masa ligjore

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Mbushet me vetura luksoze depo e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, kritikohen prokurorët

Thahet liqeni i Vërmicës, dalin në pah piramidat ndarëse dhe pika e kufirit që ndau shqiptarët

Ndërron jetë babai i ish-presidentit Hashim Thaçi

Ylli i Liverpoolit i thotë ‘po’ Barcelonës – transferimi i tij mund të mbyllet për 75 milionë euro

Rama: Baba iku krenar, Hashim

Pacolli reagon për keqpërdorimin e fotove familjare në TikTok: Paralajmëron masa ligjore