LAJMI I FUNDIT:

Moore: Pavarësia e Kosovës do t’i sjellë stabilitet dhe paqe rajonit

Moore: Pavarësia e Kosovës do t’i sjellë stabilitet dhe paqe rajonit

SHBA-të besojnë që pavarësia e Kosovës do t'i sjellë stabilitet dhe paqe rajonit dhe ato nuk janë të vetmet, ka deklaruar ambasadori amerikan në Mal të Zi, Roderick W Moore.

"Të mos harrojmë se deri më tani dy të tretat e shteteve anëtare të BE së janë dakorduar me ne, përkatësisht se kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Tri të katërtat e shteteve anëtare të NATO së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, tri shtete që kufizohen me Serbinë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që sipas mendimit tim ky nuk është ndonjë problem amerikan dhe statusi i Kosovës do të ndikojë më shumë në sigurinë e këtij rajoni dhe Evropës", tha ambasadori Moore në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Ndërkaq sa i përket njohjes së Kosovës nga ana e Malit të Zi, Moore ka deklaruar se kjo çështje është shumë aktuale dhe se SHBA-të e kuptojnë se ajo është delikate për këtë shtet. “Ne e kuptojmë se këtu jetojnë shqiptarët dhe serbët dhe kuptojmë se qeveria e Malit të Zi do të donte të kishte marrëdhënie të shkëlqyera si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë”.

“E dimë se kjo është një çështje e vështirë, mirëpo gjithashtu kam thënë disa herë se, shteti im shpreson që Mali i Zi do të harmonizojë qëndrimin me qëndrimet e partnerëve të tij euro-atlantik, ngase konsiderojmë se kjo do të ishte në interes të Malit të Zi dhe të shteteve në këtë rajon”, ka thënë Moore.