LAJMI I FUNDIT:

Mira Murati largohet nga OpenAI – rrugëtimi mbresëlënës i shqiptares që transformoi botën me AI

Mira Murati largohet nga OpenAI – rrugëtimi mbresëlënës i shqiptares që transformoi botën me AI

Mira Murati, shefja për Teknologji e kompanisë së Inteligjencës Artificiale (AI), OpenAI, ka njoftuar largimin prej kompanisë pas më shumë se gjashtë vjetësh në këtë pozicion.

Gjatë karrierës së saj në OpenAI, Murati kishte marrë një rol kyç, veçanërisht gjatë një periudhe sfiduese vitin e kaluar, kur pati një përpjekje të dështuar për puç ndaj themeluesit të kompanisë, Sam Altman.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të OpenAI, të cilin e shpërndau edhe në platformën sociale X, shqiptarja deklaroi se “kam marrë vendimin që të largohem nga OpenAI”.


Ky vendim pason një seri largimesh nga disa zyrtarë të lartë të kompanisë, përfshirë edhe bashkëthemeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman, transmeton Telegrafi.

OpenAI, kompania e njohur për krijimin e ChatGPT, ka qenë një nga firmat me rritjen më të shpejtë në botë.

Në mesazhin e saj, Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora, theksoi se “asnjëherë nuk është momenti i duhur për tu larguar nga një vend që e vlerëson, por ndiej se ky është vendimi i duhur”.

Murati gjithashtu përmendi se prezantimi i modeleve për të folurit të OpenAI o1 shënon fillimin e një epoke të re në fushën e inteligjencës artificiale dhe ndërveprimit njerëzor, duke vlerësuar inteligjencën dhe mjeshtërinë e kolegëve të saj në kompani.

Ajo shpjegoi se vendimi për t’u larguar erdhi nga dëshira për të krijuar “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”, duke theksuar se synimi i saj është që tranzicioni në kompani të zhvillohet sa më lehtë pas largimit të saj.

Vlera e OpenAI është rritur me shpejtësi që kur, në vitin 2022, prezantoi aplikacionin ChatGPT, duke e bërë një prej kompanive më të vlefshme në botë, me një vlerë të vlerësuar mbi 150 miliardë dollarë.

Kjo është historia mbresëlënëse e Mira Muratit

Murati u lind në Shqipëri në vitin 1988 dhe prejardhja e saj besohet të jetë nga qyteti i Vlorës. Kur isha vetëm 2 vjeç, kishte rënë regjimi diktatorial asokohe në Shqipëri.

Për shkak të përvojës së saj me ndryshimet e regjimit dhe librat e historisë që ndryshonin vazhdimisht, ajo gjeti ngushëllim në saktësinë e matematikës dhe fizikës që në fëmijëri.

“Jam rritur në Shqipëri, një vend i vogël në Evropë. Kjo ishte gjatë periudhës së tranzicionit nga komunizmi totalitar në kapitalizmin liberal. Kur isha vetëm 2 vjeçe, ra regjimi diktatorial,” pati thënë ajo në një intervistë.

Një nxënëse e dalluar në Shqipëri, Murati fitoi një bursë për një shkollë të mesme ndërkombëtare elitare në Kanada, ku kreu dy vitet e fundit të arsimit të saj të mesëm.

Pas përfundimit të kësaj shkolle, ajo u diplomua me një titull në inxhinieri nga Universiteti Dartmouth, pjesë e Ivy League. Projekti i saj i fundit atje ishte ndërtimi i një makine garash hibride.

Sipas rrëfimeve, pas diplomimit në Dartmouth, Murati për një periudhë të shkurtër punoi si inxhiniere në një kompani të industrisë hapësinore, përpara se t’i bashkohej gjigantit të automobilave, Tesla.

Gjatë tre viteve të saj në Tesla, ajo shërbeu si Menaxhere e Lartë e Produkteve, duke udhëhequr procesin e prodhimit të Model X dhe duke punuar intensivisht në zhvillimin e sistemit Autopilot.

Ky angazhim e shtyu atë të interesohej edhe më shumë për teknologjinë e Inteligjencës Artificiale.

Pas përvojës në Tesla, Murati iu bashkua Leap Motion, një kompani që zhvillon teknologji kompjuterike hapësinore, e themeluar nga David Holz, krijuesi i Midjourney.

Në Leap Motion, ajo punoi ngushtë me disa nga mendjet më të ndritura në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke mbikëqyrur si zëvendës-presidentin, ashtu edhe zhvillimet inxhinierike të kompanisë.

Kjo përvojë e thellë e dërgoi shqiptaren drejt OpenAI.

Ajo fillimisht nuk iu bashkua OpenAI si Shefe e Teknologjisë, por si zëvendës-presidente e Partneriteteve të Inteligjencës Artificiale të Aplikuar, ku luajti një rol kyç në transformimin e OpenAI nga një organizatë jofitimprurëse në një kompani fitimprurëse.

Në atë rol, ajo drejtoi partneritetin strategjik me Microsoft (që filloi në vitin 2019).

Përveç kësaj, Murati ishte përgjegjëse për prezantimin e OpenAI API, një nga zhvillimet më të rëndësishme në aplikimin e Inteligjencës Artificiale.

Kjo nismë transformoi OpenAI nga një organizatë jofitimprurëse në një entitet më të fokusuar në tregti, duke krijuar një sistem ku përdoruesit mund të blinin kredite për të aksesuar API-në e OpenAI, duke e zhvendosur organizatën drejt gjenerimit të të ardhurave përmes aktiviteteve komerciale.

Ky hap përshpejtoi komercializimin e OpenAI, duke e kthyer atë nga një organizatë jofitimprurëse në një entitet që ofronte shërbime me pagesë përmes krediteve të API-së së saj.

Për punën e saj të jashtëzakonshme, në dhjetor të vitit 2020, Murati u promovua në rolin e zëvendës-presidentes së lartë (SVP).

Nuk u ndal me kaq; ajo udhëhoqi gjithashtu lansimin e DALL-E, një platformë shumë e njohur për krijimin e imazheve nga teksti, që u bë një tjetër sukses i madh.

Vetëm 18 muaj pasi u bë SVP, Murati arriti një tjetër ngritje të rëndësishme, duke u emëruar Shefe e Teknologjisë (CTO) në OpenAI, një kompani lider në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Kjo ndodhi në maj të vitit të kaluar, pak përpara se OpenAI të bënte një nga lansimet më të mëdha në historinë e teknologjisë.

Si CTO, ajo mbikëqyri lansimin e ChatGPT, produktit më të rëndësishëm të OpenAI deri më tani.

ChatGPT, i cili u prezantua më 29 nëntor të vitit të kaluar, pati një ndikim të jashtëzakonshëm, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me teknologjinë.

Pas prezantimit të ChatGPT, Murati ka udhëhequr gjithashtu prezantimet e GPT-4, Plugins, dhe Code Interpreter.

Duke marrë parasysh këtë trajektore, Murati pritet të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e përdorimit global të Inteligjencës Artificiale. /Telegrafi/