LAJMI I FUNDIT:

Ministri Beqiri priti pianistët e vegjël

Ministri Beqiri priti pianistët e vegjël

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, të premten priti në një takim të veçantë 22 pianistë të vegjël, nxënës të shkollave të ulëta muzikore të Kosovës, të cilët, tash së voni, morën pjesë në Garat e 19-ta Ndërkombëtare të Muzikës Klasike në Citta di Barletta të Italisë, të cilat organizohen nga pianisti dhe dirigjenti i mirënjohur Francesco Monopoli, i cili njëherësh është edhe kryetar i asociacionit muzikor G.Curci.

Në këto gara, në një konkurrencë ndërkombëtare me 340 pjesëmarrës nga 33 vende të botës, Kosova u përfaqësua me 30 nxënës nga pesë Shkolla të Muzikës, ku 22 nxënës – garues u shpërblyen me vende të II-ta dhe te III-ta, ndërsa 8 nxënës me diploma meritore dhe diploma pjesëmarrjeje.

Gjatë këtij takimi, Ministri Beqiri u shprehu mirënjohjen, i përgëzoi dhe i falënderoi pianistët e vegjël kosovarë dhe pedagogët e tyre për përfaqësimin e dinjitetshëm të shtetit të Kosovës në këto gara artistike me karakter ndërkombëtar.


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha Ministri Beqiri, e çmon dhe e vlerëson shumë angazhimin dhe përkushtimin e pedagogëve dhe të nxënësve të shkollave të muzikës, të cilët me artin, talentin dhe shkathtësitë e tyre artistike po i sigurojnë një të ardhme të bukur dhe një prani të veçantë muzikës kosovare në skenën artistike ndërkombëtare.