LAJMI I FUNDIT:

Mësimet që do t’i marrë Putini nga bota që ndryshon

Mësimet që do t’i marrë Putini nga bota që ndryshon
Ilustrim nga Ellie Foreman-Peck

Nga: Edward Luce / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Momentet historike nuk janë përherë ato momentet kryesore të ndryshimit, por momentet në të cilat historia thotë se ca gjëra nuk mund të shpërfillen më. 24 shkurti ishte data kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Kjo do ta shënojë gjithashtu momentin në të cilën bota – pa dyshim – u nda në blloqe. Cilido qoftë rezultati i luftës së Vladimir Putinit, gjeopolitika tashmë është e ndarë mes Perëndimit dhe një Euroazie kinezo-ruse. Shumica e pjesës tjetër janë në mes, përfshirë këtu Indinë – shtetin më të madh “asnjanës” në botë.


Në një botë më të qetë, blloqet kundërshtare do të përcaktoheshin për një bashkëjetesë të llojit të Luftës së Ftohtë. Një stabilitet i tillë mund të kërkojë goxha kohë për t’u parë. Afati i shkurtër do të jetë ende i mbushur me pasiguri. Pyetjet që tash shtrohen janë të lidhura me ndryshimin e madh. A po kthehemi në epokën bërthamore? A po shkon globalizimi në drejtim të kundërt? A është tashti jashtë menysë, bashkëpunimi për ndryshimet klimatike? A mundet demokracia t’ia dalë ndaj autokracisë? Deri vonë, shumica e perëndimorëve mendonin se i dinin përgjigjet.

Në këto rrethana, ishte Putini – motivi shtytës i të cilit është neveria ndaj Perëndimit – ai që e ka rrëzuar perden. Fakt goxha ironik. Strategët perëndimorë kanë tentuar ta shpallin Rusinë si fuqi në rënie. Por, statusi i zbehur i Rusisë e ka shtyrë atë të nxitojë më shumë sesa Kina e cila deri vonë priste për kohën e vet. Pyetja që ashiqare duhet shtruar është se cila nga të dy vende do ta vendosë hapin e radhës.

Tash e tutje përgjigja mund të jetë – asnjëra. Për habinë e shumë njerëzve, javët e fundit Joe Biden është shndërruar në një kryqtar të lirive globale – të stilit të Ronald Reaganit. Fjalimi i Bidenit në Varshavë u vu në pah për nënkuptimin e pashkruar se Putini duhet të largohet. Por, vërejtjet e tij zyrtare ishin po aq domethënëse. Jemi në një betejë globale mes autokracisë dhe demokracisë, ka thënë Biden. “Duhet të bëhemi gati për një luftë të gjatë”.

Qëllimi i padeklaruar i Amerikës është ndryshimi i regjimit rus. Nga tri fuqitë e mëdha ushtarake në botë, Kina deri tash doli se është më e lidhura me status quo-në. Asgjë nga ato që Xi Jinping ka thënë apo ka bërë që nga pushtimi i Moskës, nuk përputhet me atë që Biden ka zbatuar. Putini e ka zbritur cakun e tij të luftës në atë për ta kontrolluar një pjesë të territorit të Ukrainës dhe për ta siguruar neutralitetin ukrainas – që të dyja tashmë duken të arritshme.

Prandaj, letra e papritur e vlefshme është Amerika e Bidenit. Në një moment, udhëheqësi i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do ta testojë thellësinë e retorikës së presidentit amerikan. Para raporteve të javës së kaluar për krimet ruse të luftës në Buça dhe gjetkë, Zelensky tha se ishte i hapur për marrëveshje dhe se do ta takojë ballë për ballë Putinin.

Perëndimi këmbëngul se vetëm Zelensky mund të vendosë çfarë është e pranueshme. Kjo është gjysma e rrëfimit. Tjetra është se ShBA-ja nuk ka gjasa t’i heqë të gjitha sanksionet e veta, apo shumicën e tyre, derisa Putini është në detyrë. Çdo gjë më pak është tërheqje. Sipas fjalëve të Bidenit, sanksionet janë “lloj i ri i shtetësisë ekonomike që ka fuqi për të shkaktuar dëme si fuqia ushtarake”.

Kjo nënkupton se ato do të jenë gjithashtu në shërbim të luftës më të madhe të Amerikës – për demokracinë. Rusia, e cila ishte ekonomia e 11-të më e madhe në botë para 24 shkurtit, së shpejti nuk do të renditet as në njëzet të parat, paralajmëron Bideni. “Errësira që e nxit autokracinë, në fund të fundit nuk krahasohet me flakën e lirisë”, ka thënë ai.

Ky është kulminacioni i bipolaritetit të ri global. Putinit i përket roli i të qenët ndihmës në një lindje; Bidenit i takon roli kryesor në përcaktimin e kushteve. Tri fusha janë më të dukshmet. E para është ekonomike. Para pushtimit të Ukrainës, kishte spekulime nëse ndonjë monedhë, përfshirë renminbin e Kinës, mund ta zëvendësonte dollarin.

Shumica e ekonomistëve mendojnë se humbja e përparësisë së dollarit do të jetë e pamundur në të ardhmen e afërt. Shumëçka varet nga ajo çfarë planifikon të bëjë Uashingtoni. Amerika e ka dëshmuar fuqinë e vet të jashtëzakonshme, për ta bllokuar një ekonomi të madhe dhe për ta synuar elitën globale. Elitat tjera kombëtare, ku futen po ashtu kleptokratë e afërt me Perëndimin, tashti janë duke u zmbrapsur nga planet e mëparshme.

Qeveritë e tregjeve në zhvillim do të vëzhgojnë se si Perëndimi i peshon dëmshpërblimet për dëmet e luftës në Ukrainë. Bideni mund të kapë një pjesë ose të gjitha rezervat valutore të Rusisë – për ta rindërtuar vendin. Ai e ka krijuar një precedent në fillim të këtij viti, kur ShBA-ja sekuestroi gjysmën e rezervave modeste të Afganistanit. Asetet e ngrira të Rusisë janë në mbi 300 miliardë dollarë. Nëse ShBA-ja do ta bënte të njëjtën gjë me Moskën, mund ta shkaktonte një largim nga dollari.

Shqetësimi i dytë është gara globale e armëve. Para pushtimit të Putinit, Kina dhe Rusia i modernizonin sistemet e tyre bërthamore, veçanërisht raketat hipersonike. ShBA-ja do të shtojë edhe shpenzimet e saj ushtarake. Kjo përfundimisht mund të shkojë deri në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto – rritje kjo prej rreth një të katërtës. Shumica e vendeve evropiane nuk kanë më nevojë të kenë presion nga Uashingtoni, për të përmbushur premtimet e tyre dy për qind për shpenzimet e NATO-s. Vendet gjetkë do të arrijnë në përfundimin se ishte marrëzi që Ukraina hoqi dorë nga armët e saj bërthamore në vitin 1994. Përhapja e armëve ka të ngjarë të bëhet migrenë në vitet në vijim.

Masa e tretë është ideologjike. Përgjigja më befasuese ndaj agresionit të Putinit ka qenë intensiteti i reagimit publik të Perëndimit. Është një dilemë e hapur nëse kjo do të zgjasë. Rritja e fundit në sondazhe, e së djathtës ekstreme të udhëhequr nga Marine Le Pen – në prag të zgjedhjeve presidenciale në Francë – është sinjal i brishtësisë së demokracisë. Tjetra është ballafaqimi i planifikuar i Donald Trumpit me Bidenin, në vitin 2024. Trumpi dhe Le Pen do ta bënin një Perëndim shumë më ndryshe nga ai që përkrahet nga Bideni dhe nga Emmanuel Macroni. Një epokë e re është padyshim para nesh. Por, vendosmëria e Perëndimit është ende në fuqi. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Magazina
Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Liga e Kampionëve
Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ligat tjera
Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Liga e Kampionëve
Bonusi i jashtëzakonshëm që Bellingham do ta fitojë nëse Real Madridi fiton Ligën e Kampionëve

Bonusi i jashtëzakonshëm që Bellingham do ta fitojë nëse Real Madridi fiton Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Çka është rregulla 30:30:30:10 kur bëhet fjalë për financat dhe si duhet ta shfrytëzoni?

Çka është rregulla 30:30:30:10 kur bëhet fjalë për financat dhe si duhet ta shfrytëzoni?

Botë
Kalo në kategori