LAJMI I FUNDIT:

Mësimet që duhet nxjerrë nga eksodi

Mësimet që duhet nxjerrë nga eksodi

Në popull thuhet se “hajri e sherri shkojnë bashkë”. Ka sens në këtë thënie për aq sa nga një e keqe, tërthorazi apo edhe drejtpërsëdrejti, del edhe ndonjë e mirë apo nxirret edhe ndonjë mësim. Nëse reflektojmë seriozisht, ne mund të nxjerrim mësime të mira si shoqëri dhe si individë që jetojmë këtu nga kjo shpërngulje masive e qytetarëve të Kosovës.

Si shoqëri mendoj se kemi një raport shumë të veçantë me shpërnguljet. Kemi prodhuar aq shumë emigrant, refugjatë, të shpërngulur, të përndjekur, sa që në raport me numrin e popullsisë që kemi në Ballkan, zëmë njërin nga vendet e para në botë. Për më shumë, lëshimi i vendit, largimi nga vendlindja në vetëdijen tonë dhe në mbamendjen kolektive, në këngët, poezitë, mitet, rrëfimet etj. nuk shënohet si dorëzim para të keqes apo si gjë e ligë aq më pak qyqarllëk, por shpesh është perceptuar dhe vlerësuar si akuzë e madhe dhe efikase ndaj armikut tonë e jo rrallë edhe si premisë për konsolidim për tu rikthyer më të fortë. Sa më i madh në numër të ketë qenë largimi ynë nga tokat tona në periudha të ndryshme kohore, aq më i madh është nënkuptuar të ketë qenë zullumi i armikut.


Kështu ishte sidomos në shpërnguljen e shqiptarëve në luftën e fundit nga dhuna e Serbisë millosheviqiane. Kjo shpërngulje e madhe u perceptua edhe si akuzë efikase ndaj Serbisë. Shqiptarët kuptuan se para syve të bashkësisë ndërkombëtare ikja e tyre konvertohej në akuzë kundër Serbisë. Çdo ikje nga Kosova konvertohej në plumba kundër Serbisë dhe në kërkesë efikase për ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare. Në anën tjetër, për më shumë, migrimi gjithashtu në memorien kolektive, me shembuj nga më të ndryshëm ndër ne, perceptohet edhe si parakusht i mirë për sukses në jetë. Atij që i shkon për dore të dal nga Kosova e të rehatohet diku në ndonjë vend, zakonisht perëndimor krijon parakushte për të pas sukses nëse asgjë tjetër të shpeshtën do të jetë më mirë se shumica e atyre që vendosin të mbeten në vendin e vet.

Sikundër u pa nga zhvillimet e fundit në këtë drejtim, ikja nga Kosova jo që nuk ka pushuar, por ajo ka marr përmasa tejet të mëdha dhe pasur parasysh ndryshimet kualitative krahasuar me vitet nën okupimin e Serbisë, gjithsesi kjo është brengosëse, bile edhe alarmante. Por, mësime të mira mund të nxirren edhe nga kjo e keqe.

E keqja mund të shpërthente përbrenda Kosovës

Konsideroj se mësimi i parë që duhet nxjerrë nga kjo e keqe e madhe qe po i ndodhe Kosovës është se, gjendja e padurueshme dhe e pashpresë në një rrethanë tjetër, si e keqe e akumuluar kaq shumë, mund të shpërthejë me tërë fuqinë dhe pezmin e saj, përbrenda Kosovës. Mund të shkaktojë konflikt ndërmjet shqiptarëve. Mund të determinojë viktima të shumta, humbje të mëdha materiale. Jemi me fat që kjo nuk ndodhi. Sikur kjo të ndodhte do të kishim një situatë të ngjashme me atë në Shqipërinë e vitit 1997.

Ky eksod si shpërthim jashtë Kosovës e jo përbrenda saj është rezultat i mendësisë së trashëguar të shqiptarëve për daljen nga Kosova e cila ka ende elemente nga ato që i përshkrova në fillim. Shqiptarët e Kosovës nuk mendojnë se kjo është dobësi, as ligësi, as dorëzim para të keqes. Ata mendojnë se kjo është mundësi e mirë për një jetë më të mirë, mendojnë se kjo në vete është edhe një lloj akuze kundër qeveritarëve, por nuk janë të bindur se ja vlen që për këtë të keqe të krijuar të sulmohen qeveritarët aktual, aq shumë, aq vrazhdë, sa të ngrehin dorë “vëllai kundër vëllait“ me çka janë të vetëdijshëm se do ta prishnin imazhin e Kosovës, për të cilën unë mendoj se ata ende vazhdojnë të jenë të ndjeshëm edhe pse largohen prej saj.

Nëse kjo mendësi ndryshon, dhe sidomos nëse do të forcohet bindja se ikja nga Kosova të sjell ndonjë të mirë apo rritet bindja se dalja dhe akomodimi i mirë në perëndim as nuk është i mundshëm, nëse evro-diskriminimi me mungesë vizash për qytetarët e Kosovës vazhdon, dhe nëse mentaliteti qeverisës nuk ndryshon, atëherë në një të ardhme të afërt mund të ndodhë që ky akumulim i së keqes të shpërthejë përbrenda Kosovës me gjithë vrazhdësinë e saj. Kjo do të ishte fatale për të gjithë ne. Kjo duhet të jetë vërejtje serioze për pushtetarët të cilët zakonisht do të duhej ta kenë të zhvilluar sensin e të kuptuarit se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, gjë që tek ne nuk e kanë dëshmuar se e kanë.

Faji i ndërkombëtarëve matet me përmasën e involvimit të tyre

Mësim tjetër që duhet të nxirret nga kjo e keqe që na ka kapluar është ai që duhet ta marrin ndërkombëtarët. Ikja e kësaj natyre dhe përmase nga Kosova duhet të jetë thirrje edhe për ata, konkretisht edhe për Brukselin edhe për Uashingtonin, se diçka nuk është në rregull në këtë shtet të ri. Përmasat e këtij eksodi nuk mund të shpjegohen e kuptohen vetëm me atë se këtu kemi korrupsion hajni dhe krim të organizuar. Ka këtu edhe diçka tjetër. Për aq sa ata janë të involvuar në Kosovë, për aq kjo ikje e qytetarëve nga Kosova është vërejtje, gjithsesi edhe akuzë, edhe për ata, konkretisht për gjithë punën e tyre këtu. E, ata në Kosovë, për këto vite që nga paslufta, janë shumë të involvuar.

Është plotësisht e pajustifikueshme mos dhënia e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e BE-së. Frika se po u dhanë vizat do të zbrazet Kosova nga qytetarët, për ta vërshuar Evropën perëndimor, ndodhi edhe pa dhënien e vizave, këtë duhet ta kuptojë Brukseli sa më shpejt. Në të vërtetë dhënia e vizave do ta zbuste papunësinë në Kosovë dhe do ta amortizonte të keqen që ndodhi kështu bujshëm dhe trishtueshëm. Mos dhënia e vizave është pa dyshim një shkaktare e prishjes së imazhit të Kosovës si “successful story” sepse edhe ajo determinoj ikjen masive të qytetarëve e cila përndryshe nuk do të ndodhte, së paku jo në këtë përmasë. Qeveritarët aktual në Prishtinë duhet ta ngritin këtë kërkesë, duke e rishqyrtuar me zyrtarët e Brukselit. Nuk mund të vazhdohet kështu në këtë karantinë duke e pranuar këtë evro-diskriminim pa e kundërshtuar fuqishëm.

Kosovës i duhet centralizmi funksional demokratik

Nuk janë të pakta ato shtete (Federata Ruse, Kina, India, Spanja, Greqia etj.) si dhe jo pak organizata të cilat konsiderojnë se shteti i Kosovës është krijuar në mënyrë të padrejtë dhe nuk mund të jetë funksional aq më pak demokratik. Shpërngulja e kësaj përmase që ende nuk ka përfunduar pas çlirimit nga Serbia dhe pas pavarësisë, vetëm se e përforcon qëndrimin e këtyre vendeve dhe justifikon mos ndryshimin e kursit që ato kanë për Kosovën.

Konsideroj se kjo që ka ndodh është arsye e mjaftueshme që qeveritarët dhe përgjithësisht politikanët e Kosovës dhe jo vetëm ata të kërkojnë më me ngulm nga faktori ndërkombëtar (në të vërtetë të kërkojnë nga ata ndihmën e nevojshme për ndryshimet e projektuara në Prishtinë) që të ndryshohen shumë gjëra bazike në sistemin juridiko-politik të Kosovës, me qëllim që shteti, pushteti dhe shoqëria në fusha të ndryshme në Kosovë ta ketë centralizmin minimal të nevojshëm dhe si garanci dhe premisë për funksionim normal dhe demokratik. Këtë sot Kosova nuk e ka dhe ky është një nga faktorët kryesor të dështimeve në Kosovë. Prandaj kërkohet një qasje e re, një kërkesë e re e Kosovës bërë BE-së dhe Uashingtonit. Ky është mësimi që duhet ta nxjerrin edhe vendorët edhe ndërkombëtarët nga eksodi që po i ndodhë Kosovës muajt e fundit. Sa më shpejtë aq më mirë.