LAJMI I FUNDIT:

Mësimdhënësit, nismëtarët e lëvizjeve të mëdha historike

Kur në gjithë botën shqiptare festohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, kjo festë i gjen punëtorët arsimorë në një gjendje jo të mirë ekonomike. Ndonëse vetëm pak vite më parë është bërë një rritje e pagës së mësimdhënësit, shtrenjtimi i artikujve, jo vetëm ushqimorë, por edhe shërbimeve tjera, ka bërë që gjendja e mësimdhënësve të bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Nga ana tjetër, niveli i arsimit viteve të fundit ka shënuar ulje, ndërsa në këtë ka ndikim, përveç tjerash, edhe gjendja ekonomike.

Për vite të tërë, jo vetëm institucionet shtetërore, por thuaja se çdokush në mënyra të ndryshme e ka spikatur arsimin si një shtyllë shumë të rëndësishme të shtetësisë, gjë e cila duhet të jetë ashtu. Por, në fakt, duket se është e kundërta. Një pagë e një mësimdhënësi (hiq ata universitarë) prej rreth 350 eurove mesatarisht, nuk është e mjaftueshme që një mësimdhënës të bëjë jetë diniitoze. Shtrenjtimi i përditshëm i artikujve të konsumit të përditshëm, e tash edhe faturat e KEK-ut, sikur ia ka vënë lakun në fyt mësimdhënësit. Më parë flitej se do të ketë rritje pagash për punëtorët arsimorë, por duket se këto ishin vetëm fjalë të kuluareve, ndërsa ne mësimdhënësit duket se duhet të presim një vit zgjedhjesh, për të shpresuar për një rritje të pagës.


Në këtë ditë të madhe, ne i kemi marrë urimet nga thuaja se të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore. Është ndoshta një fat i mirë që drejtuesit të vijnë nga fusha e arsimit, por duket se ata kanë bërë fare pak për këtë shtresë të të punësuarve, sa i përket çështjes materiale.

Ndërkohë, ata nuk kanë hezituar të thurin lavde nga më të ndryshmet për ne, duke na quajtur madje edhe nismëtarë të lëvizjeve të mëdha historike, duke realizuar edhe krijimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Ne e dimë fare mirë që e kemi dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e shtetit, ashtu siç e kanë dhënë edhe deputetët e tanishëm të Parlamentit të Kosovës, por: drejtues të institucioneve të Kosovës, ne kemi mbetur thuaja se shtresa më e varfër e shoqërisë. Neve, mësimdhënësve të tashëm, nuk na duhen lavde të shumta, por na duhet një përmirësim thuaja se urgjent i gjendjes materiale. Tashmë ka shumë kohë që jemi ngopur me lavde, nga të cilat nuk jetohet më. Tash, kur e kemi shtetin tonë dhe kur thuhet se mësimdhënësit ajanë ata që ia kanë vënë themelet këtij shteti, është e udhës që ne të trajtohemi si një shtresë e dinjitetshme, duke e pasur një pagë, ndoshta jo të barasvlershme me pagën e një deputeti (ndonëse meritojmë edhe aq), por përafërsisht aq sa marrin edhe ata.

Në fund, kolegë të nderuar, uroj që festa e ardhshme e 7 Marsit të na gjejë, jo në gjendjen siç jemi sot, por të përkrahur nga institucionet më të larta shtetërore. Ndërsa, urimi më i mirë do të ishte përmirësimi më i shpejtë i gjendjes materiale të të gjithë neve. Gëzuar!