Nga: Selami Xhepa
“John Stuart Mill (1806-1873) – ishte John Stuart Mill”, shkruan Schumpeter, “domethënë, një nga figurat më të fuqishme intelektuale të shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe është aq i njohur për gjithkënd që është i arsimuar, sa duket e tepërt të përpiqesh të shtosh diçka më shumë nga sa mund të lexohet në një duzinë librash të shkruar për të.” (History of Economic Analysis, fq. 527). Në të vërtetë, janë me dhjetëra botime voluminoze të shkruara nga akademikë dhe mendje të fuqishme intelektuale, që nga Lord Ashley, tek Hayek, nga Hutchison tek Hollander, nga Spenser tek Rothbard – sa për të përmendur pak prej tyre – që kanë shqyrtuar veprën e Mill-it si ekonomist politik, si sociolog dhe filozof. Një burim i rëndësishëm reference për studiuesit është padyshim edhe “Vepra autobiografike” (voluminoze prej më shumë se 800 faqesh) e J. S. Mill-it, e cila i ishte dorëzuar librarisë së Universitetit të Columbia nga Helen Taylor, thjeshtra e Mill-it.
Të flasësh për figurën e John Stuart Mill-it, duhet më së pari ta nisësh nga edukatori dhe mentori i jetës së tij, mendja po aq gjeniale dhe e fuqishme e James Mill-it, autori i veprës “Historia e Indisë britanike”, i ati i John-it. James Mill-it nuk ishte vetëm thjesht një dishepull dhe shok i Jeremy Bentham-it dhe David Ricardos-it; ai ishte një mendimtar i thellë dhe filozof origjinal. Ndikimi i jashtëzakonshëm i të atit në formimin e tij, duket edhe nga mënyra sokratike e shkrimit të Autobiografisë.
Shumë fëmijë kanë aftësi të jashtëzakonshme në fusha të caktuara, si në matematikë apo mësime gjuhësh të huaja; John Stuart Mill i kishte të gjitha këto talente e, përveç tyre, kishte aftësi të jashtëzakonshme të rrokte që në moshën fëminore ide abstrakte në ekonomi, filozofi e shkenca.
Edukimi i Mill-it është pothuaj tërësisht i lidhur me të atin, James, shëtitjet në pyll me të cilin ishin ushtrimi intelektual dhe njëherësh klasa e tij e mësimit. Që në moshën trevjeçare kishte mësuar greqishten. Dhe, libri i parë grek që do të lexonte ishin Fabulat e Ezopit. Përpara se deri në moshën tetëvjeçare kur kishte mësuar edhe latinishten, ai kishte lexuar veprat e njohura të filozofit grek Ksenofonit, Anabasis, Kiropedia dhe kujtimet për Sokratin, jetën e disa prej filozofëve të antikitetit, si Diogjenit dhe Tuqididit; gjashtë dialogjet e Platonit. E vetmja gjë tjetër që kishte mësuar gjatë atyre viteve kishte qenë aritmetika. Detyrat dhe mësimet do t’i bënte në të njëjtën tavolinë pune, ku edhe vetë James shkruante librin e tij, “Historia e Indisë britanike”.
Mësimet e vërteta nuk ishin orët e studimit në tavolinë, por shëtitjet e gjata të tyre në pyll dhe leximet e pavarura të veprave që i rekomandonte i ati. I pasionuar pas studimit të historisë, ai kishte patur afeksion për Historinë e Romës dhe Greqisë, libra e historisë së Filipit të Dytë dhe të Tretë të Watson-it; ndërsa kur “rashë në kontakt me historinë e luftës për pavarësi të Amerikës, do të rreshtohesha në anën e gabuar, pasi kjo quhej ana e anglezëve”, do të pohonte tek Autobiografia. Diskutimet e tij të gjata filozofike ndërsa shoqëronte të atin në shëtitjet e gjata në pyll, dhe editimi i librit të Jeremy Bentham-it, “Racionalja e dëshmisë juridike”, akoma pa mbushur të njëzetat, janë dëshmi e jashtëzakonshme e një pjekurie të parakohshme.
Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, i ati do t’i jepte në duar veprën të Dumont-it, më të famshme në fushën e legjislacionit, “Traktat mbi legjislacionin”, që siç do të shkruante vetë J. S. Mill, “leximi i këtij libri ishte në vetvete një epokë në jetën time; një pikë kthese në historinë time mentale…. Kur hodha mbi tryezë volumin e fundit të Traktatit, isha bërë tjetër njeri. ‘Parimi i Utilitetit’, i kuptuar siç e kuptonte Bentham dhe i aplikuar siç e kishte aplikuar ai në tre volumet e librit, kishin rënë në vendin e duhur, tamam si një nyje lidhëse që mbante të bashkuar komponentët fragmentar dhe të shkëputur të dijeve dhe besimeve të mia. I kishte dhënë unitet konceptimeve të mia mbi gjërat.” Në moshën trembëdhjetë vjeçare kishte kryer një kurs të plotë të ekonomisë politike!
Në verën e vitit 1820, J. S. Mill do të shkonte në Francë dhe do të qëndronte për një vit e gjysmë në shtëpinë e Jean Baptiste Say-t, dhe pas kthimit në Londër, në moshën 22-vjeçare, do të futej në Zyrën e Indisë, ku i ati ishte shef. Edukimin do ta vazhdonte me leximet e eseve dhe diskutimet e debatet që do të zhvilloheshin një herë në dy javë në shtëpinë e Jeremy Bentham-it, ku ishte krijuar dhe mblidhej që nga viti 1822-23 “Shoqëria e utilitaristëve”. Ky grup ku futeshin miqtë më të ngushtë të Mill-it, do të vepronte deri në vitin 1826, dhe aty do diskutonin çështje filozofike dhe do të shkruante artikuj dhe botonte një gazetë me diskutimet e tyre (të cilat nuk janë gjendur).
Në vitet 1826-27 ai do të kalonte një periudhë depresioni, deri në vitet 1840 kur do të përfundonte shkrimin e veprës “Logjika”. Në autobiografinë e vet ai i referohet kësaj periudhe si “vitet e tranzicionit”, vite që në fakt shënojnë një pikë kthese në aparatin e tij të mendimit dhe idetë e tij. Në këto vite të vështira, jo shumë të përmendura midis adhuruesve dhe pasueve të tij, ai do të gjente paqe tek poezia e Wordworth dhe Shelly-t (e preferuara e mikes së tij të zemrës, Harriet Taylor), tek dashuria për muzikën dhe dëshirën në rritje për artet, dramën, pikturën dhe arkitekturën.
Një influencim i fuqishëm në jetën e tij do të luanin njohjet e reja me rrethin e unitarianëve W. J. Fox, një orator i madh anglez politik dhe religjioz, dhe njohja me Harriet dhe John Taylor-in, Thomas Carlyle-n dhe John Sterling-un. Nëpërmjet tyre do të futej në lidhje me shoqërinë e Apostujve të Kembrixhit, një prej shoqërisë më influencuese të Anglisë së asaj kohe, deri në kohën e J. M. Keynes-it (ku kishte qenë anëtar). Në gjithë ciklin e tij jetësor, Mill kishte rënë në kontakte që nga filozofët radikalë të viteve 1820, me romantikët, me sensimonistët, unitaristët dhe apostujt e Kembrixhit, me burokratët e rinj dhe filozofët radikalë të viteve 1830, duke qenë herë në qendër të vëmendjes dhe herë në periferi, por gjithnjë një person prezent në debatet intelektuale të kohës. Do të ishte në fund të jetës së tij që do të izolohej nga këto klube influencuese, pas martesës së tij me Harriet Taylor-in, pas vdekjes së të shoqit të saj, John Taylor. Nga kjo kohë, ai do të kufizohet në korrespondencat e veta me një rreth të kufizuar miqsh të vjetër si Carlyle dhe August Compte, si dhe do të bëhej një person që do të vazhdonte të influenconte në idetë e një brezi të rinj intelektualësh anglez, përfshi filozofin Spencer.
Në vitet 1858-1868 do të ishte anëtar i pavarur i Parlamentit, periudhë që e shfrytëzoi t’i bënte jehonë pikëpamjeve të tij të avancuara liberale, veçanërisht të drejtën e votës për gratë dhe punëtorinë.
“Kur kalon nga Quesnay, Turgot dhe Smith, tek Mill-i, menjëherë ndjehet se fillon një epokë e re. Shkenca e ekonomisë e humbet naivitetin dhe thjeshtësinë e kohës së saj të rinisë”, shkruan Prof. Lewis (History of Economic Thought, botim i vitit 1910; fq. 379). Kushtet ekonomike dhe sociale të kohës kishin ndryshuar. Revolucioni industrial i kishte dhënë hov manifakturës dhe shpikje të reja po revolucionarizonin teknologjitë e prodhimit. Popullsia ishte rritur ndjeshëm; punëtoria po grumbullohej nëpër qytete gjithnjë e më të mëdha; pronarët e tokave po përfitonin nga rritja e kërkesës për toka dhe rentat e larta; nevoja për mbrojtje nga qeveria për të shmangur abuzimet, ishte më e madhe. Që nga koha e Jean-Jacques Rousseau-s, i cili predikonte se natyra do t’i bënte vetë të gjithë të kënaqur, realitetet kishin ndryshuar shumë. Në kohën e Mill-it, natyra shihej si një pushtet i pashpirt, prej të cilit kërkohej mbrojtje.
Fusha e interesave shkencore dhe e njohurive të tij, janë në një mënyrë të pazakontë të gjera. Tre janë veprat më të mëdha të tij, “Logjika” (1843), “Shqyrtim i filozofisë së Sër William Hamilton-it” (1865) dhe “Parimet e ekonomisë politike me disa aplikime të saj në filozofinë sociale” (1848), prej të cilave ne do të ndalemi kryesisht te kjo e fundit, që përbën dhe kontributin e tij më të shquar në doktrinën ekonomike. Ndërsa, vepra tjetër “Esé mbi disa çështje të pazgjidhura të ekonomisë politike” merret në fakt më shumë me aspektet teknike të ekonomiksit.
Si ekonomist, Mill-i do të influencohej dhe do i ishte shumë mirënjohës veprës së Ricardos, madje “e ekzagjeronte këtë ndjesi të borxhit ndaj tij”, nënvizon Herbert Spencer në biografinë që shkroi për jetën dhe veprën e Mill-it. Siç e theksonte vetë Mill-i, Ricardo kishte krijuar shtyllën kurrizore të shkencës së ekonomisë politike; por gjymtyrët dhe nyjat lidhëse, muskujt e saj do të ishin vepër e Mill-it. Teoritë e prodhimit, shpërndarjes dhe shkëmbimeve që krijoi Ricardo, ishin hedhur në skicat e veta të përgjithshme dhe linjat kryesore, të cilat shpeshherë duken pa lidhje dhe vështirë të depërtueshme. Mill do të vendoste lidhjet e duhura mes principeve, do t’i qartësonte dhe do iu jepte atyre kuptim. Këto pikëpyetje sqarohen në veprën e tij “Esé mbi çështjet e pazgjidhura në ekonominë politike”, një vepër për të cilën Prof. Cherbuliez i Universitetit të Gjenevës do të shkruante se ishte një nga “veprat më të rëndësishme dhe më origjinale në shkencën e ekonomisë”. Megjithatë, Schumpeter nuk e klasifikon veprën e tij, “Parimet”, si një vepër rikardiane. Sipas tij, besimi që vetë Mill kishte se ai ishte një rikardian, ishte i gabuar. Teoria e vlerës dhe kostos, që ka një vend qendror tek çdo ekonomist, siç do ta shohim dhe më poshtë në këtë shkrim, tek Mill qëndron si një kompromis midis teorisë së Ricardo-s dhe të Say-t.
Veprën e tij Mill e organizoi në pesë libra: ‘Prodhimi’, ‘Shpërndarja’, ‘Shkëmbimi’, ‘Ndikimi i progresit të shoqërisë mbi prodhimin dhe shpërndarjen’, dhe ‘Mbi ndikimin e qeverisë’. Libri i fundit i dedikohet kryesisht financave publike. Në librin e katërt, ai ndalet në temën e evolucionit ekonomik. Ndërsa tre librat e parë janë një përpjekje për të përmirësuar teorinë e Say-t në fushat respektive. Duke e vendosur teorinë qendrore ekonomike, atë të vlerës, në librin e tretë, në fakt ai e ndan prodhimin dhe shpërndarjen nga paraja dhe vlera. Në gjykimin shumpeterian, ky është një demonstrim i një dobësie të qartë nga pikëpamja e ndërtimit klasik të analizës ekonomike, në kuptimin që si ekonomist klasik, ai nuk i kishin dhënë një vend qendror teorisë së vlerës, që përbën ndoshta një nga temat fondamentale të kësaj disipline. Pesë librat paraprihen nga “Vërejtjet paraprake”, ku Mill, në traditën smithiane, zhvillon idetë e tij mbi evolucionin e shoqërisë ekonomike. Faktorët përcaktues të këtij evolucioni shkojnë që nga mjedisi, raca, struktura klasore, si dhe zakonet dhe traditat. Ndërsa “dijen” Mill e trajton edhe si pasojë edhe si shkak të gjendjes së prodhimit dhe shpërndarjes së pasurisë. Në këtë kuptim, Mill vlerëson si faktor parësor të zhvillimit kushtet objektive dhe më pak theks kanë idetë apo principet.
Prej këtej vijon edhe trajtimi që ai i bën kuadrit institucional brenda të cilit zhvillohen proceset ekonomike. Në këtë pikë, J. S. Mill besonte se njeriu mundet dhe duhet ta ndryshojë sistemin kapitalist duke reformuar ato që ai i perceptonte si defekte apo dobësi të tij. Kjo shënon dhe një nga debatet më kontraverse lidhur me veprën e Mill-it. Ludwig von Mises dhe Hayek, por dhe të tjerë, duke analizuar kritikën që Mill-i i bënte sistemit kapitalist, e kanë cilësuar atë si mbështetës të socializmit. Në fakt, Mill i ka bërë një kritikë të fortë institucionit të pronës private për shkak se mbitheksimi i “interesit privat” mund të prodhonte ndryshime të thella sociale. Pabarazitë sociale do të thelloheshin për shkak të relacioneve midis punës/pagës dhe kapitalit. Zgjidhja më e mirë në afat të gjatë, sipas Mill-it, ishte një perfeksionim më i mirë i sistemit të pronës private, duke zbatuar skema më të ndershme të ndarjes së vlerës midis punës dhe kapitalit, sipas një skeme më shumë kooperuese. Pikërisht për këtë tezë, Mises do ta quante Mill si “avokatin më të fortë të socializimit”. Ndërsa, Schumpeter do të shkonte dhe më tej, duke e vlerësuar atë vetë si një socialist.
Në veprën e tij të botuar pas vdekjes, “Kapitujt mbi socializmin”, ai shkruan: “Socializmi i adoptuar në një mënyrë të tillë [nëpërmjet revolucionit – shënimi im], do të ishte një dështim katastrofik dhe apostujt e tij nuk do të kishin ngushëllim tjetër, përveçse sistemi që ekziston tashmë si i tillë, do të pushonte së ekzistuari, dhe të gjithë përfituesit prej tij do të rrënoheshin – një ngushëllim që për disa syresh ndoshta është real, pasi nëse i besojmë dukjes, parimi lëvizës i shumicës së revolucionarëve socialist është urrejtja; një urrejtje që duke u shfajësuar nga urrejtja prej djajve të sistemit ekzistues, i hap rrugën një fundi të sistemit ekzistues me çdo çmim, edhe në dëm të atyre që vuajnë prej tij, me shpresën se prej këtij kaosi, do të lind një jetë (Kozmos) më e mirë, në një padurueshmëri trishtuese për të respektuar përmirësimet graduale të sistemit” (Cituar nga Hollander, 1985, fq. xx).
Në fakt, tre kapituj mbi socializmin që u botuan pas vdekjes nga thjeshtra e tij, më tepër se një libër i plotë, janë skica të një libri kritik mbi gjendjen e socializmit anglez dhe francez të kohës që kishte planifikuar të shkruante por që nuk arriti ta përfundonte. Sidoqoftë, është i ditur dhe i pranuar fakti se Mill nuk kishte një shije të mirë për sistemin shoqëror të kohës dhe shfaqte shumë simpati në favor të klasës punëtore, duke besuar tek evolucioni i sistemit ekonomik drejt një shoqërie socialiste. Mesa duket, ishte ndikuar shumë nga teoritë e Sen Simon dhe socialistëve (utopik) francez.
Një tjetër çështje e një debati të përhershëm që vazhdon në shkencën e ekonomisë është ajo lidhur me metodën, ku spikasin kundërshtitë midis Mill-it dhe një prej ekonomistëve më të mëdhenj të kohës së tij, Nassau Senior. Ndërsa Senior do të vazhdonte të kultivonte mbi traditën e themeluesve të prakseologjisë, Mill mbeti një pozitivist, duke besuar tek “njeriu ekonomik” – njeriu që është i interesuar vetëm pas aspekteve materiale dhe pasurore – një metodë që edhe pse akoma dhe sot vazhdon të jetë thelbësisht e kritikueshme, pasi u ngrit në dominancën e vet në saj të Paretos dhe Friedman, vazhdon të mbetet gjerësisht e përdorur në teorinë ekonomike.
Analiza klasike e procesit ekonomik e vendoste individin/agjentin ekonomik individual, si pjesëtar të një klase: pronarë tokash, punëtor dhe kapitalist. Kontributi i veçantë i J. S. Mill është se për herë të parë, në literaturën ekonomike angleze, ai shton dhe një agjent tjetër: sipërmarrësin. Roli i sipërmarrësit ishte zhvilluar përciptazi kryesisht në Francë me Cantillon dhe më vonë me Say, dhe po ashtu gjendet përciptazi edhe tek A. Smith (me terma të tillë si herë sipërmarrësi, herë masteri, e herë tregtari), por, edhe në analizën me të thelluar të Say, funksioni i sipërmarrësit ishte konsideruar ai i kombinimit të faktorëve të prodhimit në organizmin prodhues.
Triadës së agjentëve ekonomik i korrespondon dhe triada e shpërndarjes së vlerës: renta mbi tokën, paga dhe kapitali/interesi. Siç e kemi theksuar dhe në Esetë e shkruara më parë mbi ekonomistët klasik, kjo lloji analize e vlerës ishte baza e teorisë marksiste të mbivlerës. Kjo teori e vlerës nga puna e cila nuk u kapërcye as nga Ricardo; do të ishin jorikardianët dhe antirikardianët – Say, Turgot, dhe më pas Carl Menger dhe Ludwig von Mises të shkollës austriake, që do të zhvillonin një teori të ndryshme nga klasikët. Në modelin teorik të shpjegimit të proceseve ekonomike, Mill nuk shkoi më larg se paraardhësit e tij në konceptimin e gjendjes stacionare të ekonomisë. Megjithatë, siç nënvizon Schumpeter, “ai arriti më mirë se të tjerët të bënte dallimin midis gjendjes stacionare si një materializim në të ardhmen i kushteve të sotme të ekonomisë, dhe stacionaritetit si një konstrukt konceptual apo një instrument analize që shërben për të izoluar, për qëllime studimore, grupin e fenomeneve ekonomike që do të vëzhgoheshin në një mjedis të pandryshuar” (fq. 562). Këtu “stacionariteti” përdoret si një abstragim, si një mjet i analizës ekonomike.
Në analizën e vlerës, edhe Mill dallon tre klasa produktesh. Produktet, oferta e të cilave është e kufizuar, vlera/çmimi varet nga raportet e kërkesës dhe ofertës. Ligji i Say-t është parimi i pranuar në përcaktimin e çmimit të mallrave. Në klasën e dytë të mallrave, atë të mallrave që varen nga “puna dhe shpenzimet”, e prandaj dhe oferta e tyre mund të rritet pambarimisht, Mill bën dallim midis vlerës normale dhe asaj të tregut, dhe ku ai kërkon ligjësi të ndryshme nga ai i kërkesë-ofertës në përcaktimin e vlerës. Si pikën normale të vlerës ai merr koston e prodhimit. Në këtë kategori mallrash, prodhimi/oferta tenton të rritet deri në pikën kur fitimprurja fillon të ulet. Pikërisht tek analiza e kostos, ai adopton qasjen inovative nga klasikët pararendës duket përfshirë sipërmarrësin si element të saj. Ndërsa në kategorinë e tretë të mallrave, të cilat mund të rriten indefinitivisht, por me një rritje joproporcionale të kostove, siç janë prodhimet bujqësore, Mill thotë shumë pak.
Një nga kontributet e Mill-it ishte dhe zhvillimi i mëtejshëm i teorisë rikardiane të tregtisë ndërkombëtare, duke nënvizuar se në tregtinë ndërkombëtare nuk janë të rëndësishme diferencat absolute të kostove të prodhimeve, por diferencat relative të tyre. Nën një zgjerim të argumentit rikardian, Mill shkon më tej kur nënvizon se ligjësia që vlerat permanente varen nga kostot e prodhimit, nuk qëndron për mallrat e huaja. Më shumë se nga kostoja e prodhimit, vlera e tyre varet nga vlera e mallrave me të cilat ato shkëmbehen. Pra, vlera e tyre i nënshtrohet një ligjësie të ekuacionit të kërkesës botërore.
Pa hyrë në detajet teorike të vizionit të J .S. Mill-it lidhur me zhvillimin ekonomik të shoqërisë, thjesht po nënvizojmë se ai ishte krejt i ndryshëm nga vizioni pesimist i Malthusit, Ricardos dhe i të atit, James Mill-it. Megjithatë, optimizmi i tij buronte nga fakti se popullsia do ta kuptonte teorinë e Maltusit dhe do të vetëkufizonte rritjen e saj, duke bërë që gara midis kapitalit dhe punës, të fitohej nga kapitali.
“Nëse Adam Smith ishte babai i ekonomisë politike”, shkruante Lewis, “John Stuart Mill është trashëgimtari i tij”. Megjithë kufizimet dhe dobësitë e veprës së tij, nuk ka dyshim se doktrina ekonomike dhe e filozofisë sociale që ai themeloi, ishin shumë më të thella se ajo e pararendësve dhe mbetën dominuese në Angli dhe në komunitetin intelektual botëror. Tipari ndoshta më i spikatur i personalitetit të tij ishte pranueshmëria e ideve të të tjerëve, armiqësia e tij me dogmatizmin. Erudicioni tij mahnitës është frymëzim për çdo studiues dhe intelektual. Profesor Henry Fawcett, në esenë e Spencer-it kushtuar J.S.Mill, shkruan: “Disa vite më parë qëllova të ndodhesha në një bashkëbisedim në Cambridge me tre personalitetet më të shquara të matematikës, klasicizmit dhe psikologjisë. Po diskutonim fjalimin e Z. Mill që kishte mbajtur si rektor i Universitetit St. Andrew. Matematicieni tha se kurrë nuk kishte dëgjuar më parë të shpjegoheshin kaq fuqishëm dhe kaq qartë përfitimet që kishte studimi i matematikës; të njëjtën gjë kishin thënë edhe të dyja eminencat e shkencave të tjera. Nuk besoj se ka homazh më të madh që mund t’i bëhet kujtimit të dikujt, rreth të cilit shumë prej nesh janë kaq shumë të lidhur me aq shumë mirënjohje dhe admirim…”
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje