LAJMI I FUNDIT:

Mendime të urta dhe siklete të Mujë Loshit

Plaku i urtë Mujë Loshi (sikur fshati i tij Padalishta) u përkiste dy Komunave; Skenderajt dhe Istogut. Ky problem jo pak herë e vuri ne siklet, por në asnjë ndeje a pajtim nuk është vërejtur kurrë. Dy fshatra; (Padalishta) Pemishtja dhe (Suhogërlla) Syrigana ndahen në dysh nga një lum i vogël. Ato u përkasin dy komunave; Istogut dhe Skenderajt. Sa herë kujtojmë Anton Çetën dhe pajtimin e gjaqeve në Kosovë, me siguri auditorit i kujtohen edhe shumë fytyra pleqsh me plisa, me trup vital, të mençur e të urtë që bënin kolonën e gjatë e të pa fund të krushqve te pajtimit kombëtar. Në mesin e tyre me një fizik të drejtë linte përshtypje një njeri që ia dinte rendin fjalës për të zbutur edhe gurin e për të pajtuar zemrat. Ai ishte vetë Mujë Loshi.

Pak kujt i kishte thënë Mujë Loshi se kur e kishte ndier vetën në siklet. Për këtë duhet shkruar me parë se prej nga ishte ai, apo siç thotë populli prej nga mbahej. Ai ishte lindur e rritur në fshatin Padalishtë (tash Pemishte) të Skenderajt. Po Padalishta nuk është e tëra e Skenderajt, ngase zoti e ka krijuar aty ku një lumë (përroskë) ndanë fshatin në dysh. Gjysma tjetër e Padalishtës i takon komunës së Istogut. Po, Muja ishte brenda kufirit administrativ të Drenicës, përkatësisht Skenderajt. Sa herë që rastiste të gjendej nëpër odat e Dukagjinit atë e quanin plaku i Drenicës ndërsa kur gjendej në territorin e Drenicës e quanin plaku i Dukagjinit. Muja, siç ishte, i urtë e i ditur, para çdo ndeje, kudo që gjendej, e studionte mirë odën dhe përbërjen e saj. Kështu urtësia e nxori faqebardhë përherë. Kudo dhe kurdo, kur kishte zënka e mesele të rënda, ai i zbuste me mjeshtri.


Nëse shkruan dikush për mua, thoshte Mujë Loshi, mos të harrojë të shkruaj edhe për sikletin që me ndoqi, në të dy anët e lumit që ia ndante fshatin. S’mund t’i harroj asnjëherë fjalët provokuese që më drejtoheshin, varësisht nga treva se ku gjendesha, thoshte Muja. Kur udhëtoja për Istog e dija që më parë se atje më presin me njëfarë ironie: “O plaku i Drenicës”. Shpesh i dëgjoja të thoshin edhe prapë si me njëfarë ironi; shihe atë plakun e Drenicës. Ngjante edhe për ta provokuar e pyesnin, nga ishte. Asnjëherë nuk ishte prekur si të tjerët Muja ngase kudo që ka kalëruar mendonte vetëm shqip. Asnjëherë ai nuk i ndau njerëzit me treva, fise e bajraqe. Kjo dukuri më ka trazuar shpirtërisht, thoshte Mujë Loshi. Po janë shumë fshatra të fundit të krahut verilindor të Dukagjinit të cilat vetë rrafshi i thërret Drenicë; si Rakoshin, Kerrninën, Shushicën, Zhakovën, Uçën e Cëkolezin. Këto fshatra shumë herë, edhe sipas nevoje a për ironi, ana e Istogut i quan Drenicë. E njëjta gjë vlen edhe për fshatrat; Runik, Kostërc, Leqinë Padalishtë, Çitak e Syriganë, të cilat Drenica qendrore i quan po ashtu me ironi fshatra të Podgurit – Dukagjinit. Po Mujë Loshi mbetej gjithnjë në mes. Shpeshherë vihej në siklet, por shumë më shpesh i bëhej nderim i posaçëm.

Pse binte në siklet Mujë Loshi?

E ndiente vetën në siklet ai kur përkatësia rajonale merrej si nënçmim apo shumë herë edhe për të poshtëruar njërën apo palën tjetër. Jam ndier ndonjëherë si në ferra, thoshte Mujë Loshi. E po të çuditshëm jemi, vazhdonte ai. Ama ndarjen e bëjnë të ligjtë, jo burrat. “Jemi pak, e nuk ndihesha mirë”. Po, mençuria e nxori Mujë Loshin shumë herë nga sikleti. Kurdoherë që pati rastin të merrte pjesë në pajtimet e ndryshme të gjaqeve nëpër Kosovë doli faqebardhë. Ai nuk dorëzohej e as nuk bënte dallime lidhur me përkatësinë rajonale, gjë që shumë herë bëhej temë e intrigantëve. Jo një herë, ai ishte mburrur me Xhemail Abrinë dhe me krenari kishte përdorur mendimet e tij për të zgjidhur probleme të ndryshme duke pajtuar gjaqe e ngatërresa.

Ai nuk u pajtua asnjëherë me ata që përçanin dhe përherë ishte në anën e atyre që mbillnin shpresë pajtimi e bashkimi. Nuk do të përdorte meseletë e tij asnjëherë pa rend e vend. Mu për këtë ai u bë shumë i dashur dhe rrallë ndodhi të mos merrte ftesë nga suita e Anton Çetës për të pajtuar njerëzit në situatat të rënda. Moti kish kuptuar pasojat e fjalorit e të retorikës poshtëruese, andaj i shmangej me mjeshtri e urti. Kush ka pasur rastin të dëgjonte Mujë Loshin ka regjistruar edhe mendime të arta nga ai. Nuk i vinte keq edhe të rrëfente me mjeshtri mendime të urta e mesele të këndshme prej të cilave gjithmonë mund te nxirrej mësim…

Mujë Loshi zihet peng me fjalë të tij

Një herë Muja duke takuar Ramadan Kodrën nga Leçina i thotë: Ramadan, ti nuk po din me folë nëpër oda e as mesele, prandaj sa herë që nuk din diçka eja e më pyet mua. Ramadani një fshatar i urtë, punëtor e i ditur, pak kohë më vonë, pas të korrave, pas e kishte fshirë grurin, nuk kishte mullar për te rregulluar kashtën. Mendoi bukur gjatë dhe tha me vete, po shkojë e po e pyes Mujë Loshin. Ai më ka thënë me e pyet kurdoherë që nuk di ndonjë punë. Shkoi në shpi të Mujë Loshit e po i tregon pse ka ardhur: Grurin e fshiva, po tash nuk po kam mullar ta rregullojë kashtën, tha Ramadani. Nuk kam zabel timin, e thash me shkua e me pre ndonjë lis në zabel të huaj mund të gjej belanë. Erdha me të vetë se çka të bëjë. Muja u zu ngushtë dhe s’kishte më fjalë. Ashtu ishin marrë vesh edhe më herët. A din çka Ramadan, tha Muja. Shko në zabel timin e prej mullarët, dhe mos eja të me pyesësh më asnjëherë.

Një herë e kishin zënë ngushtë nga disa fëmijë

Një ditë, fëmijët në rrugë, kishin parë plakun teksa po udhëtonte në drejtim të qytetit dhe e kishin ndaluar për ta pyetur për një çështje krejt banale; “Kur është lopa më e rëndë”, a mund të na tregosh o plak, se po dukesh me qenë i mençur, i thanë ata.
– Po! Kishte qeshur Muja. Pas kishte thënë shumë mendime, e kishte parë se nuk ia kishte qëlluar. Përgjigjen e kishte marrë po nga fëmijët.
– “Po kur të shkel lopa në këmbë, është më e rëndë, iu kishin përgjigjur fëmijët.
– Ia kanë qëlluar, thoshte Muja. Edhe pse ishin të vegjël, mirë e kishin zgjidhur problemin, tregonte duke qeshur plaku i urtë, Mujë Loshi.

Thasët me mend dhe me pare në lisa

Teksa një ditë po udhëtonte në fshat, në rrugë e takon një djalosh. Me të hyrë në fshat, Muja po shikonte dy lisa të vjetër. E pyet djaloshin, duke drejtuar dorën, andej në drejtim të lisave. Me e pa, në njërin lis një thes pare, dhe në atë tjetrin lis një thes mend; në cilin lis ishe ngjitur. Djali pa menduar shumë iu kishte përgjigjur se do të ngjitej në lisin ku ishin mendtë. Muja, pa një pa dy po i thotë djaloshit: Po, e pash që nuk e ki asnjë kokërr (mend). Djaloshi ishte prekur goxha mirë duke menduar se me mend mund të arrihej çdo gjë. Po, plaku, e kishte pajtuar. Po të kishe mend or djalosh, nuk do të ngjiteshe fare në lis, e mbyll bisedën, Mujë Loshi.

Një herë disa të rinj kishin kërkuar nga Muja t’ua mësojë do mesele. E mor djem, ishte përgjigjur ai, meseletë duhet ditur se kur dhe ku të përdorën. Përdorimi i tyre pa vend shkakton bela e mund të ndodhë edhe të hani dajak.

Materialisht nuk qëndronte edhe aq mirë. Për të ruajtur dinjitetin njeriut i duhet edhe baza materiale. Këtë problem Mujë Loshi e shpjegonte me pak fjalë; Nëse më pyetni a jam i mençur: unë,do të përgjigjesha: Unë jam i ditur. “Unë di për gjithë dynjanë por nuk di për veti”. Vetëm ai që di për veti është i mençur, thoshte pa u ngushtuar fare.