LAJMI I FUNDIT:

Mehdi Frashëri, grekëve (dhjetor, 1925): Ndaleni shpërnguljen e çamëve, ndryshe largojmë minoritetin grek nga Shqipëria

Mehdi Frashëri, grekëve (dhjetor, 1925): Ndaleni shpërnguljen e çamëve, ndryshe largojmë minoritetin grek nga Shqipëria

Në historinë e 100 viteve të fundit ka pasur pak burra të politikës shqiptare që i kanë treguar dhëmbët palës greke duke i kërkuar reciprocitet në trajtimin e pakicave. Një prej tyre është padyshim Mehdi Frashëri, i cili nuk hezitoi të kërcënonte qeverinë greke, kur ajo po përzinte me dhunë popullsinë e Çamërisë drejt Turqisë. Mehdi Frashëri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, iu tha atyre që nëse nuk ndalnin largimin e popullsisë së Çamërisë, pala shqiptare do të largonte me të njëjtën mënyrë minoritetin grek nga Shqipëria.

Ishte dhjetori i vitit 1925, kur Shqipëria ringriti shqetësimin e saj për pakicat shqiptare në Greqi. Në atë kohë, Mehdi Frashëri, deputet i Parlamentit shqiptar, ishte përfaqësues i Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës. Ishte koha kur Lidhja e Kombeve kishte miratuar një grup të posaçëm, të paanshëm për të trajtuar çështjen e popullsisë myslimane shqiptare në Greqi që po shpërngulej me forcë drejt Turqisë. Quhej Komisioni i Përbashkët dhe kishte në përbërje delegatë të mandatuar prej OKB-së. Ky komision nuk ia doli të përmirësojë shumë punët, sepse grekët iu përmbajtën politikës së tyre të mëparshme dhe në shumë raste i pengonin shqiptarët t’u drejtoheshin delegatëve. Në librin e studiuesit Joseph Swire, “Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, gjejmë të dhëna të rëndësishme, ku pasqyrohet situata në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë në atë kohë. Ka detaje interesante në studimet e tij, ku theksohet se pala greke kishte pranuar deri diku realitetin e popullsisë së Çamërisë si autoktonë në trojet e veta që ishte vendosur nga fuqitë e mëdha brenda kufijve të Greqisë.

Ja si e pasqyron Joseph Swire qëndrimin e palës greke në atë kohë:


Në raportin e tyre për Këshillin e Lidhjes së Kombeve, me datë 3.8.25 (O. J., shtator 1925, 1218), grekët bënë disa pohime interesante. Ata shkruanin:

“Sipas statistikave të dhëna nga agjenti ynë nga Epiri, popullsia myslimane e kësaj province (Epiri) më 11 korrik 1925 arrinte në 20,160 banorë, që zinin 2,511 shtëpi dhe ishin të shpërndarë nëpër 63 qytete dhe fshatra, ndërkohë që në të njëjtën datë 2,993 veta kishin qenë shpallur të shkëmbyeshëm dhe janë larguar nga territori (850 nga Preveza dhe 1,182 nga Janina, në qershor dhe korrik 1924; 561 nga Parga dhe 400 nga Konica, në prill 1925)…”

Një sqarim me rëndësi vjen nga Mehdi Frashëri, i cili theksonte: “Nuk duhet harruar që kur një individ pyetet për kombësinë e tij dhe ka pas vetes një xhandar të armatosur, përgjigja e tij do të ndikohet nga ky xhandar. Në këto kushte ai do të jetë i gatshëm ta shpallë veten hotentot, po t’ia kërkojnë këtë.”

Në udhëzimet e veta plotësuese të datës 3.8.25 për nënkomisionin e Epirit, Komisioni i Përbashkët shkruante:

“1. Fakti që një person ka lindur apo paraardhësit e tij në linjë atërore kanë lindur në një vend të përfshirë në njërin prej rajoneve të përcaktuara më poshtë, ndonëse duhet konsideruar si një supozim në favor të prejardhjes shqiptare të këtij personi, nuk përbën provë, në qoftë se nuk mbështetet nga faktorë të tjerë të numëruar në udhëzimet që tashmë janë dhënë. Mungesa e njërit prej të gjithë faktorëve të tillë përbën një supozim për të kundërtën, pesha e të cilit duhet të gjykohet nga nënkomisioni.

Rajonet të cilave u referohet pika 1 janë si më poshtë:

a) Territori që përfshihet në kufijtë politikë të Shqipërisë, sikurse janë përcaktuar tani.

b) Provinca e Epirit, me përjashtim të qyteteve të Janinës dhe Prevezës dhe të çdo rajoni tjetër, në të cilat është e njohur përgjithësisht se popullsia me prejardhje joshqiptare është vendosur si rezultat i imigrimit.”

Çështja e pakicave shqiptare myslimane në Greqi u rihap në Gjenevë me një njoftim të qeverisë shqiptare se ajo kishte marrë informacion që delegatët grekë dhe turq të nënkomisionit të Epirit, duke vepruar në bashkëpunim me autoritetet greke, kishin vendosur të shkëmbenin 5.000 shqiptarë myslimanë të Çamërisë me 5.000 grekë nga Stambolli dhe kishin kërkuar anije për të dërguar grupin e parë prej 800 vetash në destinacion. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes u informua që publiku shqiptar ishte jashtëzakonisht i revoltuar dhe kërcënonte për veprime hakmarrëse kundër pakicës greke në Shqipëri.

Më 7 dhjetor, Mehdi Frashëri iu drejtua sërish Lidhjes së Kombeve, Sekretarit të Përgjithshëm se Qeveria shqiptare kishte qenë e detyruar të njoftonte përfaqësuesin grek në Tiranë që, nëse qeveria greke këmbëngulte në qëllimet e saj për dëbuar shqiptarët myslimanë nga Çamëria, ajo do të dëbonte pakicën greke si hakmarrje; qeveria greke ishte përgjigjur që, nëse do të ndodhte kjo, Greqia do të merrte masat e përshtatshme. Frashëri i kërkoi Lidhjes të ndërhynte pa vonesë, duke vërejtur me të drejtë: “Jetojmë në shekullin e njëzetë dhe feja nuk duhet të ngatërrohet me racën, sikurse ndodhte në Mesjetë.”

Për fat, në atë kohë nisi një ndryshim në politikën e Greqisë ndaj Shqipërisë. Me sa duket, Greqia kishte filluar ta kuptonte që për atë vetë kërcënimi sllav nuk ishte më pak i rrezikshëm se sa për Shqipërinë dhe se ishte në përfitim të saj të vendoste marrëdhënie të përzemërta me fqinjin e saj të vogël, aq më tepër kur në Greqi kishte kaq shumë njerëz që ishin shqiptarë nga raca, prejardhja, gjuha dhe ndjenjat. Ky ndryshim në qëndrim u pasqyrua jo vetëm në Gjenevë, por edhe në shtypin grek dhe në fund të vitit 1925 “Eleftheron Vima”, në një artikull të posaçëm, tërhiqte vëmendjen për trajtimin e mirë të elementit të krishterë në Shqipëri nga qeveria e Ahmet Zogut (T. 9.3.26). Veç kësaj, në pranverë 1926, gjenerali Pangallos bëri një deklaratë, në të cilën mendimin e dikurshëm që të gjithë shqiptarët ortodoksë ishin grekë e quajti “një ide të gabuar dhe të kapërcyer” dhe shtoi: “Meqenëse kjo teori e ka shtuar shpejtësinë në perëndim të saj dhe ka arritur thellësitë e bezdisë, unë kam vendosur t’i shkrij shoqatat verioepirote, që kanë prekur, për t’u shprehur kështu cakun e errësimit mendor.” Ai, me një cinizëm humoristik, vazhdoi: “Gjithkush i njeh shërbimet që i kanë bërë vorioepirotët idesë greke, por superpatriotizmi është po aq i rrezikshëm, sa ç’është i dobishëm patriotizmi.” (T. 9.3.26).