LAJMI I FUNDIT:

“Mega” sfidon strukturat shtetërore

“Mega” sfidon strukturat shtetërore

Partia e re e minoritetit grek në Shqipëri “Mega” ka vendosur të sfidojë strukturat shtetërore, duke organizuar vetë një regjistrim të grekëve që jetojnë në Shqipëri.

E përditshmja Shqip raportoi të martën se shtyrja pa afat për datën e fillimit të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të kombësisë i ka revoltuar drejtuesit e partisë “Mega”, të cilët kanë deklaruar se do të veprojnë vetë dhe për regjistrimin e njëanshëm do të informojnë edhe Këshillin e Evropës.

Kryetari “Mega-s” me qendër në Sarandë, Kristaq Kiço e quajti të pajustifikueshëm vendimin e qeverisë për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, i prirë sipas tij nga qëndrimi anti-kushtetues i kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

“Minoritarët janë më të interesuarit për këtë proces dhe normale do të ishte që përpara se të merrej vendimi i shtyrjes pa afat të regjistrimit, të merrej edhe mendimi i forcave politike që përfaqësojnë minoritetin. ‘Mega’ do të ndërmarrë një aksion politik serioz për identifikimin e të gjithët minoritarëve grekë në Shqipëri dhe këtë rezultat do t’ia paraqesë Këshillit të Evropës,” tha Kiço për Shqip.


Ndërkaq, lëvizja “Omonia” është në pritje të një njoftimi zyrtar dhe jo mediatik për shtyrjen e fillimit të këtij procesi. “Jemi në pritje të një deklarimi zyrtar për shtyrjen e këtij procesi”, tha kreu i Omonias për Sarandën dhe Korçën, Llambi Panteqi. Ky i fundit shprehu bindjen se zhurma e krijuar në lidhje me shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë është në fakt një keqkuptim nga disa qarqe të caktuara. Sipas tij pretendimet e Omonias nuk prekin kombësinë e ndërruar vitet e fundit, por atë të humbur gjatë viteve të sistemit komunist.

Sa i përket lirisë së shprehjes për elementin e kombësisë në pyetësorin e regjistrimit, Panteqi u shpreh se “kur të vijë momenti i regjistrimit, Omonia do të kërkojë transparencë për procesin”.

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të kombësisë, ishte në fakt kushti themelor që Partia për Drejtësi dhe Integrim, përfaqësuese e komunitetit çam vendosi ndaj qeverisë.

Kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi ka deklaruar më herët se regjistrimi nuk mund të kryhet në kushtet kur po verifikohen ndërrime abusive të kombësisë dhe kur qarqet greke janë duke ushtruar presion për të detyruar banorët e jugut të vendit të vetëdeklarohen grekë. Partia e çamëve përfaqësohet në Parlament me dy deputetë, largimi i të cilëve do të vinte në pikëpyetje mazhorancën e kryeministrit Sali Berisha që aktualisht numëron vetëm 73 vota. /Telegrafi/