LAJMI I FUNDIT:

Mediu në Gjykatën e Lartë

Mediu në Gjykatën e Lartë

Çështja Gërdeci do ta dërgojë përsëri ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë, për t’u përballur me një tjetër të mbijetuar nga tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku humben jetën 26 persona.

Një prej të plagosurve që i mbijetoi tragjedisë, Zyber Lela akuzon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe të pandehurit e tjerë të dosjes “Gërdeci” për veprën penale të “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, raportoi të premten Gazeta Shqiptare.

Më 17 shkurt 2011, i mbijetuari vendosi t’i drejtohet gjykatës së Tiranës me një kërkesë në cilësinë e të dëmtuarit akuzues. Lela kërkon nga Ministria e Mbrojtjes dhe shoqëria “Albademil” e Mihal Delijorgjit ta shpërblenin për dëmin material, shëndetësor dhe dëmin moral të shkaktuar nga shpërthimi tragjik.

Gjykatësi Sokol Tona vendosi të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e çështjes penale, për shkak se një nga të akuzuarit nga Zyber Lela ishte dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili mban aktualisht postin e ministrit të mjedisit.


Duke qenë se Mediu gëzon imunitet (është deputet i Kuvendit dhe anëtar i kabinetit qeveritar), në bazë të ligjit vetëm Gjykata e Lartë është kompetente për të shqyrtuar akuzat penale ndaj tij. Për këtë arsye, gjykatësi Tona ka vendosur t’ia dërgojë aktet për kompetencë gjykatës supreme. /Telegrafi/