LAJMI I FUNDIT:

Mediet përballë pushtetarëve

Derisa pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor rregullohen direkt apo indirekt nga zgjedhjet legjitime, përkatësisht nga vota e lirë e qytetarëve, pushteti i katërt, ai i medieve nuk rregullohet me votime, por rregullohet me ligje demokratike dhe nga nevoja e shoqërisë për te reaguar ndaj problemeve. Mediet e shkruara dhe ato elektronike arrijnë suksesin e tyre kur ato shndërrohen në një arenë për të vërtetën, duke u bërë pishtar ndriçues për opinionin publik, për të vërtetën e menaxhimit të politikave te tre pushteteve tjera, gjë qe këto politika ndikojnë në jetën e qytetarëve të zakonshëm.

Përgjegjësia kruciale e medieve të shkruara dhe ato elektronike është të jenë në shërbim të qytetareve duke informuar dhe mbrojtur interesat e tyre. Prandaj gazetarët janë makth për politikanet. Gazetarët janë të prirur të dinë gjithçka dhe të gjykojnë po ashtu. Ata duhet të sillen dhe të luftojnë për të vërtetën, për mirëqenie ekonomike, për drejtësi dhe mbi të gjitha të mbrojnë interesin e qytetareve. Ata duhet të bëjnë qe politikanet të varen nga mediet, të jetojnë nën presionin e tyre. Nuk duhet të lejojnë qe tjerët të bëjnë bisht për fshehje të se vërtetës, ata duhet të kërkojnë informacionin, të përzgjedhin dhe të kontrollojnë atë. Pastaj duhet të përsëritin shumë herë duke transformuar në të vërteta të dukshme dhe të kapshme për opinionin.


Për të mbrojtur interesin e qytetareve duhet të nxjerrësh si prioritet vizionin e qytetareve. Sa herë qe pushtetet tjera shkelin të drejtat e qytetarëve dhe nuk i përfaqësojnë interesat e tyre, atëherë mediet vihen përballë këtyre padrejtësive duke u bërë kështu opozitë legjitime me të drejtë. Në një shoqëri demokratike çdo parti politike që vjen në pushtet mundohet në të gjitha format dhe me mjetet që disponon të rritë ndikimin mbi mediet, prandaj vija e parë e fronit përball pushtetit nuk është opozita, as shoqëria civile, por janë mediet, të cilat ngritin zërin e opinionit publik.

Qytetarët e zakonshëm mund të mos jenë pjesë aktive dhe monitorues të përfaqësueseve të cilët i zgjedhin me votën e tyre si në mbledhjet e Qeverisë, e Kuvendit dhe Presidencës, por mediet janë ato që i përcjellin këto ngjarje duke ua transmetuar qytetarëve si dhe duke marrë opinionet e tyre. Mediet e shkruara dhe elektronike shikohen jo vetëm nga njerëzit e thjesht, por edhe nga politikanet të cilët udhëheqin vendin, andaj këtu është edhe arena e përplasjes së qëndrimeve të qytetarëve dhe njerëzve të pushtetit. Në mediet e shkruara dhe elektronike nuk dëgjojmë dhe lexojmë vetëm lajme, por edhe kronika nga jeta e qytetareve tanë, analiza dhe opinione të ndryshme nga intelektualet, krijime dhe opinione për kulturën, pra thëne shkurt mediet janë ato qe nxitin debat dhe si rezultat i këtyre debateve njerëzit fitojnë kulturën demokratike te debatuarit. Ky debat përcillet edhe në ambientin e së cilit qytetar ku vepron, gjë qe me këtë arrihet një triumf i jashtëzakonshëm.

Gazetarët gjithmonë ngritin dyshime lidhur me motivet e pushtet mbajtësve pasi i frikohen pushtetit që është në duart e tyre dhe abuzimeve që ata mund të bëjnë me të. Pa marrë parasysh dyshimet qe gazetarët ngritin, pushtetarët duhet të tregohen të ngrohte me ta, familjarë, bashkëpunues edhe nëse të kritikojnë apo të përqeshin si dhe duhet takuar me shpesh. Pushtetarët nuk duhet të irritohen vetëm pse kritikohen apo përqeshen nga gazetarët sepse në fund të fundit politikani nuk do t’u thotë gjithçka, nuk do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyre, do të mund të shmang debatin e panevojshëm.

Njerëzit në pushtet duhet të jenë të afërte me mediet, të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi dhe assesi nuk duhet që të mundohen t’i venë nën kontroll ato sepse është shkelje e demokracisë, e lirisë dhe e të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare.
Pushtetarët nuk duhet harruar se tani në kohen bashkëkohore edhe në vendet e pakta në botë që kanë sistem monist, fuqinë e informacionit askush nuk po arrin të ndal.Informacioni, që i kapërcen lehtë kufijtë shtetërorë, është bërë një faktor kryesor si në politiken ndërkombëtare, ashtu edhe atë të brendshme. Një nga arsyet pse interneti është bërë aq i fuqishëm është pikërisht fakti se në internet njerëzit janë të lirë t’i shprehin opinionet dhe qëndrimet e tyre, liri që në shumë vende ju mohohet nga mediet e shkruara dhe elektronike.

(Autori studion master, Drejtimi Civil në Fakultetin Juridik të UP-së)