LAJMI I FUNDIT:

Media, mos u ndalni tash

– Lufta kundër korrupsionit nuk është luftë kundër Qeverisë, por e kundërta –

Media, mos u ndalni tash. Kemi hequr keq derisa e sollëm punën që të korruptuarit, më në fund, të fillojnë të djersiten. Ata dhe ato nuk duhet vetëm të djersiten, por edhe të arrestohen dhe t’u konfiskohet pasuria personale e familjare.

Është e qartë që lufta kundër korrupsionit nuk ka të bëj me luftimin e cilësdo parti politike, pra kjo nuk është luftë as kundër PDK-së, as LDK-së e as AAK-së dhe partive tjera më të vogla, por jo më pak të rëndësishme. Ose, ka gjasë që lufta kundër korrupsionit t’i përfshijë krejt partitë, pavarësisht madhësisë së tyre elektorale.


Kjo sepse lufta lundër korrupsionit, në fakt dhe në praktikë, është luftë kundër modelit dhe mënyrës se si qeveriset Kosova nga institucionet qeverisëse tash e dhjetë vjet. Është modeli dhe mënyra qeverisëse ajo që sjell dhe prodhon korrupsion. Pra, janë paratë e buxhetit të Kosovës ato që keqpërdoren dhe vidhen. E ato keqpërdoren dhe vidhen duke përdorur ligjin e aplikuar në Kosovë. E me letra, secili zyrtarë qeveritarë del i pastër. Kjo është me garanci.

Është interesante se si asnjëra parti politike e cila ishte në pushtet as nuk tentoi të ndryshonte modelin dhe mënyrën e qeverisjes. Sepse korrupsioni në Kosovë nuk filloi me Kryeministrin dhe Qeverinë Thaçi. Në kuadrin qytetar, fatkeqësia që paraqitet tek kjo Qeveri është se PDK as nuk tentoi të ndryshoi modelin qeverisës duke marr për bazë gabimet dhe keqmenaxhimin institucional nga vitet dhe qeveritë e kaluara. Ajo vetëm vazhdoi aty ku mbetën të tjerët. Pra, u ndërruan vetëm emrat e ministrave dhe asgjë tjetër.

Keq për PDK-në, mirë për LDK-në

Ka shtatë vjet që nuk ndjek edicionet e lajmeve të televizioneve tona të vetëquajtura kombëtare. Sidoqoftë, këto ditë (për nja tri ditë rresht) ndoqa edicionin e lajmeve të mbrëmjes në KTV. Aty u thanë shumë gjëra interesante. Më pëlqeu ai perceptimi se “Kryeministri i Kosovës ka pasur merak të del deri në tri herë në ditë në konferenca për shtyp, pra në televizor, ndërsa tashti pas fillimit të luftës kundër korrupsionit, ai më nuk del para kamerave”.

Në esencën e vet, konstatimi i tillë faktik është pjesë e gazetarisë. Bile, sipas meje, pjesa qenësore e gazetarisë që mungon tash e dhjetë vjet në Kosovë. Sido që të jetë, lajmet në KTV kishin marr sistemin e zig-zagut. Njëri lajm ishte i keq për PDK-në ndërsa tjetri ishte i mirë për LDK-në. Kjo ishte agjenda e lajmeve të mbrëmjes në KTV së paku për tri net rresht sa i ndoqa unë.

Nuk më intereson nëse KTV, bashkë me gazetën Koha Ditore, kanë simpati ndaj LDK-së ndërsa e urrejnë PDK-në. Ose, nëse agjenda e lajmeve të tilla renditet me porosi. Ajo që dua të them është se renditja e tillë e lajmeve, luftës kundër korrupsionit, fatkeqësisht, i jep ngjyrim dhe anim politik, kur e dimë që, p.sh, Kryetari Fatmir Sejdiu, është bile moralisht i korruptuar kur ia la një shkolle fillore emrin e babagjyshit të vet. Tek e fundit, në këtë kuadër, unë parashtrojë kërkesë publike që shkollës fillore në Prishtinë “Ismail Qemaili” t’i vendoset emri im “Skënder Limani” sepse kontributi im në gazetarinë kosovare e meriton një gjë të tillë. Bile, është pak.

Kemi shkruar e raportuar shumë për afera korrupsioni nëpër gazeta e televizione. Kurrë asnjëherë nuk u ndërmor asnjë hap kundër atyre denoncimeve e aferave. Shërbyesit civilë humbën vendin e punës, gazetarët gjithashtu, edhe mjekët dhe secili qytetarë që raportoi e denoncoi korrupsionin, në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë, u dënua. Ndërsa te korruptuarit, siç po e shohim, i bënë milionat. Pra, po e shohim që korrupsioni në Kosovë kap gati të gjitha partitë politike, plus edhe qytetarë që ndoshta nuk do të dëgjojmë kurrë për ta ose për ndonjë kontribut të tyre në shoqëri, përveç se i shohim duke vozitur xhipa me vlerë dhjetëra mijëra euro dhe me pasuri të tjera.

Mediet dhe secili prej nesh duhet të dijë dhe të përgatitet që lufta kundër korrupsionit në Kosovë I përfshinë të gjithë, pa dallim. Edhe anëtarë të familjeve tona, por edhe zyrat ndërkombëtare. Korrupsioni në Kosovë është ndërmarrje e përbashkët kriminale tash e dhjetë vjet. Ndërsa varet nga ju nëse kjo ndërmarrje përfundon tash dhe këtu. Këtë desha t’ua them.