LAJMI I FUNDIT:

Mashkulli thyen rekordin në hekurosje

Mashkulli thyen rekordin në hekurosje

Babai nga qyteti anglez Hampshire ka thyer rekordin botëror në hekurosjen maratonike. Ben Walton brenda 60 orëve të punës ka hekurosur 923 rroba për të grumbulluar para për blerjen e inkubatorit të ri për spitalin në Winchester.

Biri gjashtëmuajsh i Benit, me emrin Zachary, ka lindur dhjetë javë para kohe në atë spital në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Ai kishte peshuar madje më pak se një kilogram, transmeton BBC.

Ben e ka nisur sfidën e tij të enjten dhe e ka përfunduar të shtunën. Ai tani pret vërtetimin e Librit të rekordeve Guinnes. Rekordi aktual në hekurosjen maratonike është 55 orë e pesë minuta. “Përveç dhimbjeve në shpinë që po më mbysin, ndjehem bukur mirë”, ka thënë babai 32-vjeçar.

Gjatë hekurosjes, Benit i kanë lejuar pesë minuta pushim çdo orë, por në përgjithësi nuk është dashur të ketë më shumë se gjysmë ore pushim. Pranë tij gjatë tërë kohës kanë qenë dy vlerësues zyrtarë nga libri Guinnes, të cilët janë përkujdesur që ato rroba të jenë hekurosur si duhet.


Njerëzit kanë sjellë nga një funte angleze për hekurosjen e çfarëdo rrobe.

“Ky është njëri prej tentimeve të mia të para në përpjekje për të grumbulluar 25.000 funte për blerjen e inkubatorit të ri për spital. Tentimi im i radhës do të jetë thyerja e rekordit në alpinizëm, të njohurën Three Peaks Challenge (konkurruesit brenda 24 orësh tentojnë të ngjiten në tri majat më të larta në Britani të Madhe), me dërrasën për hekurosje, natyrisht”, ka thënë Ben.