LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja jo – historike e Stabilizim–Asociimit

Marrëveshja jo – historike e Stabilizim–Asociimit

Natyra e prindit është që të përballet pothuajse çdo ditë me fëmijën e vet, duke i shpjeguar ndonjë fjalë të re që ka dëgjuar në shkollë, në rrugë apo televizion.

Këtyre ditëve, vajza ime ishte fascinuar nga fjala hiperbolë dhe e përdorte sa herë mundej, edhe pse nuk e kuptonte domethënien dhe në një moment më pyeti se çka do të thotë kjo fjalë?


I thashë se “hiperbola” është një term letrar që tërheq vëmendjen por nuk ka asnjë vlerë. Ajo nuk ndryshon as mendjet e njerëzve, as realitetin. Mënyra si na është servuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit është saktësisht një hiperbolë. Marrëveshja është e dobishme, mirëpo ta prezantosh si historike, është e tepruar. Marrëveshje të ngjashme i kanë paraprirë hyrjes së një numri vendesh të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor janë përdorur nga BE si “karrot”, shpërblim për një seri reformash të karakterit ekonomik e tregtar, politik, sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Në këtë kuptim, vlera e vërtetë e kësaj marrëveshjeje qëndron në faktin se e ka paraqitur BE-në në sytë e vendeve aspirante si projekt ekonomik dhe politik. MSA ka qenë porta drejt anëtarësimit, e thënë në mënyrë të qartë në tekstet e marrëveshjeve.

Kështu ka ndodhur deri sa Kosova e nënshkroi marrëveshjen e saj të Stabilizim Asociimit. Në rastin tonë fjala “anëtarësim” u zëvendësua me “përafrim”. Me këtë ndryshim, Brukseli dhe secila palë bën interpretimin që dëshiron. Serbia të vetin, Kosova të vetin, edhe pesë shtetet e BE-se që ende nuk na kanë njohur japin interpretime kontekstuale.

Pra, MSA-ja në rastin e Kosovës nuk kryen funksionin që pritej të kryente: nuk shërben si një projekt politik që na çon sigurt drejt BE-së. Ajo reduktohet vetëm në dimensionin ekonomik. Në këtë kuptim, MSA-ja jonë ndryshon pak nga një numër marrëveshjesh të ngjashme të bëra mes BE-së dhe Turqisë, Izraelit, Algjerisë, Egjiptit, Sirisë, Libanit, Afrikës së Jugut etj. Na mbetet pra të fokusohemi te aspekti ekonomik. Një nga temat më të debatuara në këtë kuadër është ajo se çka përfiton ekonomia e Kosovës nga heqja e tarifave doganore, si në rastin e eksporteve dhe importeve?

Në një ekonomi të tregut të lirë, nuk do të duhej të aplikoheshin barriera doganore, meqë ato shkojnë në kurriz të konsumatorëve të cilët marrin mallra më të shtrenjtë. Teorikisht, kush përfiton nga aplikimi i këtyre tarifave janë prodhuesit vendorë dhe arka e shtetit. E këtu ndalemi.

Doganat janë furnizuesi kyç i buxhetit të Kosovës. Dorën në zemër, është një nga institucionet që ka funksionuar më së miri në Kosovë, në masë të madhe ngaqë standardet u vendosën dhe u mbikëqyrën nga ndërkombëtarët për shumë kohë. Humbja pra nga doganat do të kompensohet qoftë përmes rritjes së akcizës, qoftë përmes aplikimit të taksave të tjera. Të dyja këto mënyra do të bien edhe mbi kurriz të konsumatorëve, edhe të prodhuesve vendorë. E sa i përket prodhimit vendor e eksporteve, gjendja është e vështirë. Ne vazhdojmë në raportin 1 me 7 në favor të importeve ndaj eksporteve.

Është e vërtetë që MSA heqë barriera për plasimin e mallrave kosovare në tregjet evropiane por shtrohet pyetja sa konkurrente dhe investuese është ekonomia jonë që t’iu bëjë ballë ekonomive më të forta evropiane dhe botërore duke marrë parasysh që edhe më tej në Kosovë është rryma dhe uji, dy probleme fondamentale dhe jetike që për momentin janë ende në fazën fillestare të zgjidhjes?

Për me qenë më pragmatik, unë këtë e shoh si një mundësi të re për Europën e cila tash e tutje do të vazhdoj të plasoj produkte që tashmë kanë deportuar te konsumatori jonë, tani pa pagesë të doganës që rezulton të hyra më të vogla për Kosovën.

Sikur sistemi i vjeljes së të ardhurave tjera jashtë doganës të kishte qenë më i avancuar dhe proporcional, Kosova do ta mbante këtë ekuilibër,por, në këtë gjendje do të përfitojnë prapë eksportuesit në Kosovë të cilët e kanë vërtetuar që në shtetet përreth kudo që janë zvogëluar doganat, gradualisht i kanë ngritur çmimet dhe kanë rritë profitabilitetin e tyre.

Mund të kemi një shans nga kjo marrëveshje, nëse ndryshon imazhi i shtetit tonë e pastaj edhe klima e bërjes biznes. Për qeverisjen kjo do të thotë: investime për zhvillimin e sektorit privat, luftim të korrupsionit dhe klientelizmit që rrënon parimet e tregut të lirë. Për sektorin privat do të thotë rritje e konkurrueshmërisë, përmes vizionit, teknologjisë dhe kuadrove. Si përfundim, MSA nuk ka asgjë historike. Ajo do të na shërbejë për aq sa ne vetë do të jemi në gjendje të kemi performancë të mirë.

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Ndërkombëtare
Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Arsim
Kalo në kategori