LAJMI I FUNDIT:

Maratona e 69 në moshë 69-vjeçare

Maratona e 69 në moshë 69-vjeçare

Pensionistja britanike, Pauline Newsholme, ka vrapuar për të 69 herë në një maratonë në moshën e saj 69-vjeçare.

Arritja e saj mahnitëse është pjesë e orvatjeve të saja për të mbledhur para për fëmijët e sëmurë, pasi që vajza e saj ishte paralizuar.

Pauline, nga Teignmouth, ka vrapuar nëpër maratona anembanë botës, siç janë ato të Helsinkit, Torontos, New Yorkut, Dublinit, Venedikut dhe Parisit, si edhe në qytete të shumta në Angli. Ajo ka vrapuar dhjetë herë në maratonën e Londrës, disa herë e shoqëruar nga burri i saj Eric, 72-vjeçar dhe vajza e saj Glenda, 45-vjeçare, ndërsa maratona e saj e fundit ka qenë në Edinburgh.

“Eric ka vrapuar disa maratona para meje dhe ai gjithmonë ka qenë një vrapues i vendosur pasi ka filluar të vrapojë që nga mosha 12-vjeçare. Ai ka qenë frymëzuesi im”, ka thënë Pauline.


Pauline ka dashur të grumbullojë para për t’i ndihmuar fëmijët, pasi vajza tjetër e saj, Claire, ishte paralizuar në moshë gjashtë vjeçare. Edhe pas rikuperimit të plotë të Claire, Pauline kishte vazhduar të vraponte, ndërsa mundimi i saj është paguar duke grumbulluar më shumë se 20.000 funte për bamirësi.