LAJMI I FUNDIT:

Lufta e Rusisë në Ukrainë: Mësimet e deritashme

Lufta e Rusisë në Ukrainë: Mësimet e deritashme
Ilustrim

Nga: Charles Lipson, profesor i shkencave politike / The Spectator
Përkthimi: Telegrafi.com

Komplikimi i madh – dhe tmerri – rreth luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, e bën të vështirë qartësimin e detajeve kryesore. Duke e marrë vetëm një shembull nga fronti i betejës në veri të Kievit ku kolona ruse është bllokuar, situata është dukshëm ndryshe përgjatë Detit të Zi ku forcat ruse – nga Krimea – kanë shënuar përparim të konsiderueshëm. Një front i tretë në lindje po konsolidohet në favor të Rusisë, megjithëse luftimet janë shumë më të vështira e më të gjata nga ato që Moska i priste.

Në mes të kësaj situate komplekse, është e rëndësishme t’i përmbledhim gjërat që dimë deri tash:


1.

Vendimi i Vladimir Putinit për ta pushtuar Ukrainën del të jetë gabimi më i rëndë strategjik që nga fundi i Luftës së Ftohtë, e deri tani edhe më i rrezikshmi. Brenda një jave, pushtimi e transformoi tërësisht Evropën – ushtarakisht dhe në aspektin diplomatik. E rivitalizoi NATO-n, e shtyu Gjermaninë t’i ndryshonte politikat e lëshimeve – përgjatë dekadave ndaj Rusisë – dhe e shfaqi Berlinin si zërin kryesor e Evropës që e kundërshton Kremlinin.

Gjermania nuk dha vetëm fjalë të rrepta. E ndërpreu burimin e saj të ri të shumëpritur të energjisë, tubacionin pothuajse të përfunduar të gazit “Nord Stream 2” që vjen nga Rusia. Dhe, e kapërceu ngurrimin e gjatë për t’i mbështetur konfliktet ushtarake jashtë vendit, duke dërguar sasi të konsiderueshme municionesh në Ukrainë. Shfaqja e Berlinit si lojtar i rëndësishëm në këtë luftë është një nga rezultatet më të habitshme – dhe më të nënvlerësuara deri më tani.

2.

Me këtë pushtim Putini ka bërë llogaritje të tmerrshme për suksesin e mundshëm ushtarak dhe për pasojat diplomatike të një sulmi të paprovokuar. Gabimet e tij kryesore ushtarake ishin se ka menduar se ushtria dhe forcat e tij ajrore mund t’i mposhtin lehtësisht kundërshtarët e tyre më të paktë ukrainas, ta merrnin objektivin e tyre kryesor strategjik, Kievin – brenda 72 orëve – dhe të përballeshin me pak rezistencë popullore. Kanë të gabuar në të gjitha aspektet (Putini nuk ishte i vetmi në këtë parashikim, sepse edhe analistët ushtarakë amerikanë prisnin që Kievi shpejt do të binte).

Putini dhe kuadri i tij duket se e kanë gëlltitur propagandën anti-ukrainase, duke pritur lehtësisht të fitonin e të mirëpriteshin nga një popullsi lokale e etur për t’i hequr qafe “sundimtarët fashistë”. Në vend të kësaj, ushtria ruse u përball me luftime të ashpra nga forcat këmbëngulëse ukrainase, edhe pse më të pakta në numër, si dhe nga kundërshtimi unanim nga Evropa dhe nga Amerika e Veriut. Putini, si të gjithë diktatorët, nuk i dëgjon kurrë pikëpamje e kundërta nga rrethi i tij i ngushtë (të cilët rrezikojnë me dëbim ose më keq se kaq) ose nga faqet e lajmeve dhe të opinioneve disidente (të cilat i ka shkelur). Putini e komplikoi deficitin e tij të informimit me vetëizolimin gjatë koronavirusit.

3.

Rezultati më i rëndësishëm dhe më i papritur i luftës, deri më tani, ka qenë kundërshtimi i gjerë dhe i ashpër ukrainas ndaj sulmit të Rusisë, nga udhëheqja e guximshme e Volodymyr Zelenskyyt. Refuzimi i tij për ta pranuar ofertën e Joe Bidenit për një transit të sigurt nga Ukraina – duke e ditur se ishte emri kryesor në listën e vrasjeve të Putinit – na solli thënien më të paharrueshme të luftës: “Nuk kam nevojë për udhëtim. Kam nevojë për më shumë municion”. Përgjigja e Zelenskyyt renditet si një nga më të famshmit që nga revolucioni amerikan. Në vitin 1779, kur luftanijet britanike kërkuan dorëzimin e kapitenit John Paul Jones, ai u përgjigj: “Nuk ia nisa ende luftimeve”. Pikërisht këtë po thoshte Zelenskyy.

Si të gjitha luftërat moderne, vdekja dhe shkatërrimi regjistrohen në telefonat celularë dhe ato transmetohen në mbarë botën – me përjashtim të Rusisë, Kinës, Iranit dhe disa diktaturave tjera. Megjithatë, në Perëndim ato imazhe të tmerrshme transmetohen vazhdimisht. Rezultati i parashikueshëm është neveria e përhapur ndaj veprimeve të Putinit dhe mbështetja dërrmuese për luftën e Ukrainës.

4.

Tri shenjat më bindëse të mbështetjes së jashtme janë rritja e dërgesave të armëve nga anëtaret e NATO-s, bojkoti i paprecedentë ekonomik i Rusisë nga dhjetëra vende dhe nga qindra firma private, si dhe mirëpritja e ngrohtë e ofruar nga qytetarët e vendeve fqinje për 1.7 milionë gra dhe fëmijë ukrainas që kanë ikur nga vendi.

5.

Putini gaboi në gjykimin se rusët e zakonshëm do ta ndajnë me të neverinë ndaj qeverisë së Ukrainës e madje edhe të pavarësisë së saj. Teksa shkalla e këtij gabimi u zbardh në Kremlin, ata i mbyllën të gjitha burimet e pavarura të lajmeve dhe të debateve, përfshirë mediat sociale, si dhe e rritën stuhinë e gënjeshtrave që synojnë opinion rus. Frika e Putinit është e drejtpërdrejtë: po bëhet e qartë se populli rus, i cili i sheh ukrainasit si “vëllezërit dhe motrat” e veta, do të tmerrohet nga shkatërrimi i paarsyeshëm. Duhet ta fsheh këtë prej tyre. Pavarësisht ngufatjes mediatike, Putini nuk mund t’i zhduk plotësisht lajmet për viktimat e rënda ruse, të cilat aktualisht vlerësohen nga 5-12 mijë dhe që rriten çdo ditë, plus paaftësinë masive të operacionit ushtarak. Natyrisht, këto humbje nuk do të shfaqen në transmetimet zyrtare, por ato nuk mund të fshihen nga nënat, baballarët, gratë, vëllezërit dhe motrat që së shpejti do të kuptojnë se nuk do t’i shohin më të dashurit e tyre. Dhimbja e tyre nuk mund të fshihet.

6.

Gabimi tjetër strategjik i Putinit ishte se priste ta përçante aleancën e NATO-s dhe të përballej me një reagim relativisht të butë nga evropianët të cilët varen nga gazi rus. Përsëri gabim. E udhëhequr nga Gjermania dhe nga Shtetet e Bashkuara, NATO është ringjallur. Aleatët e tjerë, si Danimarka, kanë njoftuar se do t’i rrisin shpenzimet e mbrojtjes në dy për qind të PBB-së – ose më shumë. Të tjerët vazhdojnë të dërgojnë armët antitank dhe kundërajrorët, si dhe dronët e armatosur në Ukrainë. Thënë shkurt: ka përfunduar pushimi i Evropës nga historia, dhe ishte Putin ai që ia dha fundin kësaj.

7.

Shkalla e paprecedentë e sanksioneve ekonomike mund të çojë në kolapsin total të ekonomisë ruse – deri në verë. Vendet e dikurshme neutrale, si Zvicra dhe Suedia, janë bashkuar pa hezitim me këtë bojkot. Po aq e rëndësishme është se shumë prej sanksioneve janë aplikuar nga kompanitë private të cilat (me të drejtë) i druheshin rreziqeve financiare dhe reputacionit të marrëdhënieve me Rusinë.

Oligarkët miliarderë që e rrethojnë Putinin i kanë humbur vilat e tyre jashtë vendit, jahtet, llogaritë bankare dhe të drejtën për të udhëtuar. Banka qendrore e Rusisë është shkëputur nga transaksionet ndërkombëtare dhe rubla tani vlen më pak se një qindarkë (peni), ndërsa po bie çdo ditë e më shumë.

8.

Politikisht, ndikimi më i rëndësishëm do të jetë tek rusët e zakonshëm të cilët mund të çohen për të protestuar për çmimin që po paguajnë për një luftë që nuk e donin kurrë. Tashmë po i shohim demonstratat masive në gjithë Rusinë, pavarësisht rreziqeve të mëdha për protestuesit. Teksa ato po rriten, dilema më e madhe për sundimin e Putinit është nëse policia dhe ushtria do të jenë të gatshme dhe në gjendje t’i ndalojnë ato duke e përdorur çfarëdo force që u nevojitet.

9.

Megjithatë, sanksionet ekonomike janë ende të paplota, sepse administrata Biden nuk e ka ndalur ende blerjen e naftës e të gazit rus, duke i paguar rreth 750 milionë dollarë në ditë dhe duke i financuar pjesërisht përpjekjet e luftës së Putinit. Administrata e Bidenit nuk është e shqetësuar vetëm për shtrëngesat me furnizim energjie në SHBA, por edhe për cenueshmërinë e disa shteteve evropiane, veçanërisht të Italisë, të cilat varen nga furnizimet ruse. Këto shtete kanë pak alternativa të gatshme dhe ShBA-ja e cila ka rezerva të mëdha gazi natyror e që nuk është e gatshme t’i furnizojë ato.

Energjia e gjelbër hedh një hije të errët mbi sanksionet ekonomike. Pavarësisht çmimeve shumë më të larta të energjisë dhe kërkimit të dëshpëruar të Evropës për furnizime alternative, administrata e Bidenit nuk e ka lehtësuar luftën e saj ndaj karburanteve fosile. Për dallim prej politikave të administratës Trump, i kufizoi ndjeshëm flukset e tubacioneve ekzistuese dhe e shtrëngoi prodhimin e ri të energjisë. Ndalohen shpimet e reja në tokat federale dhe në dete, si dhe lejet për të ndërtuar objekte për ta lëngëzuar gazin natyror amerikan për tregjet evropiane. Administrata Biden është kundër tubacionit të madh të gazit nga Izraeli në Evropë, të cilit ia dha fundin. Në mes të kësaj krize, avatari i energjisë së rinovueshme, Elon Musk, ka ndryshuar kursin dhe ka kërkuar më shumë prodhim të naftës e të gazit. Por, jo edhe administrata Biden që ka mbetur e përkushtuar ndaj ideologjisë së saj – e palëkundur në kundërshtimin e më shumë burimeve të naftës dhe të gazit amerikan.

10.

Cila është, atëherë, zgjidhja e propozuar nga administrata për rritjen e çmimeve të energjisë? Shpreson të rrisë dërgesat ndërkombëtare të naftës dhe gazit nga … pritni pak … Irani dhe Venezuela, plus Arabia Saudite. Këndvështrimi i Iranit është vetëm një nga karotat nga të cilat janë të varur për ta finalizuar një marrëveshje të re (dhe shumë të meta) bërthamore. Çfarëdo që mendoni për Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) me Iranin, ideja për t’i mbushur me para ata – për ta furnizuar botën me energji – është keqpërdorim strategjik.

Pse, do thoni ju, nafta nga Irani, Venezuela ose Arabia Saudite do të lëshonte më pak ndotje sesa prodhimi i vetë Amerikës? Nuk do ta bënte këtë dhe do t’i jepte fitim të papritur shtetit kryesor në botë që sponsorizon terrorizmin. Pa marrë parasysh se a përfundon JCPOA, administrata planifikoi të hapte ventilet e Iranit edhe para kësaj krize.

Rezultati: refuzimi i administratës për t’u përballur me aktivistët e energjisë së gjelbër në partinë e vet ka prodhuar një plan absurd e jokoherent për t’u marrë me konsumin global të naftës dhe të gazit rus dhe me çmimet në rritje në vend.

11.

Aspekti më i kontestuar i politikës së SHBA-së është nëse Uashingtoni e provokoi përfundimisht luftën duke e shtrirë NATO-n në gjithë Evropën Lindore ose nëse Rusia patjetër do ta kishte pohuar, në mënyrë agresive, dominimin e vet – duke ndaluar vetëm sepse NATO i zgjeroi kufijtë e saj duke e ruajtur lirinë dhe pavarësinë për miliona vetë. Të gjithë kanë përgjigje dhe askush nuk mund ta vërtetojë këtë.

Dilema paralele është nëse Rusia u provokua me të vërtetë nga zgjerimi i Bashkimit Evropian për t’i përfshirë shumë shtete – dikur nën kontrollin e Moskës, si shtete ish-klienteliste ashtu edhe shtetet e reja të pavarura që dikur ishin përfshirë drejtpërdrejt në Bashkimin Sovjetik, si Ukraina.

Në masën me të cilën regjimi i Putinit u kërcënua, nuk kishte rol vetëm NATO-ja apo BE-ja, por kombinimi i tyre i fuqishëm, plus përpjekjet e mjera të Rusisë për ta ringjallur ekonominë e saj që nga viti 1991 e që në fund e kërcënuan vet Kremlinin.

12.

Një zonë e ndalimit të fluturimit mbi Ukrainë, e kërkuar dëshpërimisht nga Zelenskyy, kundërshtohet gjerësisht brenda Aleancës – dhe për arsye shumë të mira. Kjo pothuajse me siguri do të çonte në luftime vdekjeprurëse midis NATO-s dhe aeroplanëve rusë, duke i sjellë fuqitë bërthamore në konflikt të drejtpërdrejtë dhe duke krijuar stimuj të fuqishëm për përshkallëzim. Rreziqet thjesht janë shumë të mëdha.

Por, edhe pa një zonë ndalim-fluturimi, vendet perëndimore mund të bëjnë shumë më tepër për ta parandaluar kontrollin e plotë të qiejve nga Rusia. Ata mund të dërgojnë edhe më shumë armë kundërajrore, më shumë dronë për të kryer misione zbulimi dhe bombardimi, dhe sisteme mbrojtëse për t’i kapur raketat me rreze të gjatë veprimi të Rusisë – të lëshuara nga Bjellorusia. Ishte një gjykim i gabuar e katastrofik për ta vonuar dërgimin e atyre armëve gjatë vitit të kaluar. Megjithëse Trump kishte autorizuar më shumë dërgesa armësh, Bideni i bllokoi ato nga frika se mund ta provokonin Rusinë. Ekipi i Bidenit sapo u përball me të njëjtën zgjedhje të vështirë, për t’ia dhënë Ukrainës aeroplanët Mig të epokës sovjetike nga Polonia, nga Rumania dhe nga Bullgaria. Rreziku ekziston për zgjerimin e luftës që do të përfshinte anëtaret e NATO-s, por të dielën Biden e miratoi transferimin e tyre.

13.

Rritja e numrit të viktimave civile në gjithë Ukrainën nuk është gabim, por tipar i doktrinës ushtarake sovjetike – tani ruse. Nëse ata nuk mund t’i mposhtin forcat armike me sulm standard ushtarak, si blickrigu për ta marrë Kievin, atëherë ata do të shkojnë përqark, do ta rrethojnë dhe eventualisht do ta shkatërrojnë qytetin e synuar – siç bënë në Çeçeni e në Siri.

Kjo strategji e “tokës së djegur, trupit të djegur” i ka bërë bashkë tashmë kundërshtimet e Perëndimit ndaj Rusisë, e ka zemëruar popullin ukrainas dhe ka siguruar që forcat ruse nuk mund ta kontrollojnë me sukses territorin që duket se po e pushtojnë. Kjo gjithashtu bën me dije se çdo qeveri kukull që ata e instalojnë në Kiev, nuk do ta ketë mbështetjen e brendshme dhe se mund të qëndrojë vetëm për sa kohë që forcat ruse mbesin në vend. Do të jetë një angazhim jashtëzakonisht i gjatë, i përgjakshëm dhe përfundimisht i paqëndrueshëm.

Përparësitë e mëdha të Rusisë në forcën ushtarake konvencionale mund të çojnë në rënien e Kievit, por lufta guerile urbane menjëherë do të pasojë. Rusia nuk mund ta fitojë atë luftë jokonvencionale. Ukrainasit janë të vendosur ta vrasin forcën pushtuese dhe Rusia thjesht nuk i ka numrat e duhur për t’i shtypur ata. Ekspertët mendojnë se Rusisë do t’i duheshin pesë deri në tetë burra për çdo luftëtar gueril ukrainas. Ata thjesht nuk i kanë numrat dhe mund të mos i kenë numrat as për ta rrethuar në mënyrë efektive Kievin.

Për më tepër, kemi mësuar se forcat ruse nuk janë shumë të afta. Janë të trajnuara dobët, të udhëhequr dobët dhe ngurrojnë të luftojnë. Shumë prej tyre janë rekrutë të rinj dhe Putini synon të ketë më shumë nga ta. Ky kombinim i keq, plus rezistenca heroike e Ukrainës, është arsyeja pse strategjia e Putinit për pushtimin e Ukrainës është shndërruar në fiasko.

14.

Si e kërcënuan – saktësisht Polonia, shtetet baltike dhe Ukraina – Rusinë e Putinit? Sepse një mori demokracish të sigurta, paqësore dhe të begata në pragun e Rusisë, ishin qortim i vazhdueshëm për dështimet ekonomike dhe për shtypjen politike të Rusisë. Vetë ekzistenca e tyre e kërcënoi legjitimitetin e diktaturës së Putinit. Ukraina ishte padyshim shteti më i cenueshëm nga këto shtete fqinje, sepse nuk ishte në NATO dhe mund të merrej pa u konfrontuar drejtpërdrejt me ushtrinë amerikane.

Është vështirë të shihet nëse ky konflikt përfundon mirë për Putinin. Ai e vuri një bast të pamatur, duke e vënë në rrezik regjimin e tij (dhe ndoshta jetën e tij) për ta marrë një vend që nuk përbënte asnjë rrezik të menjëhershëm. I llogariti keq kostot e mundshme, jo vetëm në Ukrainë, por në Evropë dhe, me shumë mundësi, në vetë Rusinë. Ka pasur protesta të rëndësishme në Moskë, në Shën Petersburg dhe në qytete tjera të mëdha, pavarësisht nga rreziqet e dukshme për protestuesit. Numri i të arrestuarve po i afrohet shifrës 20 mijë.

Ato protesta do të rriten teksa trupat kthehen në shtëpi dhe ekonomia shembet. Edhe kontrolli më i rreptë mbi mediat nuk mund t’i maskojë realitetet e ashpra. Për ta ruajtur jetën dhe regjimin, Putini duhet të jetë i sigurt se aparati i tij i brendshëm i sigurisë do ta shtypë disidencën. Provuesi i ushqimit të tij ndoshta do të dëshirojë pagesën e plotë para çdo vakti.

Bota duhet të shqetësohet nëse Putini, i mbështetur në një cep dhe pa asgjë për të humbur, e merr për udhërrëfyes historinë biblike të Samsonit dhe përpiqet ta rrëzojë gjithë botën me veten. /Telegrafi/