LAJMI I FUNDIT:

LSI: Vendimi i KQZ për komisionerët, i duhuri

LSI: Vendimi i KQZ për komisionerët, i duhuri

Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i çelur udhë në mënyrë ligjore realizimit të procesit zgjedhor të 8 majit është padyshim veprimi i duhur, është përgjigja ligjore për gjithë veprimtarinë antiligjore dhe në kundërshti edhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të realizuar zgjedhje korrekte- theksoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

Reagimi i kësaj partie, erdhi pasi KQZ-ja shpalli vendet vakante për anëtarë dhe sekretarë në 66 KZAZ-të që ligjërisht i përkisnin Partisë Socialiste dhe PBDNJ-së, çka sipas LSI-së, ky vendim është përgjigja më e mirë për cilindo që synon apo tenton të imponohet për të mos realizuar në kohë zgjedhjet.

“Realizimi i zgjedhjeve të 8 majit nuk është çështje dëshire apo trilli individual. Nuk është çështje e qejfit të një kryetari bashkie apo tjetrit. Është detyrim kushtetues në zbatim të Kushtetutës dhe afateve kushtetuese të mandatit të të zgjedhurve lokalë”, theksoi Luan Rama, duke shtuar se pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, klasa politike duhet të punonte për të kontribuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli të hënën vendet vakante për sekretarë dhe anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. /Telegrafi/