LAJMI I FUNDIT:

Llojet e heshtjes ose kritika që mungon

Llojet e heshtjes ose kritika që mungon
Primo Shllaku

Nga: Primo Shllaku

Mbas krijimit të alfabetit në dhjetëvjetshin e parë të shek. XX ndryshoi nji mendësi themelore e kulturës shqiptare. Forma gojore e produktit letrar ia la vendin ngadalë formës së shkrueme. Pati në atë periudhë nji harlisje të shkrimit me format letrar dhe Gjergj Fishta i besdisun prej morisë së kandidatëve për letrarë, e shkreh ironinë e vet proverbiale kundër “shkrivanave që po na dalin kah nji për kaçubë”.

Stina e dytë e harlisjes së letrarëve fillon ndër ne mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore. Fushata asgjasuese ndaj traditës intelektuale, përveç eleminimit fizik të individëve ma të inicuem, shpalli idenë e krijimit të shpejtë të nji intiligjencie prej hiçit, e cila duke qenë “e shëndoshë” do ta kryente ku e ku ma mirë punën e saj sesa ajo kryepremja që kishte ra në fatkeqësi të plotë.


Në fushën e letrave u thirrën individë pa asnji lidhje me letrat, pa asnji lidhje me artin e letërsisë, madje, për dispjek e poshtnim të inteligjencies së futun në eklips, u gjetën dhe iu ba vend individëve që për asgja nuk mund të kishin lidhje me këtë art. Dhe u dukën në arenën e artit të letrave shoferë e taksixhij, bujq e arsimtarë, mjekë dhe ushtarakë, sidomos ushtarakë para e mbas heqjes së gradave. Vërtetohej ksisoj se epoka e socializmit kishte shlirue energji të mëdha shoqnore, kishte zbulue talente atje ku as që priteshin dhe jeta artistike kishte implikue pjesën ma të madhe të shoqnisë edhe si konsum, por edhe si krijimtari. Kjo “pasuni” shkrivanësh që dikur kishin bezdisë Fishtën sqimatar e mbathkues, nëmos ishin ma të shumtë se kaçubat e vendit tonë, bimësisht të interesuem prej makies mesdhetare,t ë paktën ishin ma agresivë e ma sfidues, kampionë të krijimit e të mbrojtjes së nji letërsie kiç, katërcipërisht e tredhun në ndjesi e në ide. Fishta s’ishte gjallë asokohe për të thanë diçka për ketë racë të re “shkrivanësh” nula e mujsharë njiheri. Për ta do të fliste prej Zvicre dramaturgu i madh, Friedrich Dürrenmatt, tek drama e tij e mirënjoftun “Nji engjëll vjen në Babiloni”, ku lajmi i zbritjes së nji engjëlli prej qielli e ngacmoi kaq tepër qytetin e Babilonisë sa edhe nëpunësit e mykun të shtetit u naltuen shpirtnisht prej ksaj ngjarje, kapën penat në dorë, filluen të vjershëronin, shpesh pa mundë me mshefë hovet e tyne të ndezuna homoseksuale ndaj ktij djaloshi bukuran që kishte zbritë prej qielli.

Kurse sot, në kohën tonë, kjo gjendje ose paraqitet njilloj,ose harlisja ka avancue edhe ma tepër.Dikush, me hamendje, kishte hjedhë idenë se sot tek na ka ma shum shkrimtarë se lexues. Ky zhballancim kryekput irracional i fushës së letrave, ky anormalitet patjetër që e ka shkakun e vet te anormaliteti i zhvillimit tonë në harkun e historisë sonë të re.

Kjo mori e re shkrimtarësh që vazhdon të shfaqet ndër ne prej gati nji shekulli, ksaj radhe, mbas ramjes së diktaturës, mund të spjegohet edhe si reagim ndaj afazisë së imponueme gjatë diktaturës.

Por përherë e ma tepër po konsolidohet ideja e gjanë se nji nder shkaqet organikë të ktij mbipopullimi të limbit letrar tek na asht padyshim mungesa e kritikës dhe vonesa e ardhjes së saj.

Heshtja e moskuptimit

Me hapjen e Shqipnisë gjatë mbas ’90-ës u ça muri i naltë i digës së izolimit dhe vërsheu me fuqi rroposëse fryma e një letërsie europiane e jashtaeuropiane. Vonesa e inkasueme për shkak të represionit diktatorial si dhe radha objektive e stinëzimit letrar mbrenda fushës së letrave shqiptare, krijuen vështirësi të forta në lidhjen dhe ndërlidhjen mes epokave letrare. Por, ma e randësishmja, asht se etja dhe dispozitat e letërsisë sonë për t’u vu më nji hap me botën e rretheqarkut ishte motivi qëndror i gjenerimit të risive.

Dhe erdhën ndër ne zane e talente shpërthyese, ku krahas pamundësisë për t’u disimilue me modelet, produkti i tyne letrar shprehte pa asnjifarë dyshimi origjinalitet dhe autenticitet. Ky virtyt i munguem i letrave shqipe, pra origjinaliteti dhe autenticiteti, nuk mund të kishte shtatin e produktit të mirëfilltë të zhvillimit, për faktin dramatik se izolimi i diktaturës kishte traumatizue jo vetëm krijuesit por edhe horizontin e pritjes, ose, thanë ndryshe, lexuesin shqiptar që nuk kishte mundë të rritet ma shum se bukolik, melodramatik dhe amator i nji letërsie me theksim të njilloj patriotizmi nostalgues.

E keqja nuk asht se lexuesi mesatar shqiptar i mbas “90-ës nuk mund të futej në kodet e ksaj letërsie të re që formonte prag me nivelet e së maparshmes. Por te ky prag merrte në thue dhe pengohej jo vetëm mesatarja e lexuesve, por edhe nji pjesë nuk di se sa e madhe e letrarëve tashma të pjekun e me listë vllimesh në aktivin e tyne, pedagogët, kritikët dhe KRITIKËT, estetët dhe studiuesit. Pothuejse asnji prej tyne nuk përshëndeti ardhjen e ksaj prumje plot risi e morrnica, që u përvesh me rrëzue ligjet e letërsisë paraardhëse si dhe infiltrimet morale që kishin hy pa vend e grat mbrenda shkrimtarisë sonë. Me nji fjalë bota shqiptare ishte e papërgatitun për të pritë e për të asimilue këtë produkt organik të stinës historike që përjetonim. Ketë herë ajo u zu gafil dhe heshtja e saj e atëhershme dhe e sotme ndaj ktij produkti dhe ndaj ktyne autorëve dëshmonte në mënyrë të bujshme paaftësinë dhe mbetjen e saj mbrapa në rrjedhat letrare të bashkëkohësisë, si dhe indoktrinimin e tyne të ngurtë për të detektue vetëm nji lloj kantilene dhe monotonie. Pra, me nji fjalë të vetme, kta autorë dhe kta shkrime u linden e ranë në tokë në mënyrën ma të pahirshme, jashtë “maternitetit”, pa “mami”, varfanjakë e të ndritshëm si foshnja në grazhdin e Betlehemit. Establishmenti i kritikëve e letrarëve të selitun e të rritun në kohën e diktaturës heshti me shum dinjitet, sepse duhet shum dinjitet për të mshefë paaftësinë dhe zanien tande gafil. Dhe kjo ndodhi mbrenda të gjitha përmasave të decentes. Ata nuk mund të flisnin, sepse nuk dinin çfarë me thanë. E keqja asht se ata e shitën këtë heshtje për dinjitarizëm të nji kompetence eprore që, për arsye të seriozitetit dhe të integritetit profesional, e mbante të drejtën e rezervës. Prap më duhet të theksoj se zania gafil e dikujt përpara risisë, nuk përban mëkat për ata që e pësojnë befasimin. Deri ktu na jemi mbrenda normalitetit, ose, ma mirë me thanë, mbrenda anormalitetit të kërkuem e të dëshiruem prej të gjithë nesh në kohë kapërcejsh historikë. Dukunitë e reja, përpos se kanë zanë gafil kritikën dhe ndjeshmënitë artistike të të gjitha kohnave, por shpesh kanë zanë gafil edhe vetë autorët, kaq zadhanës të pavetdijshëm ishin ndaj përmasave të binomit të tyne refuzim-propozim estetik.

Ky qe edhe kontakti i parë me dëshprimin kulturor i aradhës së re të krijuesve në demokraci. Nëse diktatura nuk do t’i linte të lindeshin, demokracia postdiktatoriale nuk do t’i lênte me u rritë. Hapi ishte kolosal. Ata kishin dalë nga mosqenia në qenie dhe lufta tash e mbrapa do të bahej për eksiztencën.

Sidoqoftë kjo heshtje ishte e pafajshme, heshtje me burim mosditjen, pra, injorancën në kuptimin e saj të parmë. Rezerva e tyne ishte shkaku i mungesës së entuziazmit para sendit të ri e të shumpritun në letrat tona. Por kur ky qëndrim u zgjat, atëherë mbeteshin dy rrugë: ose të mbanin pozicionin tue injorue kto foshnje të ndritshme të bashkëkohësisë ma të nxehtë, ose të ngriheshin e të iknin e t’ua lenin përgjegjësinë të tjerëve që mund të ndërtonin nji raport ma ndërveprues. Por kjo nuk do të ndodhte sepse heshtja e moskuptimit do të zhvillohej tek …

Heshtja e mosnjoftjes

Tue pasë në dorë mjetet e establishmentit dhe tue qenë pjesë e tij qysh në kohën e diktaturës, na trashiguem nji elitë zyrtare kulturore me formim marksist-leninist, besnike ndaj parimesh dhe e trembun ndaj ndryshimesh. Pak a shum kto subjekte ndodhen ende sot në krye të ktyne punëve dhe, me përjashtim të veprës së rotacionit natyral të brezit, infiltrimet e të “rijve” (në moshë apo ide) janë krye me teknologji farmaceutike.

Përmbysja e madhe dhe proporcionale në lamin e kulturës sonë nuk ka ardhë ende. Ajo që ka ndodhë me politikën dhe ekonominë shqiptare, në kulturë sa ka futë vetëm majën e kambës. Dhe kjo jo se sferat e kulturës nuk janë homogjene me dy të sipërpërmendunat, por sepse në kulturë nuk kanë ndërhy dhe s’kanë se si ndërhyjnë ndërkombtarët. Në fushën e kulturës jemi vetëm, vetëm me veten tonë ma të mirë e ma të keqe, vetëm me veten tonë ma të vjetrueme e ma të njomë, vetëm me veten tonë që ka leverdi me e kthye fletën dhe me veten tonë që nuk ka leverdi me e kthye fletën. Po të pranonim këshillën e Nitsche-s që thonte se e vetmja fushë ku gjakderdhja asht e moralshme, asht fusha e mendimit (kupto:fusha e kritikës), ne nuk na mbetet tjetër veç, ma në fund, ta sjellim pluralizmin edhe në fushën e kulturës dhe rotacioni i brezave të ndodhë në nivel idesh dhe jo në atë biologjik. E di se asht shum delikate të trazohet kujtimi i të shuemit Dh.Xhuvani, por meqë nekrologjinë nuk ia shkruen njeriu vetes, asht rasti të hyjmë në mendësinë e vlerësimit të nji shkrimtari që ndrron jetë. U tha për të shuemin me shum pompë se ishte autori i 50 librave, a thue se po të flitej për të vetëm si autori i Tunelit, Xhuvanit do t’i ulej pahu dhe do t’i haheshin vlerat. Asht absolutisht e vërtetë se ai ka botue 50 libra, por asht po aq absolutisht e vërtetë se përveç romanit Tuneli, i cili qe nji sprovë e vetvetishme drejt nji realizmi ma agresiv dhe aspak nji dalje prej të ashtuquejtunit realizëm socialist, estetikisht autori asht në nji linjë me diktaturën dhe politikat e saj korrente të asaj kohe. Ky roman i ban nder të madh autorit përsa nënvizon të shëmtuemen si pjesë të jetës e jetën si prodhuese të së shëmtuemes. Ngjarjet e mavonshme me autorin në qendër i japin biografi librit dhe autorit që pagoi jo lirë nji variant të tijin estetik të së vërtetës. Por librat e mavonshëm si puna e Përsëri në këmbë që ishte nji variant i maskuem keq i Si u kalit çeliku nuk mund të quhet as propozim i ri estetik, as edhe nuk përban nji eveniment për CV-në krijuese të autorit.

Kultura pluraliste i shndrron sistemet e referencës nga sisteme të mbylluna në sisteme të hapuna, nga vlerësime epokale në vlerësime të gjithkohshme.Vetëm ajo sjell metrin e universales dhe e shtyn frikshëm vijën e horizontit aksiologjik dhe na që merremi me shkrime, e kemi përherë e ma të vështirë me lshue hije mbi ketë tokë.

Nuk kam as pikën ma të vogël të dyshimit se, të paktën në vjetët ’60, në lamin e letrave shqipe u angazhuen individë me aftësi e veti të çmueshme për letërsi, talente (këtë fjalë më duhet ta përdor për forcë të zakonit, sepse ajo nuk gjindet ma në asnji manual të estetikës) e potenciale që mund të mahnitnin me shtjellime e tirada rreth materies letrare. Por ata, për shkak të nji trolli të ngurtë kultural dhe të nji nomadësie të lodhshme kolektive që ruenin në kujtesën e tyne familjare, mezi ç’prisnin me hy në nji sistem, me i përkitë nji sistemi. Dhe sistemi ishte i gatshëm, i gatshëm me ofrue dhe i etshëm me lypë. Ktu lindi martesa e pafat e tyne me sistemin, e pafat se ishte e destinueme me zgjatë përfare, pa divorc, pa alternativë. Hymja në këtë sistem rezultoi shum shpejt si dorëzim i intimitetit, si dorëzim i identitetit të thellë e i individualitetit. Dhe ky dorëzim do të përkonte fatalisht me rininë e tyne, e marrë kjo si stinë optimale e krijimit dhe e realizimeve. Sistemi realizonte unitetin përmes përlyemjes së individit dhe përdhosjes së talentit si nji rrugë me sens unik, e pakthyeshme dhe e parikuperueshme.Vetëm kshtu mund të spjegohet vullkanizmi qaraman ose inversi i tij, qaramanizmi vullkanik i Frederik Reshpes, që kishte mbetë në mes të rrugës, as te hapi, as te hupi, as te bregu, as te deti, para nji pleqnie të zymtë dhe nji rinie të pajetueme, me nji grusht vjershash që ia kishin asgjasue zamanin e krijimtarisë për nji çeshtje pa substancë. Por ai të paktën e kuptoi këtë dhe poezitë e tij të fundit ishin nji përpjekje e dëshprueme për me rikuperue të pariparueshmen e, ashtu si te përralla shqiptare ku marsi i merrte hua prillit tri ditët kritike të ngurosjes së plakës, ai, Frederiku i shuem, i mori hua rinisë kohën e hjedhjes së nji klithme që për të ishte sprova e vetme për me shkrue ashtu siç ai mendonte se duhet të bante. Dhe kjo do të mbahet mend si klithmë e jo si poezi. Dhimbja për veten mbas aq kohe të injorimit të saj, nuk mund të kthehej ma në landë të poezisë, por rastësisht e fatmirësisht vetëm në tingëllim e prozodi të saj. Dhe mbyllej, kshtu, tragjedia personale e nji njeriu që e kishte shpërnjoftë veten, tue ndjekë nji hyll kallp. Ky zgjim në sekondën e fundit mund t’i vlejë Reshpes sa nji hymje në panteon.

Kta letrarë që përmenda ma sipër e për të cilët jam i sigurtë se ishin dhe mund të baheshin diçka tjetër, për arsye të atij formimi dhe të asaj kulture që përcakton zgjedhjet bazale të jetës dhe të karrierës, e kishin zgjedhë artin si shkallë për t’u faktorizue dhe dalë nga anonimati që u rezervonte origjina. Në kushtet e kritikës së mungueme, kta novicë nuk mund të seleksionoheshin në sitat e meritokracisë, por vetëm në lidhjet me qarqet ose pranëqarqet politike të kohës. Me siguri ata nuk e dinin se kushti i parë i artit ishte kapërcimi i vetvetes.Vetveten ata e kishin lëshue në favor të nji identiteti kolektiv që mbante elementë të anëtarit të partisë, njeriut të thjeshtë të panxanë të popullit ose edhe të qytetarit që nuk e eksitojnë të vërtetat që ai mund të zbulojë. Ata nuk e kishin zgjedhë artin ose, konkretisht, letërsinë si fat të vështirë. Po përmendi Ovidin që e ngrysi jetën në internim dhe kurr nuk u ndie hero, Gauguin-in që braktisi Parisin dhe shkoi e jetoi mes kasolleve prej balte në Taiti dhe s’u ndie kurr hero; Fishtën, frat françeskan, meshtar e vjershtar i kultit marian, që nuk do të ngurrojë me ju drejtue Zotit me fjalët lapidare “O Zot,a ndjeve/ trathtarët na lanë pa atdhe/e ti shkon e gjuen me rrfe/lisat n’per male kot. Mos ta harrojmë Migjenin që u shkri në dhimbjen e pafund të nji celibati të pashpresë e të nji refuzimi seksual, për t’u realizue tanësisht te vargjet e tij dy herë të lira. Dhe s’u ndie as hero, as dëshmor.

Askush nuk mund të kërkojë prej askujt heroin, dëshmorin, trimin. Por njeriun mund ta kërkojmë simbas traditës greke me Diogjenin që kërkonte me llampë njeriun nëpër rrugët e qytetit ditën për diell. Por ajo që kërkojnë artistët asht ma fort njerëzorja se njeriu. E kur ajo që kërkojmë me artin nuk asht njerëzorja, por fabrikimi i nji situate me njerëz simbas nji ideje a priori, ky art nuk mbrrin me u ba humanizëm. Në këtë hendek bie dhe thyen qafën pa asnji shans shpëtimi falanga e pamatë e produktit letrar të letërsisë funksionale e bashkë me të të gjithë ata që nuk kishin pasë rast me hetue thellë qenies së tyne substancën hyjnore të vetvetes. Ata e kishin çue jetën gabim, kishin jetue gabim, kishin çue dam zamanin e hovit optimal të jetës krijimtare. Sot ata ndodhen të mbërthyem në danat e nji problemi të kulluet ekzistencial, mbrenda llojit të tyne të dëshprimit kulturor, në të cilin asnjeni nuk mund ta blejë të kaluemen, jo si diçka që i akuzon, por për të ba nji zgjedhje tjetër lidhë me artin e tyne.

Ky mund të jetë edhe shkaku që shkrimtarë të prononcuem dhe të ekspozuem si skuadra zyrtare e një letërsie zyrtare kanë pasë dhe kanë nji qëndrim shum kompakt gjatë gjithë kohës së mbasramjes së regjimit. Shkaku i ksaj kompaktësie nuk asht e nuk mund të jetë solidariteti trejdunionist i degës, por dhimbja e madhe para dëshprimit kur shef se ke humbë mundin. Latinët kanë pasë nji shprehje tipike për të shprehë kulmin e dhimbjes: operam et oleum perdidi (humba veprën dhe vojin).

Sa do të kisha pasë dëshirë që letrarët shqiptarë të njifnin e përshëndetnin njeni tjetrit mbas ramjes së regjimit dhe mes tyne të kthehej kolegjialiteti i vërtetë që buron nga fakti i qenies bashkëkohës. Sa mirë do të ishte që Kadareja, psh,të përshndeste ardhjen e Martin Camajt në shtëpinë e vet mbaj nji black-out-i 30-vjeçar. Në masë të madhe kjo njoftje nuk erdhi. Kadareja do të përgjigjej thatë e shkurt se “nuk do të thotë ndonjë gjë që nuk e kam përshëndetur Martin Camajn. S’jam i detyruar pa tjetër që ta përshëndes.”

Të gjitha kto janë të vërteta dhe ma se të vërteta. Askush nuk asht i detyruem të përshëndesë kolegun e vet, edhe atëherë kur ai vjen prej hijes dhe del prej zonash gri me shkëlqimin e fenomenit dhe me bumin e së panjoftunës që të çudit. Kam shum frikë se ky ceremonial njerëzor nuk mund të ndodhte, aq ma pak prej anës së shkrimtarëve zyrtarë, sepse shkrimtarët kishin nji hall të madh. Kishin humbë veprën edhe vojin. E kjo s’ishte pak. Kjo ishte nji tragjedi e vërtetë. Të humbësh mundin e jetës. Atëherë a mund të rishkruhej edhe njiherë ajo vepër, të tërhiqej si me magji prej bibliotekave të publikut dhe të shkruhej ndryshe? E pamundun. E si të shkruhej? Ku të gjendej energjia për ta rishkrue nji libër që ishte i nisun gabim, i zhvilluem gabim e i mbyllun gabim. Atëherë duhej gjetë nji ekspedient tjetër, nji ekspedient i mundshëm dhe i realizueshëm: reinterpretimi i veprave dhe mballosja e tyne me përmbajtje të reja e me kinse aluzione që shpesh në gojën e tyne tingëllojnë deri qesharake.

Nëse nuk ndjehemi aspak përgjegjës për mënyrën sesi e çuan dam rininë e tyne, mundin e tyne krijues, andrrat për të qenë të parët përmes krijimit të nji letërsie me vlera mbetëse, talentin e përkushtimin e tyne ndaj letërsisë. Por përkulemi me interes mbi dhimbjen e tyne të pangushllueshme. Sa me dobi do të ishte që ta pranonin këtë, të shkruenin për të e të kishim nji dëshmi në vetë të parë të ksaj drame që do t’u siguronte me siguri nji herë të vetme kapërcimin e vetvetes. Nuk do të uroja që dikush të jetonte pjesën tjetër të jetës së vet në morgun e veprave të veta të vdekuna. Nuk do t’i uroja askujt që t’i vdisnin veprat para se të vdiste ai vetë.

Për nji ligj universal e të lashtë sa vetë njeriu, të vdekunit nuk mbahen në shtëpi, por duhen vorrosë. Mjerisht në lamin e letrave shqipe sot ka shum gërmadha dhe shum drita të ndezuna mbi kto gërmadha jo aq për t’i ndriçue si të tilla, por për t’u dhanë sadopak nji jetëzgjatje për shkak të funksionit sublim të dritës.

E kshtu, pra, kemi humbë çdo shpresë se mund të mendohet që kta kolegë, bij e baballarë të letrave, që kanë kaq tepër halle mbi kokë, që e kanë kaq të idhtë qiellzën qysh prej çastit të ndërgjegjësimit të tyne për humbjen e juveniljes, t’u qasen ktyne krijimeve të reja e të gëzohen për to e të kënaqen me to. Ato janë kthye në makina që të bombardojnë me heshtje, me heshtjen e zisë së tyne, me heshtjen e marazit që, dikur, kishin ba nji zgjedhje të gabueme dhe e kishin jetue gabim jetën e tyne krijimtare, se kishin vrapue mbas sirenash dhe u kishin sjellë shpinën muzave e kshtu me radhë…Nji requiem për ta.Heshtja e tyne asht krejt e pafaj…

Heshtja e mospëlqimit

Kam sigurinë se në tanë këtë mori intelektualësh që lexojnë, përkthejnë, komentojnë janë disa që e kuptojnë produktin e ri të kohës së re. Ata që erdhën pa pyetë njeri, pa lejën e askujt deri në qendrën e ndjeshmënisë bashkëkohore, që sollën modestisht ofertën e tyne të sinqertë me shijen dhe aromën e kohës, por edhe të kohnave, ndihen pa kohë, pa tokë nën kambë, pa miq e shokë, pa mecenat, paguejnë me të hollat e tyne botimet, askush s’i thrret, bajnë ca festa të vogla me pak njerëz e kurr nuk bahen dhjetë. Recitojnë, lexojnë dhe zhyten në biseda të pafund a thue se, pikërisht kur bisedojnë gjatë, koha ndalon dhe ata kanë mundësi edhe me gabue.

Ka gjithmonë në fushën e artit nji arsye të mirë për mos me dashtë nji vepër ose nji autor. Dhe kjo arsye e mirë asht thjesht se ai libër ose autor nuk na pëlqen. Në art pëlqimi konstituohet si ma e forta arsye e botës. Dhe na themi: ky autor, sado i famshëm, sado i njoftun, sado çmime të ketë marrë, nuk më pëlqen. Dhe preferojmë ta kalojmë nën heshtje. Kjo asht nji heshtje diskrete, delikate, nji pozicion xhentil ku heshtja rivendikon sinoniminë me respektin formal njerëzor.Të ardhunit e rij në fushën e artit duhet të bajnë llogaritë e tyne edhe me këtë lloj heshtje, e cila nuk asht as fajtore, as e pafajshme. Ajo buron prej mospëlqimit, prej mungesës së shfaqjes së harmonikave mes subjektit lexues dhe realiteteve estetike të veprës. Kjo kategori njerëzish, pra ajo që nuk përfshihet estetikisht në kontakt me nji vepër, shpesh herë asht dhunue prej insistimit për të pranue disa vlera letrare atje ku ato për dikë kanë qenë të pandieshme deri në inekzistente. Opinionet letrare, të krijueme gjatë diktaturës dhe që kanë vazhdue gati të paprekuna në epigonizëm dhe argumentologji deri në ditët e sotme, janë përpjekë t’u imponohen lexuesve të të gjithë kalibrave përmes argumentash jo aq fort analitikë, sesa promovimit me metoda reklame dhe tifozllëku. Shpesh thuhet se nji autor asht i mirë, sepse ai botohet jashtë dhe çmohet atje. Kjo asht puro reklamë, reklamë e hjedhun mbi nji lexues të prezumuem si ksenoman. Ku asht analiza? Ku asht varianti analitik i nji kritiku mbi at libër? A jemi na kaq foshnjorë sa nuk mund të shofim sendet tona, pa na i pasë vu ma parë syzet mrekullbamëse të të huejve? Kto pyetje duen përgjigje dhe janë shum serioze. Ato nuk mund të kënaqen vetëm me nji “po” ose nji “jo”.

Të gjitha kta realitete që burimin e kanë te mungesa e kritikës, kanë ndihmue të krijohet nji klasifikim piramidal në fushë të letërsisë. Piramidaliteti hierarkik në arte ka edhe nji shkak tjetër serioz, efekti i të cilit nuk asht shue ende. Fryma hegjemoniste dhe hierarkitë marramendësisht vertikale të aparatit shtetnor e politik të diktaturës kanë riprodhue deri diku veten edhe në klasifikimet hierarkike të botës së shkrimtarëve. Ja dhe nji arsye ma tepër për ta sjellë pluralizmin në fushën e kulturës. Konceptimi i hierarkive në formë piramidale asht autokratik dhe teokratik, nuk mban parasysh dhe paralizon mundësinë e lëvizjes, respekton vetëm autoritetin, beson në teoritë mbi fundin e historisë. Piramidaliteti përjashton marrdhanien njerëzore mes krijuesve, dekurajon filizat dhe sythat e majës, paralizon e ngadalëson zhvillimet, krijon rrumpallë e konfuzion në fushën e prodhimit artistik, shkapërderdh vemendjen dhe i shërben kalcifikimit dhe sklerotizimit të establishmentit kulturor.

Skema e re dhe konfiguracioni i ri i klasifikimeve, i mbështetun edhe zyrtarisht, duhet të ishte skema e “pyllit letrar”, ku secili autor ka trollin e vet ku rri në kambë, ka hapsinën e vet të frymëmarrjes dhe volumin e vet të qenies. Simbas ksaj skeme ka vend për të gjithë, edhe për lisa, edhe për shkurre, edhe për “bimë të nënpyllit”. Të gjitha kta mbështeten dhe nisen prej të njajtit terren, që asht tabani i kulturës kombtare dhe simbas aftësive realizojnë volumin dhe naltësinë e tyne individuale. Por secili mbin mbi tokën e vet dhe pesha ose mungesa e peshës së tij nuk randon mbi kokën, kohën a jetën e nji tjetri. Krijuesit kanë nevojë për vemendje e kujdes, inkurajim e kritikë të fortë, deri në asgjasuese. Artistat tanë deri tash janë rritë jo përmes luftës për ekzistencë mbrenda llojit të vet, por si benjaminë politikë e si muza shtetnore, me të gjitha të këqijat e të mirat që rezultoi se ka kjo praktikë.

Kritika në art e në letërsi simulon intelektualisht luftën për ekzistencë mbrenda llojit. Në natyrë qeniet pa rival destinohen me u ba përbindsha, kurse në shoqni diktatorë. Kritika në nji farë mënyre realizon dhe dozon rivalitetin në jetën kulturore. Mungesa e kritikës kultivon skemat piramidale të hierarkisë ku kambët e të sipërmit shtypin kokën e ma të ultit, ku peshën e kulmit e mban dhe e paguen radha e bazës. Na jemi ilustrim klasik i ksaj të vërtete.

Shkrimtarët kandidatë për afirmim duhet ta kërkojnë kritikën dhe, kur ajo të vijë, duhet ta durojnë kritikën. Ata duhet të jenë të përgatitun edhe për kritika dashakeqëse, edhe për mllefe, edhe për kritika mohuese, edhe për kritika jokompetente. Gjithçka duhet të dalë sheshit e të ndezet debati. Sendet nuk duhet të kalojnë ma në heshtje. Heshtja asht edhe flori, por asht edhe vdekje. Dy llojet e para që u spjeguen ma sipër, simulonin vdekjen dhe moslëvizjen.

Le të hŷjmë pak në analizën e së drejtës për kritikë

Shkrimi yt, i dashun shkrimtar, asht i yti derisa ti nuk e jep për botim dhe ai nuk faqoset e bahet nji send me fletë e shkronja shtypi që quhet libër. Kur ti e nxjerr nga vetja dhe e blaton te vemendja ime dhe, për ma tepër, kur nuk ke pasë rastin të ma dhurosh, por unë e blej me paret e mia të dashuna e shtrejta, ky libër me gjithë ç’ka mbrendë asht edhe imi, fort i imi. Unë ulem ta lexoj gjithnji me shpresën se ti do të më çosh drejt botësh fantastike e unë do të lundroj pak me fantazinë time e shum me fantazinë tande drejt realitetesh magjike që më gllabrojnë. Në qoftë se kjo ndodh, unë kam me të lexue edhe nji herë tjetër e kam me të rekomandue edhe ndër të tjerë, sepse ti e ke fitue betejën e reklamës, si edhe atë të rileximit. Por, po nuk më pëlqeve, pse duhet me ta mbajtë zinë, pse duhet të turpnohem unë që je ti që më ke prishë shijet dhe ma ke vjedhë pa bereqet kohën time. Këtë libër të keq unë mund ta var ku të due dhe mund ta gris fletësh për çfarëdo qëllimi që të më vijë për mbarë. Këtë libër e kam ble dhe asht malli im, asht prona ime. Ti nuk je imi e me ty nuk kam punë. Po të dija me shkrue, mund të rreshtoja kundër teje fjalë të idhta ose djegëse që ti të mos guxosh ma me prekë penë me dorë.

Dhe kshtu mund të fillojë kritika, të dalë nji ose disa të krisun që, tue pasë qejf me ndejë për kafe me ne, nuk do të kenë qejf me durue neverinë ose digustin që i shkaktojnë librat tanë. Mediokriteti e urren kritikën. Ai lakmon lëmashkun e gjolit dhe dremitjen nën çfarëdolloj dielli. Shkrimtarët e mirë të përgatiten me përballue edhe kritikën nihiliste, sepse heshtja asht mosqenie e nuk përballohet.

Tue perifrazue nji lutje të krishtenë që thotë “ardhtë mbretnia jote, u baftë vullneti yt”, po i lutemi kritikës që të vijë mbretnia e saj dhe njimend u baftë vullneti i saj.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori