LAJMI I FUNDIT:

Llamkosi marshon sigurt

Llamkosi marshon sigurt

Llamkos Kosova është djersitur mirë për të marrë pikët e reja dhe për të ruajtur lidershipin në Superligën e Kosovës. Ekipi vushtrrias vetëm falë golit të vonshëm ia ka dalë të mposhtë në terren të Besën me rezultat 2:1, në kuadër të javës së 15-të.

Vendasit kanë dominuar në gjithë pjesën e parë të takimit duke krijuar një mori rastesh, por që nuk arritën t’i realizojnë, si ato të Shalës (26’) e Rashicës (33’). Llamkosi edhe në vazhdim sulmoi në kërkim të golit, por kësaj radhe e arriti shpejt atë.

Pas sulmeve të pareshtura dyshja e rezervistëve solli epërsinë e ekipit vushtrrias. Zejnullahu i depërtoi nga krahu i djathtë dhe harkoi në zonë, e Emini u gjend në pozitë të mirë dhe me lehtësi me goditje me kokë përplasi topin në rrjetën e Bytyqit 1:0.

“Besa e ka një skuadër shumë të fortë, prandaj kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë, i cili është konsoliduar mirë pas fillimit të dobët të sezonit. Me rëndësi është që fituam dhe vazhduam formën e mirë”, tha trajneri i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi.


E skuadrës mysafire, e cila përveç lojës së mbyllur, nuk e rrezikoi asnjëherë portën vendase, iu shtua edhe një problem. Këmbëshpejti Semir Zeneli, në një aksion vetjak në minutën e ‘67 i la mbrapa dy mbrojtës pejanë dhe kur ishte pranë konkretizimit Zhara e ndali atë duke e kapur për fanelle, për çka arbitri Tahiri me plot të drejtë e ndëshkoi drejtpërdrejt me kartonë të kuq.

E kur vendasit kishin dominim të plotë dhe pritej edhe thellimi i epërsisë, një dush i ftohtë ishte goli i Egzon Gashit në minutën 79’ nga rivënia nga këndi, kur e gjithë skuadra vendase u gjend e “fjetur”.

Por në çastet e fundit, vetëm një minutë para përfundimit të takimit Llamkosi arriti ta gjejë golin e fitores. Zejnullahu harkoi nga rivënia nga këndi, e në një rrëmujë para portës së Bytyqit, më së miri u gjend Labinot Osmani, i cili vendosi topin në rrjetë 2:1. “Kishim rast të marrim një pikë, por Llamkosi pak falë fatit, por edhe pak lojës më të mirë, e fitoi takimin”, tha trajneri i Besës, Miftar Rama. /Zëri/Telegrafi/