LAJMI I FUNDIT:

Llamkosi, kandidat serioz për titull.

Llamkosi, kandidat serioz për titull.

Llamkos Kosova është duke shfaqur formë të jashtëzakonshme në Superligë, me çka as rezultatet nuk po i mungojnë. Kjo i shtyn njohësit e futbollit kosovar ta fusin ekipin vushtrrias në mesin e kandidatëve seriozë për titull të kampionit. Ata i vlerësojnë lart edhe Hysin e Ferizajn, që i kanë befasuar të gjithë për të mirë në nëntë xhirot e para.

Llamkos Kosova po kalon momente fantastike këtë sezon. Skuadra bardh e kaltër është komponuar mjaft mirë dhe po arrin rezultate solide.

Nën drejtimin e trajnerit Ismet Munishi, vushtrriasit kanë regjistruar 5 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje, duke i lënë prapa favoritët për titull që konsideroheshin para fillimit të sezonit, Prishtinën dhe Trepçën ’89.

Njohësit e futbollit kosovar konsiderojnë se Llamkosi do të jetë një pretendent serioz për titull të kampionit, duke u bazuar në organizimin e klubit dhe në cilësinë e ekipit.


“Llamkosi ka një ekip mjaft cilësor dhe e ka gërshetuar eksperiencën me të rinjtë. Ka një përbërje shumë të mirë dhe ka arritur rezultate adekuate. Këtë ekip e shoh si njërin prej 4-5 favoritëve për titull këtë edicion”, deklaroi për Express trajneri Ajet Shosholli.

Ai e ka lavdëruar edhe Hysin dhe Ferizajin, të cilët i fut në luftë për titull, krahas Prishtinës dhe Trepçës ’89.

Edhe trajneri Hysni Maxhuni pret shumë nga skuadra vushtrriase, e cila sezonin e kaluar ia doli të shpëtojë pa rënë në Ligën e Parë vetëm në xhirot e fundit të kampionatit.

“Llamkosi ka një organizim të mirë, në aspektin material janë bukur mirë dhe i kryejnë obligime me kohë. Kjo është mjaft e rëëndësishme. Kjo skuadër po ka suksese, pasi është përforcuar me disa lojtarë, ka krijuar stabilitet dhe e shoh deri në fund të sezonit në pjesën lartë tabelës”, theksoi ish trajneri i Hysit.

Sa i përket Hysit, i cili po e bën mrekullinë në nëntë xhirot e para, Maxhuni thotë se skuadra nga Merdara mund të grumbullojë shumë pikë në vjeshtë, ndërsa pret rënie të kësaj skuadre, pasi thotë se nuk e ka bankën e fortë.

E nga Ferizaj pret që ta përfundojë sezonin në njërin nga pesë vendet e para, pasi mendon se ky klub është ambicioz, ka donatorë që janë prapa klubit dhe se ka një trajner shumë të mirë (Bylbyl Sokolin).

Sigurisht, ky është vetëm fillimi i sezonit, pasi deri në fund ka mbetur edhe shumë për t’u luajtur. Por, nëse vazhdon me këtë ritëm të ekipit të pandalshëm, në fund të sezonit qyteti i Vushtrrisë mund ta festojë titullin e parë të kampionit. /Express/Telegrafi/