LAJMI I FUNDIT:

“Llamkos Kosova ka potencial ta mbajë kreun”

“Llamkos Kosova ka potencial ta mbajë kreun”

Mesfushori i Llamkos Kosovës, Faruk Statovci, ka deklaruar se është i kënaqur me rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës së tij në këtë sezon të garave.

Vushtrriasit kryesojnë renditjen tabelore me 27 pikë, katër më shumë se Hysi. Statovci thotë se ndihet i kënaqur që skuadra e tij gjendet në krye të tabelës. Ai dhe klubi i tij i ka pritur këto rezultatet, sepse sipas tij, Llamkos Kosova ka skuadër cilësore.

Sigurisht se jemi të kënaqur me rezultatet e arritura, sepse gjendemi në krye të tabelës, ndoshta kemi mundur të kemi edhe më shumë pikë. Unë them më përgjegjësi të plot se të gjithë në klub i kemi pritur këto rezultatet, sepse jemi të vetëdijshëm se kemi potencial dhe kualitet në skuadrën tonë, ka thënë Statovci për KosovaPress.

Unë mendoj se kemi skuadër që të jemi në krye të tabelës edhe pse ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar, tha ai.


Llamkos Kosova në ndeshjen e ardhshme i pret sfida me Drenicën, kjo e fundit nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit.

Ish futbollisti i disa skuadrave elitar të vendit tonë, mendon se dueli me Drenicën do të jetë një ndeshje e vështirë. Ai e respekton kundërshtarin, por thotë se Llamkos Kosova edhe në këtë ndeshje do të hyjë për fitore.

Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, pasi që Drenica është në një formë mjaft të mirë. Çdo respekt për kundërshtarin, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje. Ne edhe në këtë ndeshje opsion të vetëm kemi fitoren dhe besoj se në Skenderaj do të arrijë fitoren e radhës, ka theksuar Statovci.

Ai ka shtuar se Llamkos Kosova përveç përballjes me Drenicën, do të vazhdojë me rezultatet pozitive edhe në ndeshjet tjera. /Kosovapress/Telegrafi/