LAJMI I FUNDIT:

I liruar tri herë nga Gjykata themelore, për të katërtën herë deklarohet i pafajshëm i akuzuari për terrorizëm

I liruar tri herë nga Gjykata themelore, për të katërtën herë deklarohet i pafajshëm i akuzuari për terrorizëm

Leunis Frangu, i cili tre herë ishte liruar nga akuzat për terrorizëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i cili rast vazhdimisht është kthyer në rigjykim nga Apeli, për herë të katërt të martën në seancën gjyqësore është deklaruar i pafajshëm.

Frangu po akuzohet se më 3 nëntor 2014, përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, e prej aty kishte kaluar në Siri për t’iu bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”.

Pasi aktakuza është konstatuar e lexuar me propozim të avokatit Armend Shkoza,  i akuzuari sërish është deklaruar i pafajshëm, e më pas është vazhduar me fjalën hyrëse të palëve.


Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Atdhe Dema, deklaroi se ngelet në tërësi pranë fjalëve hyrëse nga shqyrtimet paraprake, duke shtuar se gjykata para vetes ka një aktakuzë, e cila ka përshkrimin e plotë faktik. Sipas tij, aktakuza është në pajtim me të gjitha faktet dhe rrethanat që e përbëjnë veprën penale.

Ai ka pretenduar se kjo aktakuzë ka gjetur dhe gjen mbështetje të fuqishme në provat e propozuara në momentin e ngritjes së aktakuzës dhe ato të cilat janë prezantuar gjatë fazave të shqyrtimit apo vendimmarrjes nga Gjykata Themelore apo e Apelit.

“Të gjitha këto prova që janë propozuar dhe do të propozohen janë të mbështetura fuqishëm në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, pra flitet për prova të përshtatshme dhe parashikuara me këto dispozita adekuate”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, aktakuza po ashtu vërteton vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, si dhe me të vërtetohet edhe elementi subjektiv i veprës penale.

“Jam i bindur se pretendimet që janë paraqitur te ju me dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale do të vërtetohen dhe kjo gjykatë pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor do të shqiptoj dënimin e merituar konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Dema.

Në anën tjetër, avokati Shkoza, konsideron se organi i akuzës ka dështuar që të vërtetoj ekzistimin përtej dyshimit të bazuar mirë e që kjo është vërtetuar në gjykimet e kaluara.

“Qoftë përmes kontraditës së shprehur nga dëgjimi i dëshmitarit i cili është kualifikuar me anonimitet e po ashtu kontraditat e kësaj dëshmie në raport me deklaratën e lexuar të ashtuquajturit dëshmitar, Blerim Syla, për të cilin mbrojtjes nuk i është mundësuar asnjëherë që ta kundërshtoj deklaratën e tij”, ka thënë ai.

Sipas tij, një pamundësi e tillë e cenon parimin e barazisë të armëve në procedurë.

“Ajo çka konsideroj se është e nevojshme të vihet në thes në këtë fjalë hyrëse ndonëse unë si mbrojtës në këtë procedurë, vetëm sot kam pranuar shkresën respektivisht raportin i cili përmendet në aktvendimin e Apelit që në një nga arsyet është përfshirë si arsye që kjo çështje të rigjykohet për të katërtën herë”, tha tutje Shkova.

Ai ka thënë se është për çudi se ndonëse  ka një provë të re, e që prokuroria e ka pasur me kohë në dispozicion, ndërkaq si mbrojtje sot u ballafaquan me një provë të tillë, e shohin që organi i akuzës nuk ishte në gjendje që ta elaborojë provën e tillë.

“Aq më shumë në një seancë të rigjykimit ku njëra nga arsyet pra siç e theksova më herët është arsye për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke i pas parasysh këto rrethana procedurale, dhe duke qenë se mbrojtja para së gjithash e ka të pamundshme që të deklarohet në raport me këtë provë të re, kërkojnë që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.

Kjo pasi sipas tij çështja në fjalë është kruciale për dhënien e drejtshmërisë në procedurë.

Lidhur me këtë provë, prokurori Dema ka deklaruar se në momentin kur ka arritur kjo provë, lënda veçse ka qenë në Apel.

“Në ndërkohë unë kam bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare me 14 prill 2020, që informacionin e pranuar nga FBI ta konstatoj si të ligjshme dhe pranueshme ndërmjet verifikimit nga organi kompetent në SHBA e që është departamenti i drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas prokurorit,  lidhur me kërkesën e tij, me 12 maj 2020, ka pranuar shkresë nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA, ndërmjet së cilës konfirmohet dhe vërtetohet autenciteti i këtij dokumenti në gjuhën arabe.

“E cila është informacion i paklasifikuar e cila flet për certifikatën e lëshuar nga ISIL në emër të Leunis  Frangut,  me nofkën “Ubayt Kosovo” dhe e cila më pas me 14 maj 2020 është dorëzuar në këtë gjykatë, e që në fund thuhet që vërteton shkresat në ankesë që flasin në favor të pretendimeve ankimore”, ka thënë prokurori.

Ai ka thënë se këtë provë do ta propozoj në këtë shqyrtim gjyqësor pasi në tërësi i plotëson kushtet ligjore që të konsiderohet si e pranueshme.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ka thënë se dokumenti është në gjuhën angleze dhe atë arabe, me përjashtim të kërkesës që është në gjuhën shqipe.

“Gjykata ka nevojë dhe duhet të na sjellni të përkthyer në gjuhën shqipe dhe pastaj në seancën e radhës ta kemi në gjuhën shqipe, ndërkohë në momentin që na bjen të përkthyer na ja dorëzojmë një kopje mbrojtjes”, ka thënë ai, duke shtuar se pastaj vazhdojnë më tutje lidhur me pranueshmërinë e kësaj prove.

Kurse, prokurori Dema tha se e njëjta provë është dorëzuar në gjykatë në fazë që veçse e diskutoi dhe se ka menduar se gjykata do t’ia përcjell mbrojtjes.

Në anën tjetër, gjykatësi Konxheli tha se ky trup gjykues këtë lëndë e ka pranuar para rreth dy muajsh.

“Ne nuk kemi pas çka keni dorëzu atje dhe a e ka pas mbrojtja apo jo. le të na sigurohet kjo edhe në gjuhën shqipe, ja dorëzojmë mbrojtjes, qoftë në mënyrë fizike, e konfirmojmë që e ka pranu”, ka thënë gjykatësi.

Lidhur me këtë provë, mbrojtja ka paraqitur edhe një shqetësim tjetër.

“Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, respektivisht në faqen e 4 të aktvendimit, paragrafin e parafundit, është theksuar rekomandimi nga gjykata e Apelit për gjykatën e shkallës së parë që gjatë procedurës së rigjykimit ta merr parasysh raportin me numër NO.KS-20/12 i datës 10 mars 2020”, ka thënë avokati Shkoza.

Ndërkaq, sipas tij, nga shkresat e pranuara në këtë seancë, mbrojtja nuk e ka të qartë se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, a flitet për të njëjtin dokument.

“Pasi që në domenin e këtyre shkresave që i kemi pranuar sot, tek ne nuk korrespondon një numër i tillë i protokollit dhe as data e referuar në aktvendimin e Gjykatës së Apelit qoftë nga shkresat e dorëzuar nga PSRK drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë qoftë kërkesës të PSRK-së për ndihmë juridike ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas tij, numri i protokollit e as data e referuar nuk korrespondojnë as me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, e as nga shkresat që janë dërguar nga autoritetet e huaja sipas kësaj procedure për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

Kurse, prokurori Dema deklaroi se data të cilës i referohet mbrojtja, i referohet çështjes se nga Policia e Kosovës, me datë 6 prill 2020, drejtoria kundër terrorizmit kanë pranuar raport njoftues për të akuzuarin.

“E nëpërmjet të cilës janë informuar se të njëjtit kanë pranuar raportin që mban numrin FILE NO.KS2012 të datës 10 mars 2020 të lëshuar nga US Departament of Justice, Office of the Legal Attache, United States Embassy, Sofia- Bulgaria”, ka thënë ai.

“Unë këtë nuk e kam. Këtu paskemi hetim të ri”, ka thënë Shkoza, ndërkaq prokurori mohoi se është hetim i ri.

Tutje, prokurori tha se në sqarimin e parë që  dha që ka të bëj me kërkesën e tij për ndihmë juridike ndërkombëtare, pikërisht kërkesa e tij ka të bëj me autencitetin e këtij dokumenti dhe provat e tjera që i janë bashkangjitur kësaj.

Më pas, gjykatësi Konxheli tha se gjykata kërkon nga prokurori që t’ia dorëzoj mbrojtjes të gjitha provat që kanë pasuar më pas.

“Gjithçka nuk ka qenë pjesën e parë kur ka qenë aktakuza por në ndërkohë na jepni t’i bëjmë kopje t’ia dhënë mbrojtjes të gjitha provat dhe materialin”, ka thënë ai.

Kurse, prokurori tha se këto shkresa kësaj gjykate i janë dorëzuar me kohë me 14 maj 2020.

“Ne nuk e dimë a i ka mbrojtja të gjitha shkresat që i keni dërgu në gjykatë, nuk e kemi prej fillimi këtë lëndë që me dit çka i është dorëzu e çka jo”, ka thënë Konxheli.

Kurse, prokurori tha se pritshmëritë e tij kanë qenë se gjykata do t’ia dorëzoj mbrojtjes.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 15 shkurt.

Kjo lëndë tre herët e para ishte gjykuar nga gjykatësi Beqir Kalludra, i njëjti është avancuar në Gjykatë të Apelit, ndërkaq kjo lëndë ka kaluar nga Departamenti për Krime të Rënda në atë Special, ku tani do ta gjykoj gjykatësi Konxheli.

Për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 shkurt 2016, Frangun e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019 e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Edhe pasi rasti ishte kthyer për të dytën herë në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, përsëri, për të tretën herë me radhë, saktësisht me 19 shkurt 2020, Frangun e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Por, Gjykata e Apelit, me 31 gusht 2020, kishte aprovuar ankesën e PSRK-së dhe lëndën ia kishte kthyer përsëri gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori