LAJMI I FUNDIT:

Leximi u shpall i ndaluar!

Sot, me shumicë votash dhe me përkrahje të paparë ndonjëherë nga dy taborët parlamentarë, pozitë e opozitë, duke e gjetur veten secili tek ai, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Ligjin për ndalimin e leximit!

Është ky një skenar i trilluar, i cili nuk ka ndodhur, por, si një shkëndijë shprese për të ardhmen e librit, le të ndodhë. Le të miratohet ky ligj. Shpëtimin e librit e gjej pikërisht te ky ligj.


Si çdo gjë e ndaluar, që nxit kureshtje, edhe për librin ndoshta do të zgjohej kureshtja. Kureshtje që tani është në gjendje kome, do të thosha. Le të ndalohet një herë libri, ndalimi le ta zgjojë kureshtjen, e pastaj… Jam i bindur se kur një herë libri ta pushton zemrën, dashurisë së tij do t’i qëndrosh besnik tërë jetën.

Por sot, sot cila është gjendja e librit tek ne?

Leximi i librit si kulturë, si shprehi, pothuajse nuk ekziston më tek ne. Fatkeqësisht!Si sasi, libri nuk mungon. Edhe cilësi ka. Ta posedosh, në kuptimin e blerjes apo të huazimit, nuk përbën më frikë.

Për gjeneratën time dhe më të re se unë, çështja e frikës për posedimin e librit mund të jetë e pakuptimtë, por i kujtoj këtu, nga biseda me miq, vështirësitë për ta pasur “atë” (librin) në periudhën e pushtimit. Kohë rreziku. Kohë kur të pengonin të investoje në dije. Kohë kur të tjerët i frikësoheshin shkollimit tënd. Kohë kur ”interesoheshin” se kush të udhëzonte në botën e dijes. Madje, frikësoheshin edhe ku mësoje. Kohë kur regjimi i frikësohej investimit popullor në dije, sepse e dinte që ky investim do u kthehej kundër vetë regjimit. Kohë kur regjimi ndalonte çdo gjë që i ndihmonte frymës së atdhedashurisë.

Për librin njohim njerëz që vuajtën izolim skllevërish, tortura nga më çnjerëzoret. Mirëpo, si gjë e ndaluar që ishte, dhe nga vullneti e guximi për ta lexuar e komentuar atë, libri atëbotë e kishte kohën më të shndritshme. Ishte i shenjtë!

Libri në atë kohë shndërrohej edhe në stafetë dhe sakrifica gjatë dorëzim-pranimit të saj lirisht mund të jetë skenar shumë i mirë për ndonjë dokumentar historik.

Si të kalohet ky invaliditet mendor?

Institucioni që do të duhej të shqetësohej për këtë tragjedi – Ministria e Arsimit – duhet të alarmohet nga kjo situatë. Kjo Ministri do të duhej të ndërtojë politika që nxisin leximin. Urgjentisht të intervenojë në moshën e të dashuruarit me librin: aty tek klasa e pestë e lart.

E di se është vështirë të nxitësh të lexuarit në një kohë kur nuk di se si duhet t’i qasesh këtij problemi, kur nuk ekziston një bazë të dhënash mbi marrëdhënien e lexuesit me librin. Por si detyrë e menjëhershme për këtë ministri të jetë pikërisht kjo, analiza e kësaj marrëdhënieje.

Aspak nuk besoj tek ata që thonë se 24-orëshi ditor nuk po u del të lexojnë. As në “teorinë” se interneti dhe avancimi i programeve televizive po ua pamundësojnë veprimin më të lartë njerëzor që edhe Zoti e obligoi për njeriun, pra leximin.

Të lexosh nuk është humbje kohe. Të lexosh do të thotë të fitosh kohën e humbur derisa nuk e ke filluar atë, leximin.

Në shoqërinë tonë, pyetjet si: çfarë po lexon, çfarë lexove, të jenë të përditshme. Fëmijët të mos i dëgjojnë prindërit në debatet banale se cili ta shikojë i pari televizionin. Ai ndeshjen e futbollit, apo ajo me fanatizëm serialin oriental a latino-amerikan. Ata t’i dëgjojnë prindërit duke diskutuar mbi cilësinë e librit të fundit të lexuar nga ta. Fëmijët të edukohen mbi të dhe ta dinë rëndësinë e librit. Dhuratë e pashmangshme për ta të jetë libri.

Krejt në fund: thonë se libri është miku më i mirë i njeriut, por në këtë kohë njeriu poshtërsisht po e refuzon miqësinë e tij!