LAJMI I FUNDIT:

Lajm për bashkim dhe dilema ballkanike

Lajm i mirë në mbretërinë e kaosit…

Të bashkohesh pas vite ndarje dhe antagonizmave është një lajm i mirë por a mjafton vetëm lajmi si kumt që realisht të bashkohen dy pjesët e ndara të një partie politike, pse jo edhe të një ideologjie dhe programi politik…

Është parathënë se copat e ndara vështirë bashkohen por në rastin e demokristianëve është e mundur të ketë një bashkim pasi asnjë ndarje për ironi të historisë por për fat të mirë të këtij momenti historik nuk është bërë për programe, as për vizion, ishte thjeshtë luftë për livadhin dhe kullosën figurativisht thënë që “delet e mia të lëshohen në livadhin tënd”.


Kjo luftë për të marr livadhin e pushtetit dhe për ta kullotur prodhoj ndarje në mes të votuesve të së njëjtës kauzë të cilët para se të ndahen për mëkatet e palëve apo programet e palëve u ndanë në mënyrë naive për pushtetin e palëve.

Kjo luftë brenda shtëpisë ndërkohë prodhoj figura të vogla politike që kurrë nuk kishin qenë në parti, as në angazhim politik demokristian por brenda natës u afruan dhe u ulën në tryezën e pushtetit dhe mjeshtërisht, ”vërtet mjeshtërisht” abuzuan në emër të popullit dhe e kullotën “livadhin e huaj”.

Ndërkohë figura të tjera brenda partisë që kishin angazhim dhe aktivitet korrekt por nuk u pëlqeu të bëhen pjesë e këtij shkëlqimi të mjerë u eliminuan me makinacione listash, letrash dhe numrash ndërsa të tjerë anëtarë të devotshëm nuk arritën të kuptonin lojën dhe i bënë sehir kësaj magjie shkatërruese antidemokratike.

Bashkim apo ndarje e re…

Pyetjet që shqetësojnë padyshim se lidhen me faktin se a është ky fillim i një bashkimi apo një ndarje e re ?!… Kuvendi i bashkimit të partisë nëse nuk shkatërrohet pa u nisur nga segmente të partisë që e ndjejnë rrezikun e krijimit të një situate të gjendjes jashtë loje duhet të marrë parasysh disa specifika të një situate të krijuar nëpër kohë tek demokristianet?…

Kuvendi nuk duhet dhe nuk mund te parathotë largimin e askujt nga gara para se të fillojë por secili duhet ti nënshtrohet votës dhe verdiktit të zgjedhësve, numri i delegatëve duhet të balancohet 50 me 50 në të dy anët e medaljes, të drejtë konkurrimi të kenë më tepër se 2 kandidatë për të eliminuar dilemat dhe spekulimet ballkanike të ndonjë marrëveshje paraprake.

Kryetari i zgjedhur për një mandat deri në kuvendin e ardhshëm duhet të balancojë të gjitha forumet e partisë me një marrëveshje paraprake duke përfshirë përqindje të njëjtë të pjesëmarrjes nga të dy anët për të eliminuar fenomenin e ndarjes dhe përplasjes politike për ndikim në forumet e partisë që ndodhi në kuvendin e LDK. Pas kuvendit të parë të bashkimit duhet të harmonizohet qëndrimi i garës demokratike si dhe duhet të eliminohen në rregulloren e funksionimit të partisë termet dualiste që janë përdorur për fushata dhe eliminime të kundërshtarëve politikë ndër vite – qofshin këta real apo të sajuar.

Njëkohësisht kuvendi i bashkimit ka për detyrë që të eliminoj brenda demokristianëve gogolin e shprehjes se ‘’djalli fshihet në detaje’’…

Ndikimi i Ton Markut…

Padyshim se për të ardhur palët drejt bashkimit është dashur një figurë unifikuese me kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar. Kontributi i Ton Markut një ish i burgosur politik me një kontribut shumë të madh në të gjitha lëvizjet kombëtare,poashtu me një kontribut në mërgatën shqiptare në Kroaci është për çdo lëvdatë për të ardhur deri tek një bashkim konkret dhe korrekt.

Që herët z. Marku mori rol unifikues, kishte hetuar tendencat se të luftosh me vetveten nuk ia vlen dhe në të njëjtën kohë Kosovës i duhet një parti e orientimit kristian me bazë të fuqishme kombëtare pjesë e pandarë e kohezionit fetar të shqiptarëve e cila duke i mundur inatet personale dhe grupore do të mund të i shërbente vetes së tepruar para së gjithash dhe kombit në përgjithësi.

Mesazhi politik…

Secili kandidat kryetar i zgjedhur duhet të angazhohet deri në fund për mesazhin politik të bashkimit, në momentin e zgjedhjes duhet të meditoj thellë mbi të gjitha historitë e vetëshkatërrimit politik të demokristianes, të fillojë reformimin mbi bazën e progresit politik duke lejuar procese demokratike të bazuara në një program të mirëfilltë politik me synime të qarta dhe jo me improvizime për të mbrojtur interesa individësh dhe grupesh që deri me tani kanë prodhuar antagonizma dhe përçarje.

Ky është moment i meditimit dhe reflektimit për një rrugë të re politike te bazuar në vlera demokratike. Është një lajm i mirë për bashkim por a është lajm i vërtet dhe a mund të vritet nga dilemat ballkanike të mbrojtjes të interesave personale dhe përçarjet në rrugët me gropa të politikës.

Këtë lajm të mirë për bashkim nuk duhet lejuar ta vrasin idetë për dominim por duhet të lejohen vetëm idetë për konkurrim. Është lajm i mirë në batakun e politikës së urrejtjes dhe prapaskenave ballkanike.

Dy kumte duhet të dërgoj ky lajm i parë ‘’djalli nuk fshihet në detaje’’ dhe ‘’Juda s(banon ) në shtëpi’’.

Të gjithë duhet të garojnë në një atmosferë demokratike , të përfaqësohen dhe të jenë të përfaqësuar…Secili përjashtim hap një precedent të ri…Kumti i parë që duhet të dërgohet pas përplasjeve dhe antagonizmave historike është se jetojmë në demokraci.

Njerëzit vijnë dhe shkojnë idetë dhe programet mbesin…

(Autori është ish-kryetar i Forumit Rinor të PSHDK-së)