LAJMI I FUNDIT:

Lajcak: Politika të bëjë lëvizjen e duhur

Lajcak: Politika të bëjë lëvizjen e duhur

Kryeministri Sali Berisha u takua të mërkurën me Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Miroslav Lajcak, i dërguari i BE-së për të diskutuar me faktorët politikë shqiptarë mbi situatën e krijuar pas demonstratës së përgjakshme të 21 janarit.

Kryeministri Berisha i paraqiti Lajcakut një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën. Berisha e siguroi Lajcakun se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve.

Lajcak i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të BE-së, duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita. Lajcak tha se BE-ja kërkon nga palët shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. Sipas tij, BE-ja kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Kuvend për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian, veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 majit. Lajcak theksoi në një konferencë shtypi në Tiranë se politika shqiptare duhet të nisë dialogun politik në të mirë të integrimit të vendit. Ai theksoi se tashmë e ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga politika e cila, sipas tij, duhet të bëjë lëvizjen e duhur.

I dërguari evropian tha se ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe tani është koha e duhur. Duke iu drejtuar popullit shqiptar Lajcak tha se BE-ja është të shohë fundin e dhunës dhe uljen e tensioneve. “I kam kërkuar atyre parandalimin e një dhune apo gjakderdhje të mëtejshme, funksionimi i institucioneve shtetërore dhe respekti ndaj tyre, për të sjellë para përgjegjësisë ata që shkaktuar vrasjen e tre personave, shmangien e veprimeve që mund ta shtyjnë më tej këtë hendek dhe kthimi i Shqipërisë në udhën e saj evropian”, theksoi Lajcak.


Lajcak konfirmoi se përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fuele janë të gatshëm të vijnë në Tiranë për të ndërmjetësuar, por duke theksuar se hapin e parë duhet të ndërmarrë vetë klasa politike shqiptare. /Telegrafi/