LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja hapi listat, opozita parlamentare në Shqipëri shpall fitoren

Kushtetuesja hapi listat, opozita parlamentare në Shqipëri shpall fitoren

Opozita parlamentare e cilësoi si një fitore vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila caktoi se renditja e kandidatëve fitues për deputet të bëhet në bazë të votave preferenciale, pa pasur nevojë për të kapërcyer herësin.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që hapi 100% listën e kandidatëve për deputet u kthye në qendër të diskutimeve në sallën e Kuvendit. Në mungesë të reagimit nga dy forcat kryesore politike, PS dhe PD, opozitarët e vegjël nuk nguruan të ngrinin flamurin e fitores. Rudina Hajdari e cila për gjashtë muaj ishte pjesë e tryezave në Këshillin Politik, mori minutat e saj në këtë seancë të parafundit vetëm për listat e kandidatëve për deputet.

Një tjetër zë që nuk do të dëgjohet në sallën e Kuvendit është Myslim Murrizi, deputeti që u rebelua ndaj Lulzim Bashës duke mos pranuar djegien e mandatit nën argumentin se kishte për mision hapjen e listave të kandidatëve për deputet, duke akuzuar se në shtator do të ketë një kompromis Rama-Basha për sistemin zgjedhor.


Në mungesë të krerëve të partisë, qëndrimin politik të mazhorancës e bëri Elisa Spiropali e cla kërkoi bashkëpunim me PD, por jo për çështjen që e akuzoi Murrizi.

Pas kësaj seance, deputetët duhet të kishin marrë pushimet, por Konferenca e Kryetarëve vendosi të zgjasë punimet edhe me një javë pasi kjo legjislaturë ka edhe një detyrë të fundit, zgjedhjen e dy anëtarëve zëvendësues në organet e vettingut./A2 CNN