Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar se paqja është garantimi i hapësirës për tjetrin, sado i ndryshëm, apo i pakuptueshëm të jetë ai për ne.
“Dhe, teksa përpiqemi ta kuptojmë tjetrin, le ta kuptojmë edhe ne, se nuk jemi të vetëkuptueshëm dhe as pa ndonjë dilemë për vetveten. As tjetri nuk është krejtësisht i huaj, as vetja krejtësisht e familjarizuar”, tha Kurti në fjalën e mbajtur sot në Konferencën e Lidershipit Ballkanik të Federatës Universale të Paqes mbajtur në Tiranë.
Fjala e plotë e Kurtit:
Të nderuar të pranishëm, shkëlqesi presidentë, kryeministra, diplomatë, e fort të nderuar parlamentarë, ndihem shumë i respektuar që marr pjesë bashkë me ju në këtë forum me synim kaq fisnik e universal, siç është paqja.
Njëri nga objektivat kryesorë të kësaj Iniciative Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe është “të punuarit për të mirën e përbashkët të të gjithë njerëzve, përtej kufijve të kombësisë, kulturës, racës, etnisë, gjinisë, fesë dhe ideologjisë politike”. Synim vërtet i lartë dhe human. Por, mënyrat se si i qasemi, apo se si i qasen këtij synimi, palë të ndryshme, është po ashtu e rëndësishme.
Në një botë të dominuar nga ringjallja e dëshirës për të dominuar e nënshtruar tjetrin, paqja nuk mund të arrihet përmes neutralitetit ndaj palëve, asaj që kërkon të dominojë dhe asaj që kërkon t’i shpëtojë dominimit.
Politikat e supremacisë dhe të hegjemonisë nënkuptojnë gjithnjë ekzistencën e një tjetri i cili duhet sunduar. Ai tjetër mund të jetë për shkak të racës a gjinisë, për shkak të bindjeve politike, e ndonjëherë tjetri mund të jetë edhe një komb i tërë, një shtet. Këto prirje fatkeqësisht po i shohim të jenë ende të gjalla, edhe në rajonin tonë.
Secilën ditë të kësaj pranvere anekënd Kosovës shënohen 20 vjetorët e masakrave të përditshme të forcave të Serbisë në vitin 1999. Mbi 10 mijë civilë të paarmatosur e të pambrojtur u vranë, afër një milion u deportuan jashtë Kosovës e mbi një milion nga shtëpitë e tyre gjersa afër 20 mijë gra e vajza u përdhunuan dhe i kemi ende mbi një mijë e pesëqind të pagjetur. Drejtësia është e mohuar, drejtësia është e vonuar.
Neutraliteti përballë padrejtësisë është vetë padrejtësi. Barazlargimi nga viktima e nga i dhunuari edhe nëse mund të na japë objektivitet për analizën e çështjes, kjo është veçse përkohësisht e shkurtimisht, sepse pasi të analizohet një çështja, nuk guxojmë që të ruajmë barazlargim edhe prej së drejtës e të padrejtës. Paanshmëria nuk është pavarësi, por varësi e dyfishtë, varësi nga të dy anët. Shpesh, iniciativat për paqe synojnë një pikë të mesme mes viktimës dhe dhunuesit. Për ta dhënë një shembull, kjo është si të kërkosh një pikë të mesme mes dikujt që dëshiron të vjedhë shtëpinë e dikujt, dhe atij tjetrit që e ruan shtëpinë e vet. Nuk është drejtësi të gjesh pikën e mesme e të thuash, jepja gjysmën e shtëpisë vjedhësit e mbaje gjysmën për vete. Ngjashëm, nuk mund të jeshë neutral apo i paanshëm midis zjarrëfikësve dhe zjarrit. Ne që kemi vuajtur shumë nga dhuna e dimë se si dhemb spektatori i cili vetëm të shikon, dhe jo vetëm agresori që të sulmon.
Të forcosh viktimën, që të gjejë drejtësi, kjo është e mira e përbashkët e gjithë njerëzimit.
T’i mësosh të padrejtit të bëhet i drejtë, kjo është e mira e përbashkët e gjithë njerëzimit.
Paqja është garantimi i hapësirës për tjetrin, sado i ndryshëm, apo i pakuptueshëm të jetë ai për ne. Dhe, teksa përpiqemi ta kuptojmë tjetrin, le ta kuptojmë edhe ne, se nuk jemi të vetëkuptueshëm dhe as pa ndonjë dilemë për vetveten. As tjetri nuk është krejtësisht i huaj, as vetja krejtësisht e familjarizuar.
Universalizmi ynë nuk është dhe nuk duhet të jetë homogjen. Bota jonë ideale duhet të jetë mikpritëse për secilin, për rrugë të ndryshme zhvillimi, për mënyra të ndryshme të të qenit. Por jo për padrejtësinë, jo për sundimin e më të dobëtit nga më i forti, jo për shfrytëzimin e të varfërit nga i pasuri, jo për pabarazitë midis shoqërisë e ndërmjet popujve.
Është detyra jonë të kontribuojmë për drejtësinë dhe për paqen, fillimisht aty ku jetojmë e veprojmë, sepse paqja e drejtësia në shtëpinë tonë është themeli i kontributit për paqen e drejtësinë në botë. Për paqen dhe drejtësinë, jo për paqen me padrejtësinë.
Drejt këtij synimi duhet të përqendrohen burimet tona kolektive, duke filluar sidomos nga arsimi dhe edukimi i fëmijëve. Një edukim e arsim i dobët, bën që ata kur të rriten të jenë indiferentë, cinikë, mosvlerësues të drejtësisë, të lirisë, të punës, të demokracisë e të paqes. Andaj duhet punuar shumë në shkolla, me theksin tek edukata qytetare e demokratike, që fëmijët të mos edukohen me oportunizmin e individualizmin e fokusuar vetëm tek paraja dhe të mirat e shpejta materiale. Edukimi i dështuar mund t´i bëjë njerëzit ta shohin drejtësinë si hakmarrje e hakmarrjen si drejtësi, por drejtësia nuk është hakmarrje, drejtësia është pajtim, është përpjekje për të dhënë një zgjidhje racionale, universale, publike e humane për problemet që trashëgojmë nga e shkuara ose që lindin në të tashmen.
As drejtësia, as paqja, e as edukimi i mirë i fëmijëve dhe i gjithë qytetarëve nuk është i mundur aty ku nuk qeveris arsyeja e sinqeriteti. Mungesa e transparencës në qeverisje është një sëmundje e rëndë që prek, sidomos vendet tona në Evropën Lindore e Jugore. Kur qeverisja hyn në marrëdhënie jotransparente me palë të tjera, private apo të huaja, atëherë llogaridhënia para publikut bëhet e pamundur. Vendimmarrja nuk është më kolegjiale, por ajo nis të përqendrohet në fare pak duar, në edhe më pak koka e në aspak mendje, dhe kështu nis autoritarizmi, një tjetër fenomen kaq i përhapur.
Parlamentarët (deputetët) flasin dhe përfaqësojnë. Ata janë e kundërta e bisedimeve e pazareve sekrete të liderëve autoritarë që na largojnë nga paqja dhe Bashkimi Evropian e na afrojnë me rrezikun e luftërave dhe të rikthimit të së kaluarës.
Duhet përpjekje e madhe e të gjithëve ne, bashkë me qytetarët e bashkë me miqtë tanë të vendeve të tjera, që t’i rezistojmë autoritarizmave, që të mund të qeverisim me kolegjialitet e me demokraci, me ndershmëri e me transparencë, që të mund të përfaqësojmë me përgjegjësi e seriozitet, sa më shumë e sa më mirë. Ky do të ishte kontributi ynë për drejtësinë e paqen, i domosdoshëm për zhvillimin e vendeve tona, qoftë ai ekonomik, njerëzor apo kulturor.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Tre persona të plagosur në Klinë, njëri në gjendje të rëndë

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Abdixhiku: Fitorja e CDU-së në Gjermani, një mundësi e re për Kosovën

Policia kërkon bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e një personi

Mbyllja e katër Qendrave serbe për punë sociale në veri, reagon Ambasada amerikane në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri