LAJMI I FUNDIT:

Kurti apo Rama?

Kurti apo Rama?

Tregohen shumë histori për Diogjenin, filozofin grek që njihet si një nga themeluesit e cinizmit. Sipas tij, varfëria ishte virtyt. Ai lypte në rrugë, flinte ku të mundej, masturbonte në publik dhe mbante një fener edhe gjatë ditës, duke pretenduar se po kërkonte një njeri të ndershëm. Përplasjet më të forta i kishte me Platonin, filozofin që vinte nga një familje e pasur dhe vazhdonte jetën si aristokrat.

Në një rast tregojnë se Diogjeni, pasi shkeli me hap të rëndë mbi tapetet e Platonit, deklaroi: “Po shkel mbi krenarinë e Platonit”. Ky i fundit iu përgjigj: “Po, por me një tjetër lloj krenarie”.


Kjo histori të vjen në mendje kur sheh se është ndezur me shumë pasion debati se çfarë do të bëjë kryeministri Edi Rama, tani që në Kosovë po vjen në pushtet Albin Kurti. Nuk janë të paktë ata që ndjehen entuziastë se koha e Ramës mbaroi, sepse po nis koha e Albin Kurtit. Me pak fjalë, nëse Edi Rama ishte i adhuruar për shkak të natyrës ekstravagante, tani njerëzit do ta duan Albinin për shkak të thjeshtësisë së tepruar. Nëse ekscentriku Rama pëlqen luksin dhe dukjen, Kurti është e kundërta e tij pasi vishet me rroba normale që i gjen në çdo dyqan në Kosovë.

Edi Rama nuk është Platoni dhe Albin Kurti nuk është Diogjeni, por krenaritë e tyre janë pjesë e së njëjtës medalje, siç na tregon fabula e mësipërme. Ajo që është më shqetësuese në këtë rast lidhet me faktin se përse duhet të dashurohemi kaq shumë pas formës, duke mos u marrë me përmbajtjen.

Akademiku britanik, David Runciman, thotë se kur demokracia është në krizë, njerëzit kanë një tendencë për të zgjedhur kllounë në krye të qeverive. Nuk është çudi që kështu ndodh sa herë kur bie besimi te politika dhe establishmenti. Por, është e pakuptueshme që të shohësh se si shqiptarët vazhdojnë të besojnë se zgjidhja do u vijë nga njerëzit më të pazakontë të mundshëm. Madje, për këtë qëllim e kanë lënë të lirë fantazinë, duke përhapur nëpër median sociale frazën se “vetëm një i çmendur e bën këtë vend” apo se “nëse nuk e bën ky këtë vend, nuk e bën askush”. Ose “një vend të çmendur e bën vetëm një i çmendur”.

Po nëse ju në Kosovë keni ndonjë dyshim, atëherë mos e zgjasni shumë dhe pyesni të gjithë ata që morën premtimet se shtëpitë do t’u legalizoheshin falas dhe se banesat do ua prishte vetëm Zoti, se si ndjehen tani që flenë çdo natë me frikën se do të dalin në rrugë të madhe?

Ose mund të pyesni të gjithë shqiptarët që morën premtimin për shëndetësinë falas se përse po emigrojnë masivisht larg Shqipërisë? A e dini se në Francë po shkojnë kryesisht për azil shëndetësor?

Ose meqë keni adhurim për ndryshimin e Tiranës nga Edi Rama, hajdeni dhe jetoni disa muaj në qytetin më të ndotur në Evropë, në kryeqendrën e betonit dhe kaosit. Ose mund të shihni se si çdo qytet tjetër i madh në Shqipëri është “tiranëzuar” duke u kthyer në fjetore të shëmtuar.

Ose ju studentë mund të vini të pyesni se përse shumica dërrmuese e të rinjve duan të largohen një orë e më parë nga ky vend?

Apo ju që keni adhurim për fjalimet spektakolare, mund të pyesni çdo shqiptar të Shqipërisë se kur ka qenë hera e fundit që fjala e kryeministrit shqiptar ju ka bërë të ndjeni besim, shpresë dhe siguri? Asnjëherë, sepse të gjithë fjalimet e tij janë mllef kundër të tjerëve.

Ose nëse keni vlerësim për kulturën e lartë, hajdeni e shiheni se si një vend kthehet në narko-shtet ku ligjin e bëjnë bandat dhe të fortët?

Ose pyesni se përse artisti u bë kaq i urryer mes artistëve pasi vendosi të fshijë gjurmët e kulturës dhe historisë në vend.

Pasi kaloi një pjesë të jetës nën sundimin e nazistëve dhe më pas të Stalinit, psikologu polak Andrew Lobaczewski ia përkushtoi karrierën studimit të lidhjeve mes çrregullimeve psikologjike dhe politikës. Pasi e kuptoi se narcistët dhe psikopatët tërhiqen fort nga pushteti, ai shpiku termin e shumëpërdorur edhe kohët e fundit: Patokraci. Me këtë term përshkruhet qeveritë (regjimet) e drejtuara nga njerëz me këto çrregullime. Patokracia është gjithçka, por vetëm demokraci nuk është. Shqipëria është katandisur në këtë pikë.

A nuk ju duket e habitshme që nëpër samitet e ndryshme, vetëm liderët shqiptarë duken më të çuditshmit, sikur kanë hyrë në një garë se kush do jetë më i pazakonti? A nuk ju vjen inat kur shihni liderët e tjerë, të gjithë me një çehre normale njerëzore? Do të thoni se kjo ndodh sepse vijnë nga vende normale. Por, mos harroni se anormaliteti sjell anomali kudo. Ndaj është momenti që të mos fiksohemi shumë pas formës, por të shohim më shumë përmbajtje. Një eksperiment na mjafton, nëse bëhen dy do të thotë se jemi çmendur të gjithë. Dhe, mos harroni, siç e tha vetë Edi Rama në Beograd: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”! Pra, vetëm politikanët mund ta nxjerrin politikën nga kjo derexhe. Por, një njeri normal, dikush që merr vesh nga politika, nga ekonomia, nga jurisprudenca, nga diplomacia. Të tregojmë edhe ne se koha e eksperimenteve ka marrë fund. Nuk ka qenë as në traditën e shqiptarëve që prijësit apo të parët e vendit t’i zgjedhin në mesin e “rrotave” të fisit apo të krahinës. Përndryshe, mos u habisni që na sheh me çudi bota e qytetëruar. Është koha që ta nxjerrim gomarin nga balta.