LAJMI I FUNDIT:

Kur shqiptari i lutet të huajit t’i thotë shqiptarit…!

Ekziston një thënie morale se çdo shoqëri i meriton udhëheqësit e saj. Duke e ditur se si fillon e si mbaron tek ne procesi i zgjedhjeve dhe duke e ditur ofertën për të zgjedhur, athua a e kanë besueshmërinë tonë këta nga të cilët ne si zgjedhës po kërkojmë vëmendje?

U zgjodhën për të qeverisur me të mirën e përbashkët në të mirë të tyre, apo për të dhënë më të mirën e tyre për të mirën e përbashkët? A ka mundësi ndonjëherë të na dëgjojnë ne, kërkesat tona, nevojat e përditshmërisë sonë, apo vetëm të atyre nga të cilët barten si aksesorë demode duke ua aranzhuar aty-këtu ndonjë takim, apo duke iu treguar se ku mund ta kapin e më pas edhe ta fshehin e ta ruajnë interesin personal, e kurrsesi të kujdesen për atë kombëtar?


Jo rastësisht pyeta për besueshmërinë; udhëheqësve tanë nuk iu intereson ajo. Këta udhëheqës nga fillimi e deri në harresë, legjitimitetin e udhëheqjes e kërkojnë vetëm tek Ata, jo tek ne si zgjedhës. Ata nuk kanë të drejtë vote, janë shtetas të huaj. Mirëpo, në krahun e tyre vota fitohet shumë lehtë.

Udhëheqësit tanë Ata i kthyen në hyjni. Dhe kështu, duke e parë servilitetin e udhëheqësve tanë ndaj tyre, Atyre filloi t’ju pëlqejë vetvetja. Madje deri aty sa filluan ta luajnë rolin e “korrierit”, duke u sjellë zgjidhje në zarf. “Uniteti” i popullit ishte aty!

A ta qan hallin i huaji kur yti i mbyll sytë? Madje i mbyllin edhe veshët. Si të na dëgjojnë ata?

Në transport publik nuk mund t’i takoni. As këmbë nuk ecin, edhe pse ndonjëherë u bie vetëm rrugën ta kalojnë, apo ca metra tutje. Qeveritarët tanë, duke shpenzuar buxhetin e duke e dëmtuar ambientin, janë mëshiruar me luksin që u ofrojnë veturat tashmë të njohura si ato me “Z”. As te sportelet e administratës, ku ne presim gjatë, nuk i takojmë dot. Këto shërbime ua kryejnë shoferët të cilët luajnë rolin e shtëpiakut, mbrojtjes së afërt, këshilltarit politik etj.

Po kur ata “kujdesen” për ne? Me ta takohemi tek javët e “shenjta”. Janë ato javë kur ata fillojnë të na duan shumë. Të na dëgjojnë. Të na takojnë. Madje, për çudi, edhe të na flasin! Po, po, për fushatën elektorale e kam fjalën. Ajo kohë kur “bombardohemi” me premtime dhe kulmi arrin kur premtohen ato që nuk i bënë për dy mandate qeverisjeje, e ky hynë ndonjë rrugë e asfaltuar, apo mbyllje e ndonjë pusete, e të tilla banale si këto, që do të mund të realizoheshin në njëqind-ditëshin e parë të qeverisjes.

Edhe një herë nuk iu intereson vota jonë. Ata edhe mund ta dinë fituesin. Këtë e bëjnë me qëllim fitimi financiar, sepse edhe në fushata jepen tenderë. Ka edhe dy raste ku mund të flasësh me ta. Mund t’i takoni në ndonjë përurim objekti afarist. Aty shkojnë ose ngase investitori është shumë “dorëlirë” me ta nga ana financiare, ose të na thonë se investitori të gjitha i bëri vetë, vetë i punësoi disa të rinj, ama ne e premë shiritin.

Pra, ne po hapim vende të reja pune. Rasti tjetër është edhe johuman. Duke dashur të paraqiten “engjëj mbrojtës”, njerëz humanë, qeveritarët mund t’i takoni në ndonjë spital rajonal pas ndonjë tragjedie; e aty shkojnë me veturat e lartcekura të cilat kushtojnë më shumë se ndonjë aparat mjekësor i cili në atë tragjedi do të shpëtonte jetë njerëzish. Natyrisht, ato vetura çajnë rrugë më shpejt se autoambulanca dhe zjarrfikësit; rotacioni dhe sirenat e tyre shprehin urgjencë të madhe.

Ky shkrim nuk do të shkruhej po të mos i shihja ato pamje, e aq më pak po të mos i dëgjoja ato fjalë. Ishin pamje greve! Fjalët i thoshte njëri nga grevistët. Ai i lutej Atij. Jo Zotit. I drejtohej ambasadorit që përfaqëson shtetin amerikan në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesisë së tij, z. Alexander A. Arvizu. Ai, grevisti, shqip foli, shqip iu drejtua z. Arvizu duke i thënë: “A ka mundësi t’ju thoni qeveritarëve tanë ta kthejnë kokën nga ne!?”

Prandaj, mos u çuditni kur qytetarët iu drejtohen Atyre, diplomatëve të huaj, për t’ju thënë qeveritarëve tanë se e kemi këtë hall apo atë kërkesë.