LAJMI I FUNDIT:

KUNDËRSHTIMI GLOBAL

KUNDËRSHTIMI GLOBAL

Nga: Dino Buzzati
Përktheu: Eris Rusi

Në mbledhjen e asamblesë së madhe të pensionistëve e kërkoi fjalën një punonjës i vjetër i sigurimeve, Modesto Svampa:

– Miq të dashur, e dini që të gjithë se ç’po ngjet në botë. Ky është një fenomen i mrekullueshëm dhe i ri në histori, i cili mundet, duhet të na shërbejë si shembull edhe neve, s’ka rëndësi nëse jemi tashmë në perëndim të jetës, madje pikërisht kjo të nxitë.


Një mërmërimë pyetëse dhe e mëdyshtë u ngrit nga auditori i mbushur me rreth 15 mijë “flokëbardhë”. Ç’dreq prapësie do nxirrte kësaj herë plaku Svampa që zakonisht e trondiste asamblenë me propozime nga më të çuditshmet?

Askush nuk e ndërpreu.

– Fakti i ri, në histori, me sa na rezulton, është ky: Mjafton aksioni i vendosur i disa mijëra të rinjve, gjaknxehtë, po, edhe këmbëngulës, por të paarmatosur, për të futur në krizë qeverinë e një kombi të fuqishëm që ka dhjetëra milionë banorë. Gjithçka varet nga vullneti i përbashkët, nga qëndrimi i palëvizshëm i vendimeve. Ju, do të thoni: policia, autoriteti administrativ, forcat e rendit. I keni parë sa peshë rëndojnë… Burrat më autoritarë dhe më kryelartë të shtetit, përballë kësaj vale rinore e cila prapëseprapë nuk zotëron tanke të armatosur, as avionë apo bomba, as edhe biçakë të vegjël, i kanë ulur pantallonat, e këtu më ndjeni këtë shprehje pak vulgare. Por, çfarë duan këta të rinj? – vijoi Svampa i pamëshirshëm, para se dikush të kishte kohë ta kundërshtonte. – Çfarë duan? Kë përfaqësojnë? Flamuri i tyre është tejet i qartë: kundërshtim global.

Duan të çmontojnë gjithçka që sot përfaqëson skeletin, ka mundësi të kalbur, të shoqërisë, ndarjet e klasave, padrejtësitë, gënjeshtrat, raportet çnjerëzore të punës, privilegjet, skllavërinë e njeriut të futur, siç thonë ata, brenda një bote të mekanizuar, shtypëse, të sunduar nga mumie të pluhurosura, akoma të më moshuara sesa ne. Me cilat mjete, më thoni ju, është e mundur t’i ndalojmë?

Këtu u mbush me frymë, e përqark u ndje një heshtje e çuditshme. Të gjithë e shikonin syshqyer.

– Por janë të rinj – rifilloi. – Me gjithë synimet e mira që kanë, nuk mund ta njohin jetën. Kurse ne e njohim, nga ana tjetër, për fat të keq. Ata luftojnë për një ideal, ndoshta edhe të marrë dhe konfuz, por gjithsesi tërheqës. Por, them unë, është vërtet total ky kundërshtimi i tyre? Përse atëherë, kur zotërojnë një forcë goditëse të pathyeshme, nuk e drejtojnë kundër mallkimit më të keq të njerëzimit? Ç’dreq kundërshtimi është, nëse lë pas dore padrejtësinë më të shëmtuar? Perse nuk e vendosin në plan të parë të kësaj tërësie kundërshtimesh, vdekjen?

As pinë ujë pabarazitë shoqërore, s’është gjë skllavëria në turmë, s’ka vlerë reforma universitare! Vdekja, kjo po që është plaga që lëndon, nga koha e kohëve, historinë e njeriut.

Aty-këtu u dëgjuan të qeshura nën buzë. U dëgjua edhe një pëshpërimë. Pjesa tjetër qëndroi në heshtje. Po vareshin nga goja e Svampa-s. Në këtë pikë, ai tha:

– Por, a mund të pretendojmë që këta rioshë pa qime në faqe, rioshë të mrekullueshëm, po ta doni kështu, por pa dyshim të pandërgjegjshëm e pa eksperiencë, ta bëjnë të tyren këtë nismë supreme? Mund ta gënjejmë veten që do jenë ata që do të kundërshtojnë dhe do ta shfuqizojnë ligjin më të trishtë që ka mbretëruar deri tash i palëkundur mbi botë? Oh, miq të dashur, a e kuptoni se ç’rast i mrekullueshëm na shfaqet përpara neve, gjyshër, stërgjyshër, por ende të gjallë e zota të vetvetes? Do të mjaftojë një gjest si shembull dhe miliona krijesa në perëndim të jetës së tyre do të bëhen me ne. E kuptoni apo jo që është nën vullnetin tonë të ndryshojmë kryekëput rrjedhën e historisë? Pushtim! Pushtim! Pushtim i spitaleve! Pushtim i varrezave!

– T’ia këputim, më në fund e për herë të parë, shtegun, Vdekjes – u dëgjua një ulërimë e pafund, megjithëse e lagësht nga kolla, e mijëra të moshuarve.

Pat zënë rrënjë fara e kryengritjes. Asambleja e rregullt u shndërrua në një tenxhere që valonte, si të rrëmbyer nga dreqi të gjithë. “Pushtim! Pushtim!” dëgjohej ulërima. Nga teatri “Magnum”, seli e asamblesë, korteu lëvizi rreth orës shtatë të mbrëmjes. Të rregullt, të palëkundshëm, duke u shtrënguar me njëri-tjetrin, me hapa të ngathët, por të sigurt. Në mënyrë të mistershme nga mezi i turmës nxorën kokën pankarta dhe parulla: “Mjaft më me Vdekjen! Rroftë kundërshtimi i vërtetë botëror! Të zhduket përgjithmonë zonja e mallkuar!” Në vendngjarje mbërritën fotografë, reporterë, telekronistë me kamionë të kaltër. Lajmi u përhap në mbarë vendin, vrapoi nëpër botë.

Fatmirësisht ishte stina e ngrohtë. Pleqtë krijuan një kordon të pandërprerë rrethimi përqark spitalit qendror. Nuk kishin thika, as pistoleta apo automatikë, vetëm ndonjëri zotëronte bastun me vete. U ndezën edhe zjarre të mëdhenj. Një muzikant i adhuruar i revistave që nga epoka e Ines Lidelba-s improvizoi një himn të jashtëzakonshëm. Refreni bënte kështu: “Do të ndryshojë, të gjithë një mendje/ jemi të lodhur keq, nga kjo vdekje”. Një kitarist i cili në kohët e arta pat punuar në orkestrën e Jack Hilton-it, e përshtati me ritmin e një kërcimi shake. Hëna u ul e plotë mbi furinë e pleqve që kërcenin me një përfshirje dhe energji të pabesueshme. Rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë mbërriti fluturimthi, nga Samarkanda, me shpejtësinë e mendimit, Zonja e tmerrshme. Kishte për të zhvatur atë natë në spital aty tek njëzet jetë njerëzish.

Pa dyshim që ishte e maskuar si doktoreshë, e veshur me rregullsi, por me një farë dallimi nga të tjerët. Tentoi hyrjen kryesore. Këtu, për fatin e saj të keq, qëndronte Svampa i cili e njohu në shikim të parë. U dha alarmi. Fatkeqja u zmbraps e vënë përposhtë nga një lumë mallkimesh. Në dhomat e spitalit, asistentët dhe murgeshat që prisnin nga një çast në tjetri tretjen e të sëmurit për vdekje, që më pas të shkonin të flinin, e panë të dergjurin të ngrihej mbi jastëkë me një energji të pabesueshme, përplot jetë, duke kërkuar një pjatë makarona me vezë. Të tjerë të pashpresë, që kishin humbur çdo besim jete, ringjalleshin falë shërimesh të rrufeshme. Nga ana e vet, vdekja, duke u strehuar nën hijen e një kantieri aty pranë, shfletonte nervoze shënimet e saj, duke kontrolluar punët e pambarimta të natës.

Çfarë të bënte? Të ndërhynte me forcë kundër pengesës së pleqve? E dinte që nuk gëzonte shumë popullaritet, e kjo do i vinte kapakun për ta bërë një herë e përgjithmonë të urryer pa fund. E rrethuar nga gjithë kjo pakënaqësi, jeta do t’i bëhej e pamundur pastaj. Si i llogariti pluset dhe minuset, u largua për të realizuar planin e natës në vende të tjera, ku padyshim puna nuk i mungonte, kurrë nuk i kishte munguar. Por, me zhvillimin që ka sot komunikimi, nuk u desh shumë që krejt vendi të informohej mbi ngjarjen. Personazhe shumë të ngritur, që këtu nuk mund të citojmë, shpallën urime të ndritura, duke kërkuar në ndonjë mënyrë të përftonin personalisht një hise nga ajo fitore e jashtëzakonshme. Pjesës tjetër të botës iu rrit pafundësisht mendja: ishte mposhtur më në fund dënimi i përjetshëm i njeriut? Ndërkohë, pas dhënies së lajmit, në Sallën e madhe të Universitetit u mblodh menjëherë asambleja e studentëve protestues.

Nuk qe xhelozia e zanatit që i solli aty, por një shqetësim mjaft i motivuar. Nëse ata pleq të mallkuar do të bllokonin veprimtarinë e vdekjes, asnjëri prej tyre nuk do të ikte më, popullsia do të merrte përmasa të frikshme, ushqimi do bëhej i pamundur jo vetëm me mjetet që zotëroheshin deri tash, por edhe ato që ata, studentët e rinj, do t’i kishin sjellë botës përmes kundërshtimit global. Duheshin ndërmarrë masa të menjëhershme. Ja ku u krijua atëherë një kortezh tejet i dhunshëm që lëvizi nga universiteti në drejtim të spitalit qendror. Këtu u përballën dy palët kundërshtare: pleqtë e vendosur përpara hyrjes së spitalit, të rinjtë të rreshtuar përballë tyre, në rreth pesëdhjetë metra largësi. Filluan të lëshohen shigjeta të helmatisura: “Gërdalla, në gropë e keni vendin! Në arkivol! Kalbësira! Armiq të popullit punëtor!”

Svampa lëvizte andej-këndej duke tentuar t’iu jepte zemër shokëve të ç’orientuar. Edhe ai, megjithatë, dukej i zverdhur, papritmas u ndje i lodhur e pa pikë besimi. Me zili therëse vështroi truphedhurit që i qëndronin përpara, të egër, të këqij, të çrregullt e të lënë pas dore, të pamëshirshëm, por, në mënyrën më skandaloze të mundshme, të rinj. Kush kishte të drejtë? Në atë moment, nga përtej gardhit të studentëve, e shqoi atë, të poshtrën, të kthyer fluturimthi nga toka e Zjarrit, e duke kërkuar lart e poshtë një mundësi depërtimi përmes.

– Ej, juve, zonjë! – i ulëriu me gjithë zërin që mundi. Dhe ajo e ktheu kokën. Ai bëri përpara, duke i lënë vetëm të tijtë. Hapi rrugë midis studentëve që panë plot habi, kaloi përtej dhe e arriti pranë. – Hajde, konteshë – i foli me një buzëqeshje të hidhur por të mrekullueshme, duke i kapur dorën. – Këtu më ke. Ju lutem, më merrni larg.