LAJMI I FUNDIT:

“Kult” shpall artistët më të mirë të vitit

“Kult” shpall artistët më të mirë të vitit

Ismail Kadare, Tedi Papavrami, Margarita e Ndriçim Xhepa, Dhimitër Anagnosti, Arben Kumbaro... Janë këta disa nga artistët më të mirë të vitit, shpallur nga akademia "Kult".

Mbrëmjen e së mërkurës, në sallën e nxehtë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë u zhvillua mbrëmja-gala e ndarjes së trofeve "Kult". Për të pestin vit, u shpallën 10 artistët dhe aktivitetet më të mira, vlerësuar nga një juri profesionistësh, por edhe nga publiku.

Ashtu si edhe herët e tjera, në çdo kategori artistike konkurronin nga katër kandidatë, të cilët gjithashtu ishin përzgjedhur mes një morie kandidaturash. Por vetëm 10 do të ishin ata, që do të vlerësoheshin si njerëzit që kanë shkëlqyer gjatë kalendarit artistik të vitit që shkoi.

Mbrëmja gala u hap nga dy artistë të njohur të skenës shqiptare, të dy të larguar prej vitesh, e që së fundi kanë filluar të rivënë kontaktet me vendin e tyre. Bëhet fjalë për aktoren Eva Alikaj, e cila prej vitesh jeton në Austri dhe aktorin Viktor Zhusti, i cili vetëm pak kohë më parë shënoi rikthimin në skenën e teatrit shqiptar me komedinë "Të gjithë me huqe".


Pas një hyrjeje të gjatë nga ana e prezantuesve, puna e të cilëve mbaroi shumë shpejt, duke ia lënë radhën të tjerëve, nisi edhe maratona e ndarjes së çmimeve.

Nisi me çmimin librit më të mirë artistik, ku garonin bashkë edhe poezia, edhe romani edhe reportazhi dhe siç do të thoshte me stilin hollivudian gazetari Mustafa Nano, që hapi zarfin: "The winer is always Ismail Kadare".

Ndërsa po tërhiqte një tjetër trofe në Palermo, me anë të botuesit të tij, Bujar Hudhri, shkrimtari çoi një mesazh falënderimi për jurinë dhe lexuesin që ka nisur të rivlerësojë letërsinë e mirë.

Më tej, mbrëmja vijoi me çmimin e përkthimit merituar nga mjeshtri i shqipërimit, Pashko Gjeçi, interpretuesin më të mirë lirik, që kësaj here u shpall mexosopranoja Vikena Kamenica, instrumentisti më i mirë, që u shpall pa më të voglin dyshim, violinisti Tedi Papavrami, aktiviteti më i mirë, "Poeteka", aktori më i mirë i vitit, i cili u shpall Ndriçim Xhepa, duke thyer rekordin me tre çmime "Kult", etj.

Mbrëmja pati edhe anën e vet argëtuese. Tensioni i ndarjes së çmimeve ndërpritej nga të ftuarit e mbrëmjes, si violinisti Olen Çezari, i ardhur nga Italia, këngëtarët Alban Skënderaj e Miriam Cani, të cilët interpretuan një duet, këngëtaret Anjeza Shahini, Juliana Pasha, Jonida Maliqi, etj.

Fituesit "Kult 2009":

Libri artistik i vitit
Ismail KADARE me romanin "Darka e Gabuar"
Përkthimi i vitit
Pashko GJEÇI me "Fausti" e Johann Wolfgang von Goethe
Artisti pamor i vitit
Ali OSEKU me ekspozitë personale pikture "Ritëm i pandalshëm"
Interpretuesi lirik i vitit
Vikena KAMENICA me rolin e Rosinës tek "Berberi i Seviljes"
Instrumentisti i vitit
Tedi PAPAVRAMI me Koncert për violinë e orkestër në Re mazhor, Sonatë e Bethovenit, Sonata e Krojcerit
Albumi muzikor i Vitit
Alban SKËNDERAJ me albumin "Melody"
Aktori i vitit
Ndriçim XHEPA me rolin e Astrovit tek komedia "Daja Vanja"
Aktorja e vitit
Margarita XHEPA me rolin e Hekubës në tragjedinë "Trojanet"
Regjia e vitit
Arben KUMBARO për veprën "Franku V"
Filmi artistik
"Gjoleka djali i Abazit" me regji të Dhimitër ANAGNOSTIT
Aktiviteti i vitit
"POETEKA", Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, edicioni IV /Panorama/