LAJMI I FUNDIT:

Kujtesë: Si e bindën rusët Milosheviqin që të kapitullojë në Kosovë?

Kujtesë: Si e bindën rusët Milosheviqin që të kapitullojë në Kosovë?

Cilat ishin synimet amerikane në Kosovë? Çfarë biseduan me telefon Bill Clinton dhe Boris Yeltsin më 24 mars 1999, kur nisën bombardimet e Paktit NATO? Pse Yelstin cakton me 4 prill Victor Chernomyrdinin si Emisar Special për Kosovën? Çka i kishte thënë Milosheviq – Chernomyrdinit në takimet sekrete? Si e bindi ish-kryeministri rus Milosheviqin që duhet të dorëzohet?

Boris Yeltsin, kryetari i Federatës së Rusisë në vitet 1991 – 1999, ka botuar memoaret e tij, të titulluara “Ditari i Mesnatës: Vitet e mia në Kremlin”. Një pjesë e mirë e këtyre kujtimeve, të cilat bazohen, sipas rrëfimit të vetë Yeltsinit, në shënimet sekrete, të cilat vetëm ai ka mund t’i shohë dhe t’i përdorë, i kushtohen krizës së Kosovës dhe bombardimeve të Paktit NATO.

Telegrafi ju risjell pjesë interesante të këtyre memoareve të presidentit të ndjerë rus.


CLINTON MË THA: NUK DO TA LEJOJMË MILOSHEVIQIN TË BËJË KRIME NË KOSOVË

Yeltsin është i sigurt që synimi i SHBA-së, gjatë bombardimeve të Paktit NATO, në pranverë të vitit 1999, nuk ka qenë pikësëpari për të zgjidhur çështjen e Kosovës. “Amerikanëve u është nevojitur, në momentin e ballafaqimit me pavarësimin gjithnjë e më të madh ekonomik dhe politik të Evropës, që nëpërmes NATO-s, të mbajnë kontrollin mbi Evropën”, është i bindur ish-presidenti rus. Mënyra më e mirë për të realizuar këtë qëllim, sipas tij, ishte që të lansohen sulmet e NATO-s kundër Serbisë dhe regjimit të Slobodan Milosheviqit. Yelstin këtu konkludon që amerikanëve u është dashur ta stimulojnë solidaritetin evro-atlantik.

Në kujtimet e tij, Boris Yeltsin, nuk fsheh që ky ishte i shastisur me bombardimet e NATO-s. Edhe pse ky nuk tregon kurrfarë simpatie për Slobodan Milosheviqin, të cilin në fakt e cilëson si fajtorin kryesor për krizën e Kosovës, Yeltsin pohon se Perëndimi ka mundur të zgjidhë krizën e Kosovës me negociata. Pastaj, Yeltsin thekson se bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, duke ditur afërsinë tradicionale në mes të Moskës dhe Beogradit, kanë pasur pasoja të mëdha në Rusi, ku gjithnjë e më shumë krijohej një disponim dhe atmosferë anti-perëndimore.

Në ditën e fillimin të bombardimeve, më 24 mars 1999, Yeltsinit i kujtohet biseda telefonike me presidentin e SHBA-së, Bill Clintonin. Clinton i kishte thënë se NATO dhe SHBA-ja janë të detyruara të inicojnë sulmet ajrore kundër regjimit të Milosheviqit, që ky po vazhdon me ofensivën e tij në Kosovë, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke vrarë popullsinë e pafajshme. Clinton në anën tjetër thoshte se Washingtoni dhe Moska nuk duhet të lejojnë që një Milosheviq të prishë marrëdhëniet shumë të mira të SHBA-së dhe Rusisë, të ndërtuara me mund viteve të kaluara.

Clintoni tha se sa i përket atij dhe Washingtonit, ky nuk do të lejojë këtë. Por, në vazhdim pohoi se nuk mund të lejojë që në Evropë të ndodhin gjëra të tilla të tmerrshme: Sipas tij, Milosheviqi tashmë kishte dëbuar 250 mijë refugjatë nga Kosova. “Nëse nuk vazhdojmë me bombardime do të ballafaqohemi me një Bosnjë të re. Milosheviqi dëshiron t’i thejë shqiptarët e Kosovës duke përdorur një forcë brutale ushtarake”, konkludoi Clinton.

Yeltsin, siç thekson në memoaret e titulluara “Ditari i Mesnatës: Vitet e mia në Kremlin”, ia kishte kthyer në këtë mënyrë Presidentit Clinton: “Nëse vazhdojmë të punojmë së bashku, jam i bindur që do ta zbusim Milosheviqin…”.

Clintoni nxori edhe një argument shtesë në këtë bisedë telefonike me Yeltsinin. Ai pohoi se Milosheviqi është diktatori i fundit komunist në Evropë dhe ai do të dëshironte të rrënojë lidhjet e krijuara mes Evropës Perëndimore dhe Rusisë si dhe lëvizjen për demokratizmin e Evropës që tani shtrihej në tërë Evropën.

SI U PENGUA SULMI RAKETOR NDAJ AMBASADËS AMERIKANE NË MOSKË?

Por, këtu Yeltsin reagoi në këtë mënyrë: “Populli ynë do të krijojë mendim shumë të keq për Amerikën dhe Paktin NATO, nëse bombardimi i Serbisë vazhdon. Më kujtohet se sa vështirë ka qenë të ndryshohet mendimi i njerëzve të thjeshtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E tani, të gjitha do t’i humbim, për shkak të këtyre bombardimeve…”.

Clinton ishte qind për qind i vendosur për të vazhduar bombardimet, shkruan më tej Yeltsin. Aq më tepër ai theksonte se këtu është krijuar një unitet i plotë në mes SHBA-së dhe liderëve të Evropës Perëndimore.

Yelstin thekson se megjithatë kishte kërkuar nga Clintoni që të rikonsiderojë mundësinë e ndaljes së bombardimeve, para së gjithash, për të ruajtur dhe forcuar raportet midis Washingtonit dhe Moskës.

Ish-kryetari i Rusisë pohon më tej se është i bindur se bombardimet e Paktit NATO nuk e kanë bindur Milosheviqin të dorëzohet. Këtë, siç do të shpjegojë ai në vazhdim, e ka bërë diplomacia e koordinuar në mes Moskës, Washingtonit dhe Helsinkit (Finlanda ishte asokohe kryesuese e radhës e Unionit Evropian, vër.jonë).

Në librin e tij, në vazhdim, Yeltsin përshkruan forcimin e një klime politike të urrejtjes ndaj Amerikës dhe Perëndimit në përgjithësi. Demonstratat e shumta kundër Amerikës, që kulminuan me një veprim të përgatitur terrorist për të cilin pakkush ka ditur derisa Yeltsin nuk e ka përshkruar në këtë libër. Kështu, një grup ekstremistësh rusë, kishte afruar një lanser raketash afër Ambasadës së SHBA-së në Moskë. Ideja kishte qenë që me raketë të sulmohet Ambasada amerikane. “Zoti e di se çfarë kishte ndodhur sikur ne të mos kishim penguar këtë sulm”, nënvizon Yeltsin.

Duke kuptuar se gjërat kanë marrë një tatëpjetë shumë të rrezikshme, Yeltsin ndërmerr veprimin, i cili, siç do të kuptohet më vonë, njëmend kishte pasoja pozitive për ndaljen e luftës dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai, më 4 prill 1999, emëron ish-kryeministrin e Rusisë Victor Chernomyrdinin, për të deleguar special të vetin në zgjdihjen e krizës së Kosovës. “Zgjodha Chernomyrdinin, sepse e dija se ky është një diplomat me përvojë të madhe. Kisha edhe këshilla tjera: Që për shkak të marrëdhënieve të keqësuara me Perëndimin nuk do të duhej të caktoja një politikan kaq të lartë si të deleguar special. Për shembull, më propozonin që të caktojë Gaydarin (Yegor Gaydar, njëri nga reformistët kryesorë rusë, vër.jonë), i cili kishte jetuar në Jugosllavi shumë vjet me të atin, korrespondentin e “Pravdas”, megjithatë u përcaktova për Chernomyrdinin. Nuk kam mundur t’i besoj asnjë politikani tjetër. Chernomyrdin ka pasur një autoritet të madh në Jugosllavi, në Perëndim si dhe tek elita politike amerikane. Ky kombinim krejtësisht i veçantë ka mundur të orientojë negociatat kah realizimi i një qëllimi të vetëm: ndaljen e plotë të luftimeve. Këtu Chernomyrdin ka treguar aftësitë e tij të jashtëzakonshme: durimin, fleksibilitetin dhe vullnetin e qartë për arritjen e një kompromisi intelegjent”, pohon Yelstin.

BISEDA TELEFONIKE ME TONY BLAIRIN

Në vazhdim, Yelstin përshkuan një bisedë tjetër telefonike. Më 22 prill kishte biseduar me Tony Blairin, kryeministrin e Britanisë së Madhe.

“Jam i bindur Tony se NATO-ja është duke bërë gabim të madh me vazhdimin e bombardimit të territorit të Jugosllavisë. Pasojat nuk i keni llogaritur si duhet. Në vend se të ushtroni presion në Miloshevqin ju vetëm i keni forcuar pozicionet e tij. Në vend të negociatave tani kemi një konfrontim të hapur ushtarak. Po na frikësojnë paralajmërimet e juaja për të dërguar trupat tokësore të NATO-s në Kosovë. Po flas hapur me ty: Kjo do të jetë një rrugë kah gremina…Tony, duhet të gjindet forca për ta ndalë këtë luftë…”, i ishte drejtuar Yeltsini Tony Blairit.

Kryeministri britanik ia kishte kthyer Yeltsinit se NATO-ja dhe Perëndimi kanë bërë maksimumin e tyre gjatë Konferencës Paqësore të Rambouilletit, por që Milosheviqi refuzoi të gjitha dhe nisi ofensivën e tij kundër kosovarëve.

Yelstin përshkruan edhe takimin, që më 13 maj kishte pasur në Moskë me kryetarin e Francës, Jacques Chiracun. Yeltsin edhe me këtë rast kishte kërkuar nga politikani kryesor francez që të bëjë çka është e mundur që lufta të ndalet dhe që të inicohen negociatat në mes Perëndimit dhe Beogradit. Sipas Yeltsinit, Chirac kishte shprehur, me këtë rast, dallimet, që ekzsitojnë në përceptimin e situatës në mes të Washingtonit dhe Parisit. Por, këto dallime nuk ishin të tilla sa Parisi të kundërshtojë vazhdimin e bombardimeve.

Në një situatë të tillë, Yeltsin i kishte urdhëruar Victor Chernomyrdinit që ta bindë Milosheviqin për t’u dorëzuar. Ish-kryeministri rus kishte qëndruar dy herë në Washington, ku për dy orë kishte biseduar me presidentin Clinton dhe katër orë të tjera me nënkryterain Al Gore. Pas këtyre bisedave, Chernomyrdin ishte takuar pesë herë me Milosheviqin. Katër herë fjala ishte për biseda në katër sy në mes Chernomyrdinit dhe Milosheviqit. “Chernomydin më tha që në rastet kur e humbte durimin dhe frustrohej për së tepërmi me Milosheviqin, i drejtohej me këto fjalë atij: A njëmend mendon se mund ta fitosh këtë luftë? Ai i ishte përgjigjur: Jo, por as që do ta humb këtë luftë. Vetëm le të provojnë ta lansojnë ofensivën tokësore…Do të shohin ata se çfarë do t’i gjejë. Milosheviqi madje, në fazën e parë të negociatave me Chernomyrdinin, i kishte thënë këtij që ai duhet të ndikojë që ofensiva tokësore të fillojë sa më shpejtë…”, i kujtohet Yeltsinit.

SI TË PËRFUNDOJË LUFTA PA HUMBËS?

Por, zhvillimi i situatës shkonte në drejtimin, i cili nuk i konvenonte fare Milosheviqit dhe regjimit të tij. Kështu, siç pohon Yeltsin në kujtimet e tij, në bisedat vijuese me Chernomyrdinin, Milosheviqi kishte kërkuar që lufta të ndalet, por me kushtet e tij. Kështu, pos tjerash, i kishte kërkuar Chernomyrdinit që trupat ndërkombëtare, të cilat do të duhej të mbikqyrnin paqen në Kosovë do të duhej të ishin prej Rusisë, Ukrainës, Indisë dhe shteteve tjera që nuk ishin anëtare të Paktit NATO. Chernomyrdin kishte refuzuar këtë propozim, duke i thënë se ai duhet të bëjë pazar me Perëndimin, sepse Perëndimi e bombardonte. Në këtë kontekst, gjithnjë sipas qëndrimeve të Boris Yeltsinit, Chernomyrdin kishte bindur disi amerikanët për një angazhim më të madh të OKB-së në ndaljen e luftës dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Chernomyrdin, më 28 maj, në Beograd arriti të bindë Milosheviqin për t’i pranuar Parimet e G-8 (shtatë shteteve më të zhvilluara në dhe Rusisë. Më një dhe dy qershor Chermomyrdin, Strobbe Talbott dhe Marty Ahtisari takohen në Bon për t’i harmonizuar përfundimisht qëndrimet. Në këtë takim u arrit marrëveshja që prania ndërkombëtare ushtarake në Kosovë të përbëhet prej NATO-s dhe njësive ruse.

Me 2 dhe 3 qershor Chernomyrdin dhe Ahtisari arrijnë në Beograd për bisedat finale me Milosheviqin. Ky më në fund pranon marrëveshjen, e cila i kishte 10 pika. Pikat kryesore të saj ishin pothuajse identike me ato të paraqitura në Marrëveshjen e Rambouilletit, konkludon Boris Yeltsin. “Milosheviqi pranoi një marrëveshje, që ishte më e keqe, më e disfavorshme për të. Por ky forcoi pozicionin e tij në Serbi. Mendoj që Milosheviqi është politikani më cinik, me të cilin kam pasur punë në karirerën time”, konkludoi Boris Yeltsin në librin e tij të kujtimeve të titulluar “Ditari i Mesnatës: Vitet e mia në Kremlin”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori