LAJMI I FUNDIT:

Kujt po i qeshet?

Në pyetjen që kam shtruar për titull të këtij shkrimi, do të mundohem t’i them disa fjalë për atë që po ndodh kohëve të fundit. Sigurisht, tanimë po përflitet mjaft dalja e “Partia e Fortë” në shesh. Media “jonë”, private, qoftë privatisht e pushtetarëve kriminelë, apo e biznesmenëve që u intereson vetëm profiti, i jep hapësirë si asgjëje më parë. Pa pikën e progresivitetit në programin e tyre, shumicën e të cilit e kanë me përmbajtje serialesh qesharake, pa asnjë fije programi edukativ, të orientuara veç drejt skandalit dhe nxjerrjes së titujve, më mirë s’mund të presësh. E, në të vërtetë, fajin s’e kanë ato, përderisa janë pranuar në këtë sistemin “tonë” neo-liberal si ndërmarrje përfituese, ani pse kanë gjithë atë qasje në hapësirën publike (frekuencat nacionale). Të paktën të kushtëzoheshin për nja dy orë program edukues e emancipues. Nejse, ajo për të cilën do të mundohem të flas sot, është përqeshja false e të dobëtëve ndaj pushtetarëve që i xhelozojnë.

Partia e Fortë në fakt është partia e më të dobëtëve. Pse? Unë do t’i rendis dy arsye kryesore për të mbrojtur qëndrimin tim kundër kësaj që po e quajnë “satirë”.


Së pari, përshtypja që na jep kjo lloj partie është se lufta me pushtetin kriminal është humbur, tani vetëm mund ta përqeshim atë. Me thënë të drejtën, kjo s’është gjë tjetër, veçse mos guxim për përballje me kriminelët e përqeshje e tyre. Pastaj përqeshësit do të arsyetohen një ditë se “në atë kohë nuk kishte tjetër mundësi, vetëm të përqeshje të lejohej”. Tash për tash, kjo parti i çon ujë vetëm pushtetit dhe kriminelëve. Para publikut kriminelët do të mund të arsyetohen: “Ja pra, situata s’është dhe gjithaq për të qarë, njerëzia po qeshin”. S’është çudi që ministra e akterë të pushtetit i bëjnë reklamë në rrjete sociale kësaj lloj partie. Pastaj konfuziteti që do të shkaktojë kjo lloj partie deri sa të merret vesh ç’duan e ku duan të dalin, ndihmon prapë pushtetin. Njerëzia në vend se të qartësohen më tepër për krimin dhe kapjen e shtetit nga ai, ata do të konfuzohen më tej.

Së dyti, të bësh shaka, e të përqeshësh kriminelët që kanë lënë qindra mijëra qytetarë të Republikës të jetojnë me më pak se dy euro në ditë, nuk është asgjë tjetër, veçse të qeshësh me mjerimin e këtyre të varfërve e tu rrahësh krahët kriminelëve. Nuk ka se si të jetë ndryshe kjo përqeshje false e atyre që të ardhura mujore i kanë minimum një mijë euro. Nëse doni të qesheni, ua tregoj unë si mund të shkriheni së qeshuri: afrohuni te pasqyra.

Situata që shoh unë duket kështu. Pjesëtarë të një shtrese të mesme, që çdo të dytën natë e përfundojnë me më shumë alkool sesa gjak në trup (këtë e them për të ilustruar shpenzimin e jo për ta moralizuar veprimin), në njërën nga netët janë ndjerë të fyer nga pagdhendshmëria e kryeministrit. Jo se janë kundër krimit, por se u pengon prejardhja, mos kultura, të folurit a ku di tjetër e kriminelit në pushtet. Ky pra nuk është kundërshtim parimor, por xhelozi. Këta që e përqeshin kësisoj kriminelin dhe nuk lëvizin vendit ta ndalin atë, ashiqare nuk u pengon parimisht veprimi i kriminelit se do ta ndalnin apo jo? Këta e përqeshin, sepse e xhelozojnë. Me këtë duan të thonë: “Ne do të dinim ta bënim më mirë”. S’po them pra se këta janë kriminelë, jo për tjetër, por se edhe për të qenë kriminel të duhet guxim. Këta e xhelozojnë pozitën e tij dhe pushtetin që gëzon, por s’kanë guxim të provojnë bash asgjë.

Me gjithë këtë xhelozi në trup dhe pa fije guximi themeluan parti qesharake (jo që të bën për të qeshur, por që të ngjallë dhembshuri). Konkurron në zgjedhje. Provon të çndukësh ndonjë copëz. Po ta fitosh, bën çfarë të të dojë qejfi me të; poqese humb, do të thuash “hë pra, ishte shaka”. Dhe këtu del edhe shkalla e dytë e mos guximit. Ai momenti kur s’ke guxim as të provosh se lëre më të përballesh.

Dhe, krejt në fund, ideja për parti të tillë s’është asfare pak e re. Në Islandë një e tillë paskësh fituar zgjedhjet. Por, prapa satirës, ata që fituan atje, angazhoheshin seriozisht dhe punonin në terren. Në vende të tjera gjithashtu të zhvilluara paskëshin pasur suksese. Pra, ideja e këtyre këtu është jo origjinale.

Së dyti, këta që e kanë menduar, janë nisur nga rrethanat e veta ekonomike, kanë harruar siç duket se në Kosovë papunësia është përgjysmë numrit të të aftëve për punë, që 15 për qind jetojnë në varfëri të skajshme. Që qindra mijëra, shumica e qytetarëve, jetojnë një jetë të pasigurt, të varfër.

Situata nuk është aspak për të qeshur. Pasi t’i dish këto të dhëna që përsëriten çdo ditë, nuk e di kujt dhe pse po i qeshet?