LAJMI I FUNDIT:

Ku ishim e ku jemi?

Kosova, një vend me një sipërfaqe modeste në krahasim me vendet tjera, por me probleme që pak vende mund të na bëjnë konkurrencë. Dolëm si dolëm nga lufta, të shkatërruar si materialisht, ashtu edhe fizikisht e mendërisht, por me një ëndërr dhe shpresë shumë të madhe: me një pozitivizëm se do t’i bëjmë gjërat si duhet dhe se do të përparojmë si popull.

Asnjëherë nuk na kishte shkuar mendja se do të jemi vet ne – të cilët sakrifikuam – ata të cilët do ta sjellim në këtë gjendje vendin që e “duam” aq shumë. Nuk mendonim që ekziston shqiptar që nuk do mundohej, pa kursyer asgjë, që të jemi aty ku e kemi vendin, përkrah zhvillimit dhe lirisë në çdo aspekt. Aq më pak na shkonte mendja që dikujt do t’ia lejonte ndërgjegjja dhe morali prej shqiptari që të vjedhë e të shkatërrojë këtë copë toke të përvuajtur.


Për të kuptuar entuziazmin dhe vullnetin tonë, mjafton te kthehemi e te kujtojmë se si i mirëpritëm trupat e NATO-s dhe misionet ndërkombëtare, se me hyrjen e tyre në Kosovë disi lindi një diell i fuqishëm shprese – edhe pse ishim të dërrmuar e të shkatërruar. Menduam se erdhi koha jonë.

Aq optimistë ishim, sa që lirisht mund të them që menduam se problemet tona do t’i zgjidhnim brenda 24 orëve. Shpresonim se nuk do të kemi nevojë të dalim në mërgim, për jetë më të mirë, dhe se do të jetojmë në një ambient dhe frymë të lirisë për secilin.

Sot gjendja reale është e kundërt. Ajo çka shpresonim dhe mendonim që do ta kemi dhe ajo që kemi shumë pak flasin njëra me tjetrën.

Pos problemeve në aspektin shtetëror – ku një pjesë e jona ende nuk e shijon as këtë pak liri që e kemi ne të tjerët – përballemi me një mori gjërash e problemesh, pothuajse banale.

Sot kemi krijuar një sistem të kundërt me pretendimet tona; sot përditshmëria jona është antonim i vlerave demokratike.

Menduam se do të formojmë një shtet, një institucion i cili do të punonte në të mirën e të gjithëve e jo të një grupi apo individëve. Menduam se do të kemi një shtet që do të krijonte punësim, por realiteti është se dikush mban edhe dy, tri apo katër vende pune, e dikush duhet të dal të mbledhë në plehra.

U bëmë ballë pushtimeve dhe vuajtjeve të ndryshme, e nuk u lëshuam Kosovën. Sot shumica prej nesh do të pranonte të largohej. Nuk është me rëndësi se ku, por vetëm për të ikur nga këtu, sepse përshtypja është kësisoj: në cilindo vend është më mirë dhe me lehtë të jetosh një jetë me dinjitet, se në Kosovën tonë.

Na thanë “mendjendriturit” tanë se duhet të kemi durim, pasi që kemi një rrugë të vështirë. Pranuam, pasi që jemi popull që shquhemi për durim dhe vuajtje. Por, kaluan pesë vite të shtetësisë, e ku jemi? Edhe sot na thonë se duhet bërë durim, por deri kur më? Një fëmijë pesëvjeçar i cili nuk është në gjendje të ecë i pavarur vet, duhet dërguar te pediatri pasi që është evidente se ka probleme serioze!

Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik dhe liri. Prandaj, mos të pretendojë dikush se do të jemi të kënaqur vetëm me rrugë, sheshe, parqe, ndërtesa e hotele private të atyre që u pasuruan nga tatimet tona.

Zotërinj, ju që pretenduat që keni dituri e vullnet për të udhëhequr me Kosovën dhe që kërkuat nga ne që t’ju emërojmë, ndaloni këto eksperimente me popull, sepse jemi të dërrmuar nga varfëria. Kthehuni në rrugë të Zotit e punoni në të mirën e të gjithëve, e jo vetëm të familjarëve tuaj. Në qoftë se nuk jeni të aftë, lironi rrugë se në këto troje gjithmonë ka pasur dhe do të këtë njerëz që e duan të mirën e përgjithshme.