LAJMI I FUNDIT:

Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Bota njeh rastin kur, në premtim të paqes, u bënë shumë lëshime ndaj një fuqie botërore. Njerëzit ende mbajnë mend kryeministrin britanik Chamberlain i cili, gjatë daljes nga aeroplani, valëviste një letër me të cilën mburrej se ka arritur marrëveshje me Hitlerin dhe se me këtë ka evituar një luftë të madhe. Kjo histori njihet si Marrëveshja e Munihut. Ngjarjet që pasuan më vonë dëshmuan se me autokratë e diktatorë marrëveshjet janë të kota. Hitleri nuk iu përmbajt marrëveshjes; Lufta e Dytë Botërore filloi me pasoja tragjike.

Pak para fillimit të invadimit rus në Ukrainë shikonim se si liderë të ndryshëm botërorë vraponin pas Putinit, me shpresën se do ta bindin të mos e sulmojë Ukrainën. Shumë nga këta, gati-gati sa nuk i uleshin në gjunjë. Derisa përpjekjet diplomatike gjithmonë janë të mirëseardhura, dukej qartë se të gjitha këto përpjekje ishin të kota: autokrati Putin kishte vendosur ta sulmonte një shtet sovran.


Parashikimet e shërbimeve sekrete dolën të sakta. Në fakt, nuk kishte çka të parashikohej: grumbullimi i një arsenali të tillë ushtarak bëhet vetëm për një qëllim – për luftë.

Për më tepër, Putini nuk e qante kokën për deklaratat që vinin nga Perëndimi dhe për kërkesat për një takim me të. Takimet me liderët botërorë i bënte sa për sy e faqe. Për më keq, ai nuk bisedonte me ta, por i përbuzte dhe i nënçmonte. Takimi i tij me presidentin francez do të mbetet në analet e diplomacisë si rast flagrant i nënçmimit të një lideri botëror: detyrimi që ai të ulet në cepin e një tavolinë 10 metra të gjatë, ku biseda nuk mund të zhvillohet në mënyrë normale, do të mbetet njollë e madhe për gjithë diplomacinë perëndimore e sidomos për atë franceze e cila në jo pak raste ka flirtuar me Rusinë. Covidi-19 si arsye për atë veprim ishte pretekst për nënçmim.

Në Luftën e Dytë Botërore, Çekosllovakia mbeti e vetmuar para Hitlerit. Këtë herë fatin e njëjtë ia lanë Ukrainës. Është për t’u debatuar nëse bota u mashtrua prapë; nëse nuk kishte guximin të përballej me Putinin ose Ukraina u la qëllimisht e vetme. Sidoqoftë, kush mendon se Rusia do të ndalet në Ukrainë, mashtrohet keq. Pothuajse është e sigurt se Rusia nuk do të kënaqet me kaq. Apetitet e saja janë më të mëdha se ç’mund të mendohet.

Kërcënimi i fundit rus ndaj Finlandës dhe Suedisë – nëse këto dy shtete anëtarësohen në NATO – nuk është për t’u çuditur. Në fakt, pritet që kërcënimet e tilla të vazhdojnë edhe për vendet tjera. E, kjo qasje agresive e Rusisë do të vazhdojë derisa të ketë përgjigje adekuate e të vendosur nga NATO-ja dhe vendet tjera. Deri tani kemi parë një reagim të butë të Perëndimit, kryesisht përmes sanksioneve. Këto sanksione mund ta dëmtojnë Rusinë, por vështirë se do ta gjunjëzojnë. Kjo për faktin se jo të gjitha shtetet do të vendosin sanksione të fuqishme.

Kina qartë e ka bërë të ditur se nuk do të vë sanksione e kjo është ndihmë jo pak e vogël për Rusinë. Shembullin e Kinës do ta ndjekin shumë shtete tjera. Në këtë aspekt, nuk është për t’u befasuar qëndrimi kinez në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por ai i Indisë. Kjo për faktin se India konsiderohet si shtet me ndikim të madh në arenën botërore dhe si aleate e Britanisë së Madhe. Abstenimi gjatë tentimit për ta kaluar rezolutën e sponsorizuar nga ShBA-ja dhe nga Shqipëria, dhemb shumë. Qeveritë perëndimore duhet ta analizojnë këtë qëndrim dhe të nxirren disa përfundime strategjike. Gjasat janë që as India nuk do të miratojë ndonjë sanksion ndaj Putinit dhe estabilishmentit të tij.

Pas tre ditësh luftimesh, qëndrimet e fundit të disa vendeve perëndimore kanë filluar të forcohen dhe janë paksa më premtuese. Vlen të përmendet deklarata e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, që thotë se “Vladimir Putin duhet të kuptojë se aleanca Veri-Atlantike është aleancë bërthamore”. Me të njëjtin ton edhe Boris Johnson foli para Parlamentit britanik, duke e konsideruar Putinin si njeri që vepron njëjtë si Millosheviqi, duke mos lënë pa përmendur se ky i fundit kishte përfunduar i vdekur në burgun e Hagës. Mesazh ky shumë kuptimplotë.

Ka shumë gjëra që shkuan keq me Ukrainën. Në rend të parë ajo u tradhtua nga NATO që ia kishte premtuar anëtarësimin në këtë Aleancë. Shtete tjera, qoftë brenda NATO-s ose si njësi të veçanta, mbyllën sytë dhe ia futën në një mënyrë thikën pas shpine. Të mos harrojmë “ndihmën” gjermane me 5 000 helmeta për ushtrinë ukrainase! Veprim më cinik, zor se mund të gjesh.

Pastaj, çfarë ndihmash ushtarake iu ofruan Ukrainës? Qysh në ditën e parë të sulmit rus, i gjithë arsenali kundërajror ukrainas pothuajse u asgjësua ose u harxhua, duke e lënë kështu hapësirën qiellore në duart e pushtuesit. Dihet qartë se forcat shkatërruese të Rusisë janë raketat e fuqishme me rreze të gjatë veprimi, si dhe aviacioni i fuqishëm. Pa armë të mjaftueshme për t’ju kundërpërgjigjur aviacionit dhe raketave ruse, mbrojtja e Ukrainës është pothuajse e pamundur. Ndaj, është për t’u admiruar rezistenca e popullit ukrainas që edhe duke prodhuar shishe molotovi mundohen të mbrojnë vendin e tyre, por kjo është pothuajse e pamundur. Ukraina reziston, e frika është se nuk do të mundet për shumë kohë.

Por, si arriti Rusia në këtë gjendje, ku haptas kërcënon Evropën dhe botën me përdorimin e forcës për arritjen e qëllimeve, duke përmendur edhe mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore?

Sigurisht se nuk ndodhi rastësisht e as brenda një nate. Shenjat ishin të qarta qysh moti. Pas kohës së Jelcinit, Rusia nisi të ngritet ekonomikisht, të forcohet dhe të ndërrojë qasjen në marrëdhëniet ndërkombëtare – nga një fuqi bashkëpunuese në fuqi agresive. E, meritën më të madhe për këtë e ka Evropa që lejoi varësinë nga gazi rus. Gjermania është shembulli më i mirë për ta ilustruar këtë. Prandaj, sot, kur Rusia bën kërdi në Ukrainë, Qeveria gjermane e ka vështirë të përcaktohet për imponimin e sanksioneve të fuqishme. Si ekonomi që ka shkëmbime të larta me Rusinë, dëme mund të përjetojë vetë Gjermania.

Kjo do të thotë që për shumë vjet Gjermania ka ndihmuar një shtet diktatorial i cili gjatë gjithë kohës ka pasur qëllime të dyshimta. Kjo qasje duhet të ndërrojë. Evropa nuk guxon të varet nga ekonomia ruse e sidomos jo nga gazi rus. Vlen të përmendet se gjatë kohës së luftës së Kosovës, kancelarin e asaj kohe të Gjermanisë, Gerhard Schroder, NATO dhe gjithë liderët perëndimorë mezi e kanë bindur për ta përkrahur sulmin ndaj forcave të Serbisë. Më vonë, pas përfundimit të mandatit të tij, ky kancelar u emërua në bordin e Gazpromit. Disa mund të thonë se gjatë gjithë kohës Schroder ka qenë Kali i Trojës në NATO dhe në BE. Kjo është strategjia e Rusisë që në vende dhe pozita kyçe të vendosë personalitete që punojnë për interesat e saj. Sot në Evropë hasim në grupacione politike që janë në krahun e Rusisë e ato vetëm sa po rriten. Asgjë nuk është e rastësishme!

Rusia u trimërua edhe pas reagimit të ftoftë të BE-së dhe NATO-s, me rastin e okupimit rus të Osetisë Jugore dhe të Abhazisë, krahina këto të Gjeorgjisë. Edhe sot mbahet mend konferenca për shtyp e presidentit të Gjeorgjisë, Mikkheil Saakashvili – me Sekretaren amerikane të Shtetit Coondoleezza Rice – ku pothuajse e kishte humbur kontrollin. Më shumë bërtiste sesa përçonte ndonjë mesazh. Jo pse Saakashvili kishte dëshirë të ishte protagonist, por sepse e kishte kuptuar se ishte tradhtuar nga BE-ja sidomos nga NATO-ja; e kishte kuptuar se dy regjione të vendit të tij kishin humbur përgjithmonë. Reagimi i butë i Perëndimit ishte sinjal për Rusinë se ajo mund të vazhdonte me politikën e saj agresive.

E njëjta ndodhi me Krimenë dhe me Luftën Civile në Siri. Reagimi i dobët i disa vendeve anëtare të NATO-s bëri që Rusia të vendoste kushtet e lojës. Është i njohur rasti kur Turqia rrëzoi aeroplanin ushtarak rus dhe pastaj mbeti e vetme në përballje me Rusinë. NATO ishte treguar cinike në këtë rast. Kjo sikur e shtyri Turqinë të sillet ndryshe: ky vend sot nuk e ka problem të furnizohet me sistemet raketore S 400 të prodhimit rus, diçka e paparamenduar më parë. Dështimi i përkrahjes së NATO-s ndaj Turqisë ishte mesazhi që ka marrë Rusia – se NATO nuk ka guxim për përballje direkte!  Të njëjtin gabim e bëri edhe BE-ja duke neglizhuar, shtyrë, vonuar e penguar integrimin e vendeve të Ballkanit nën ombrellën e saj. Me këtë qasje BE-ja vetëm sa mundëson hapjen e disa vendeve të Ballkanit ndaj interesave ruse e kineze që dallojnë shumë prej interesave të BE-së. Një qasje ndryshe është imperativ.

BE-ja dhe NATO duhet t’i koordinojnë aktivitetet e tyre për t’u përballur me agresionin në rritje të Rusisë dhe të depërtimit të interesave kineze në Ballkan dhe gjerësisht në Evropë. Mundësi dhe hapësirë veprimi ka sa të duash; nevojitet vetëm vullnet politik dhe vizion. Shteteve të vogla, pa kurrfarë peshe në arenën ndërkombëtare, duhet t’u hiqet e drejta e vetos, ndërsa shtetet e mëdha duhet të bëjnë kompromise në kuadër të BE-së për qëllimet e përbashkëta euro-amerikane në raport me interesat e tyre të ngushta. Procedurat për anëtarësim në BE dhe në NATO duhet të rimendohen edhe njëherë.

Rusia ka arritur kulmin e marrëzisë. Ajo bëri precedent të rrezikshëm duke sulmuar dhe invaduar një vend të pavarur e sovran, pa asnjë shkak. Ukraina me asgjë nuk provokoi. Lirisht mund të thuhet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shënon edhe fundin e kredibilitetit të OKB-së që më nuk ka ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tashmë klinikisht ka vdekur. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh me të në të ardhmen.

Rusia për momentin mund të mendojë se është e pathyeshme, por jo shumë gjatë. Fitorja dhe nënshtrimi eventual i Ukrainës mund të jetë fitore dhe sukses afatshkurtër. Janë rrëzuar diktatorë e perandori me të fuqishme se Rusia e sotme. Edhe këtij autokrati dhe këtij regjimi do t’i vjen fundi.

Mënyrat për rrëzimin e kësaj diktature janë të ndryshme. Një nga mundësitë është që sistemi ekonomik rus të pësojë shkatërrim fatal nga sanksionet e vendosura, sa ta ketë të pamundur mbështetjen e luftës në Ukrainë. Kjo mund të ketë efekt nëse kombinohet me presionin e brendshëm nga demonstratat e popullit rus. Në këtë drejtim, shenjat e para janë premtuese.

Mundësia tjetër është ballafaqimi i vendosur dhe i pakompromis i BE-së, NATO-s dhe vendeve tjera karshi Rusisë. Perëndimi nuk e ka luksin të lejojë Rusinë dhe asnjë vend tjetër të vë në pikëpyetje vlerat perëndimore. Rusia njeh vetëm forcën dhe asgjë tjetër.

E treta mundësi është përmes votës së lirë. Kjo për momentin duket e pamundur, pasi sistemi rus kontrollohet plotësisht nga Putini dhe nga njerëzit e tij. Por, një gjë e tillë nuk është se nuk mund të ndodh. Rejtingu dhe imazhi i shtetit rus është në kuotat më të ulëta të mundshme. Rusët kanë filluar të ndihen të turpëruar nga veprimet e shtetit të tyre. Kjo mund ta ndryshojë disponimin e një mase kritike të votuesve dhe për pasojë mund të ndikojë në rrëzimin e pushtetit. E vështirë, por jo e pamundshme.

Nëse Rusia nuk mbledh mend, atëherë, njëjtë si në Luftën e Dytë, bota do të detyrohet të intervenojë edhe ushtarakisht për ta ndalur një aventurë të çmendur. Në rast të tillë, dëmet do të ishin katastrofale, por të domosdoshme sepse me asnjë çmim nuk duhet lejuar që njerëzit paranojakë të imponojnë rrjedhat e politikës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Njerëzimi duket se nuk ka mësuar asgjë nga historia! Koha prodhon liderë dhe heronj. Kjo kohë prodhoi një lider për t’u admiruar e ky është presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Fjalia e tij do të citohet gjatë: “Përderisa ju sulmoni, do t’i shihni fytyrat e jo shpinën tonë”. Ky është lideri që i duhet një shteti e një kombi, nga i cili mund të mësojnë shumë shqiptarët!

Rusia do ta pushtojë Ukrainën, por vështirë se do të mund ta mbajë gjatë. Një popull i etur për liri nuk mund të mbahet i robëruar.