LAJMI I FUNDIT:

Kriza nuk zgjidhet me krizë

Kriza nuk zgjidhet me krizë

Kriza politike dhe institucionale në Kosovë i ka shtrirë anë e kënd tentakulat e saj dhe duket se, ashtu sikurse po veprohet, vështirë të shkurtohet jetëgjatësia e saj. Përballë njëra-tjetrës, Qeveria dhe partitë opozitare – Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – vazhdojnë përplasjet, pa kurrfarë shprese për dialog, për çka hendeku midis tyre thellohet gjithnjë e më shumë.

Partitë opozitare, përmes zhurmës në Parlament, protestave të herëpashershme, vazhdojnë të akuzojnë për “shitje të Kosovës”, duke e përqendruar debatin në nënshkrimin më 25 gusht të vitit të kaluar të Marrëveshjes së Brukselit për krijimin e Asociacionit, apo të ashtuquajturës “Zajednica” – të komunave me shumicë serbe – si dhe në Marrëveshjen e Demarkacionit: përcaktimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi.


Zgjedhja e presidentit i ndezi më tej protestat e mësipërme. Kartonët në raundin e tretë në Parlament i dhanë Hashim Thaçit atë çka kishte ëndërruar dhe që, për ta bërë realitet atë, jo më kot u ftua në koalicionin për krijimin e qeverisë aktuale Lidhja Demokratike, si dhe me kushtin që në muajt që do të vinin ajo të votonte, sikurse dhe e mbajti premtimin, për Thaçin president.

Ish-kryeministri i disa qeverive në kohë të ndryshme, zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, nuk mund të mos gëzonte dhe postin e lartë të Presidentit. Të pazëvendësueshmit, “krijuesit e historisë”, që rëndom nuk na ndahen ne shqiptarëve në të dy anët e kufirit, si në rastin konkret, përballë kësaj joshjeje së cilës ia kanë parë hairin, nuk bëjnë asnjë tërheqje, pa çka se tensionet rriten dhe kriza e gjithanshme i zë frymën vendit.

Kosova, edhe në këtë vështrim ka jo pak njerëz të zotë, që e kanë treguar veten në të gjitha rrethanat, si intelektualë të shquar në fusha të ndryshme dhe luftëtarë të devotshëm. Janë këto arsyet që i bëjnë të dyja palët t’u qëndrojnë larg zgjidhjeve të nevojshme. Me të drejtë pastaj krijohet përshtypja se gjetja e dialogut midis tyre mbetet e largët. Asnjëra palë nuk lëshon, secila kapet fort pas direkëve të inatit për të mos u shkulur lehtë prej andej.

Pasojat e kësaj situate bien mbi Kosovën dhe qytetarët e saj; ato janë shoqërore, ekonomike e tjera. Akuzat dhe kundërakuzat, madje sikur nxitin armiqësitë midis palëve. Të gjitha këto e kanë bërë shoqërinë kosovare mjaft të polarizuar. Një atmosferë e tillë ka ngërthyer këto ditë dhe ish-luftëtarë të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me akuza nga më të çuditshmet ndaj njëri-tjetrit. Dhe kështu, kostoja e kësaj situate shtrihet ngado.

Investimet e huaja gjatë vitit 2014 shënuan 176 milionë euro dhe këto kryesisht nga investimet e kompanive turke, kur në vitin 2007 ato zinin 460 milionë euro. Të papunët zënë 30 për qind. Te të rinjtë kjo është më e madhe, duke shkuar në rreth 55 për qind. 30 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri. Arsyet ekonomike dhe politike i kanë bërë rreth 100 mijë shqiptarë, sipas medias të Kosovës, të largohen jashtë vendit në dy vjetët e fundit.

Numrin më të madh të të larguarve e zë mosha e re, te të cilët gjen më shumë vend humbja e besimit, e shpresës. Pra, në vend që të mendohet se si t’u kthehet perspektiva këtyre njerëzve, i iket vazhdimisht kësaj, qoftë përmes arrogancës së qeverisë, por edhe një lodhjeje që bie në sy, sidomos kohët e fundit tek opozita, ku përkrahës të së cilës duken më shumë të sforcuar dhe në gjendje të vakët.

Nga ana tjetër, kjo situatë, normalisht, e ka favorizuar gjallërimin e krimit të organizuar, rritjen e korrupsionit. Ajo ka nxitur edhe kërkesat e serbëve në fusha të ndryshme. Këto ditë, për shembull, flitet për këmbënguljen e këtyre të fundit për krijimin e një komune të re me shumicë serbe, atë të Prilluzhës. Sa e mundshme do të ishte qëndrueshmëria e kësaj komune? Disa krijimin e saj e lidhin me kushtin e Listës Serbe për votimin në parlament të Thaçit president.

Këtu shihet kompromisi. Komuna e re që propozohet, e njëmbëdhjeta me shumicë serbe, do të përfshijë disa fshatra që sot u përkasin Vushtrrisë dhe Obiliqit. Për të mos rënë në supozimet e mësipërme, i rëndësishëm është gjykimi me gjakftohtësi i propozimeve të tilla, duke i parë ndërkohë serbët si shtetas të Kosovës, jo si të huaj të kësaj të fundit. Pra, si këto e të tjera, problemet janë të shumta. Lufta për pushtet, një situatë e paqëndrueshme, vetëm mund t’i agravojë ato. Kriza nuk mund të zgjidhet me krizë.

Shpresa për daljen nga kjo gjendje nuk do parë vetëm te ndërhyrja e të huajve. Ajo kërkon një vështrim të ri nga vetë forcat politike. Bashkimi Evropian u ka bërë disa herë thirrje drejtuesve politikë të Kosovës për të punuar së bashku dhe për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme për uljen e tensioneve në jetën e vendit.

Aktet e dhunës, sipas tij dhe aleatëve të tjerë strategjik, janë të papranueshme, sikurse dhe retorika nxitëse që vetëm e thellon ndarjen dhe dialogun e bën më të vështirë. Shembja e këtyre barrierave kërkon patriotizmin real të secilit, në radhë të parë të atyre që sot drejtojnë në Kosovë dhe jo patriotizëm folklorik të tyre.