LAJMI I FUNDIT:

Kriza e librit shqip

Me 23 prill, ishte dita e librit. Në Kosovë, ku krizat e shumëfishta shoqërore janë të shumta, kjo ditë nuk ishte e dallueshme dhe kësisoj s’ka sesi të përbëj ndonjë rëndësi.

Shkrimtarët shqiptarë të kësaj pjese, të shkapërderdhur si delet e sulmuara nga ujqit, e kanë të zorshme të mbajnë kurrizin drejt përballë politikës dhe t’iu qëndrojnë me dinjitetin e shkrimtarit furtunave të saj. Si alternativë, disa preferojnë heshtjen, e shumë sosh bëjnë punën e argatëllëkut.


E për këto arsye, që assesi s’ janë të vetmet, kjo ditë duhet me na shërbye si moment reflektimi e meditimi, me e kuptua katandisjen dhe mjerimin e librit shqip, si dhe pozitën e palakueshme të shkrimtarit shqiptar.

Nëse kthejmë shikimin prapa në historinë shqiptare, nga evidencat e shumta letrare të mirënjohura, e kuptojmë se momentet ma të rëndësishme të jetës kombëtare shqiptare, i kanë krijuar shkrimtarët, të cilët u bënë misionarë të ideve kombëtare në kohë kur kërkohej liria, e pastaj të ideve përparimtare dhe emancipimit – në kohë kur kërkohej zhvillimi e emancipimi.

Krist Maloki, erudit i letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili i përket periudhës së artë të viteve të ‘30-ta të shekullit të kaluar, kur diskutonte për literaturën shqiptare, pat shkruar: “Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim të përbashkët-mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit-vjershojn poetet e sotshem ner gjithfarë anësh të Shqipëniës e gjithfarë vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracijonit e shije artistike”.

Kanë kaluar dekada dhe letërsia shqipe ka përjetua momente të ndryshme evoluimi dhe transformimi, mirëpo sot, nëse jemi të vetëdijshëm dhe heqim qafe dalldinë dhe vetëkënaqësinë mburracake, mund të themi se asnjë presje s’mund t’i hiqet vlerësimit të K. Malokit.

Në Kosovë ka pak ose aspak shkrimtarë të iluminuar prej ideve të mirëfillta letrare dhe estetike. Madje, letërsia në Kosovë ende vazhdon të jetë në funksione joestetike (Northrop Fray) dhe ideologjike.

Në Kosovë librin e ka rrëmbye në laboratorin e vetë padituria politike dhe e ka vu në funksion të “shërbimit” ideologjik. Prandaj, nuk është aspak e rastësishme ajo çfarë ka ndodh në fushën e librit shqip në dekadën e fundit, në të cilën munden me u gjet duzina të tëra librash të pavlera, por pak ose fare libra me vlera të dallueshme artistike.

Andaj, mundet me u konstatua pa hamendje: Kosova në vitet e lirisë ka prodhua libra, por pak vlera. Këtë fakt e pranojnë gjithë njohësit e kësaj letërsie. Sot, është e zorshme ose e pamundur të bëhet një regjistër me 10 libra të mirëfilltë në fushën e prozës, poezisë, kritikës, dramës, që mund t’iu ofrohen lexuesve.

Poezia, e cila është mbretëresha e arteve, vuan nga një dozë kontinuale patetizmi dhe poetët shqiptarë ende shkruajnë duke “mjel lopën” e shterur patriotike, pa inspirim dhe pa shije artistike.

As mendimi për letërsinë, i njohur ndryshe si kritika letrare, nuk qëndron më mirë. Përkundrazi, ai është barrikaduar brenda oborreve të ndryshme partiake dhe kështu është bë një mur i vërtet pengues mes letërsisë dhe lexuesve. Kritikët letrarë kanë krijuar kultet e tyre për shkrimtarët, duke ju pamundësuar lexuesve t’i lexojnë dhe vlerësojnë vetë.

Drama shqipe po ashtu është në trysninë e politikës dhe nuk është zhvillua sipas ligjësive të saj të natyrshme.

Ky përshkrim, për gjendjen e letërsisë shqipe, është një dëshmi e qartë se gjendja e përgjithshme e shkrimit shqip dhe librit në Kosovë është në krizë të thellë.

Një proverb i njohur latin thotë: "A verbis, ad verbera" – "Nga fjalët, tek kamxhiku". Proverbi në fjalë është një sinjal domethënëse për rolin dhe peshën që ka fjala e shkruar. Ndaj kësaj fushe shpirtërore, në këto vite lirie nuk është treguar aspak kujdes dhe respekt, duke harruar se kultura është shpirti i një kombi, ndërsa libri është një nga shtyllat e tij.

Dita e librit edhe njëherë na përkujton se në ç’ krize të thellë është libri, se në ç’krizë është letërsia, mendimi kritik letrar dhe në përgjithësi kultura. Kosova vërtetë ka kriza të shumëfishta, por ajo e deformimeve shpirtërore është më e madhja, më e rrezikshmja dhe më kompleksja. Kosova, këto viteve të fundit, ka krijuar shkrimtarë servil, kritikë letrarë argatë dhe njerëz të “kulturës” që të vetmen punë që e bëjnë mirë është shërbimi ndaj pushteteve dhe partive.

Kosova mjerisht sot ka aq pak individualitete të theksuara krijuese, sa të kap ankthi. Shumica e shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, të futur nën sqetullat e fondeve të ndryshme, shkollave të ndryshme dhe interesave të ndryshme politike, bëjnë gjithçka tjetër përveçse kulturë.

Libri është i shenjtë, thoshte shkrimtari erudit Hose Luis Borhes. Andaj, si shkrimtar që e çmonte fjalën deri në adhurim, ai kërkon tretman të veçantë për librin.

Po e mbyll këtë shkrim, me një referencë nga ky autor, pa dashur dhe pasur nevojë komentimi të mëtutjeshëm: “Ta vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin”.