LAJMI I FUNDIT:

Kosova pa politika kulturore

Është koha që komuniteti kulturor të hapë debate për gjetjen e formave të reja në fushën e kulturës. Jo vetëm të debatohet, por edhe të sillen vendime. Duke hezituar të veprojmë për kulturën, tash na është servuar ky akulturim me të cilin po përballemi sot

Kryeqyteti i Kosovës ka ndryshuar shumë pak në bërjen e politikave kulturore. Derisa në Prishtinë kemi varfëri kulturore për disa arsye, atëherë mund të merret me mend se në ç’gjendje janë katandisur qendrat tjera të Kosovës.


Në dhjetë vitet e fundit, njerëzit e komunitetit kulturor janë fyer vazhdimisht jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qytetet tjera të Kosovës. Ndodhi kështu për faktin se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga të gjitha koalicionet qeverisëse gjithmonë e trajtua si monedhë për kusuritje dhe për më keq ky dikaster i rëndësishëm qeveritar gjithmonë u trajtua si çështje e dorës së dytë.

Derisa në nivelin qendror kultura e pati këtë trajtim të keq, trajtim jodinjitoz ka ndodhur edhe në pushtetin lokal, pra në të gjitha drejtoratet për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në të gjitha periudhat qeverisëse në Kosovë. Njësoj siç janë trajtuar keq, njësoj në krye të këtyre drejtorateve janë emëruar kryesisht njerëz që më së paku kanë dije në fushën e kulturës.

Si rezultat i kësaj, drejtoratet e Kulturës janë trajtuar keq edhe me buxhet për zhvillimin dhe bërjen e politikave kulturore në mjedise të ndryshme të Kosovës. Por, çelësi i këtij sekreti është i thjeshtë. Njerëzit që janë emëruar në krye të këtyre drejtorateve dhe që nuk kanë patur asnjëherë dije dhe qasje në kulturë, fundja si mund të krijojnë politika kulturore?!

***

Njësoj si e mira, edhe e keqja nuk ka fund. Na bie të dëgjojmë se në disa drejtorate për Kulturë, Rini e Sport çdo vit ka suficit buxhetor, sado që buxheti i tyre është i limituar deri në përmasat më bizare. Me këtë varfëri të skajshme kulturore që po ndodh në Prishtinë, a thua çfarë është duke ndodhur në qytetet tjera?! Kjo lë të kuptosh se në këto drejtorate as që janë bërë planifikime buxhetore për vitin që po e lëmë pas, ndërsa të mos flasim për investime kapitale në këtë fushë.

Është koha që në komunitetin kulturor të hapen debate, por edhe të sillen vendime të rëndësishme për gjetjen e formave të reja në krijimin dhe avancimin e kulturës. Duhet të hapen debate për trashëgiminë kulturore në Kosovë, për mijëra arkefakte që ende mbahen peng në Serbinë fqinje, për trajtimin e keq të librit që ende shitet në rrugë, për teatro ende të pakonsoliduara, për prodhimin e filmave më së paku artistik, për artet pamore të patrajtuara denjësisht, për Trupën e Baletit dhe Filarmoninë ende të pakompletuar, për Operën ende të paformuar dhe për shumë segmente të tjera me rëndësi që i përbëjnë hallkat e rëndësishme të kulturës. Kjo iniciativë do të duhej të ndodhte nga institucionet e larta, përkatësisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport për të vazhduar edhe në mjedise tjera të Kosovës.

Si asnjëherë më parë njerëzit e komunitetit kulturor kanë nevojë që t’i shpalosin vizionet dhe objektivat e tyre para përgjegjësve që janë të thirrur për t’i mbështetur politikat kulturore. Ky izolim i pashpallur midis komunitetit kulturor dhe përgjegjësve të institucioneve të kulturës na lë në këtë gjendje të turbullt dhe pa ndonjë perspektivë për të ardhmen e kulturës në Kosovë. Debatet do të sillnin vendime, por edhe do ta vënin në pah mungesën elementare të dijes kulturore të shumë zyrtarëve të lartë qendror e lokal që janë përgjegjës pikërisht për zhvillimin e politikave kulturore!

***

Në kryeqytetin e Kosovës, do të duhej që të tërhiqeshin paralele të rëndësishme jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe të rinisë dhe sportit. Kështu, Pallati i Rinisë në Prishtinë tash njëmbëdhjetë vjet ka mbetur shtëpi pa zot shtëpie. Ky objekt më së paku meriton ta ketë prapashtesën i “rinisë”, pasi që nga paslufta është shndërruar në një qendër të madhe tregtare, ndërsa terrenet sportive janë shndërruar në autoparkingje që nuk “dihet” kush i menaxhon. Ligji për Kryeqytetin, Pallatit do t’ia ndërronte destinacionin dhe do të rikthehej në zanafillë, pra do t’i shërbente rinisë dhe sporteve në kryeqytet.

Ndryshime të rëndësishme do të duhej të ndodhnin edhe në institucione të tjera kulturore. Teatri “Dodona” do të duhej të shërbente për aktivitete kulturore eksluzivisht për fëmijë dhe të rinj, ndërsa objekti i Teatrit Nacional do të duhej të shndërrohej në teatër të qytetit. Teatri Nacional do të duhej të vendosej në kuadër të Teatrit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, por që ndërtimit të tij vështirë se do t’i dihet fundi. Edhe ambienteve të Teatrit Nacional i është ndërruar aktiviteti. Tash njëmbëdhjetë vjet përveç mbledhjeve komemorative paraditeve dhe akademive përkujtimore pasditeve, në hapësirat e këtij Teatri që preferojmë ta quajmë nacional, nuk ndodh diçka për t’u veçuar.

Kur e kemi fjalën te Teatri i Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, sado që gurthemeli i tij është vënë dy vjet më parë, në këtë objekt së paku edhe për një kohë zor se do të punohet. Kjo nuk do të ndodhë aq shumë për mungesë fondesh, për aq sa do të ndodhë për shkak të emërtimit të tij. Këto fërkime politike, do të na lënë edhe një kohë pa këtë objekt grandioz, ose do të vazhdojnë punimet me kusht që t’i ndërrohet emri! Një objekt i këtillë multifunksional ku do të funksiononin Filarmonia, Teatri, Opera, por edhe shumë aktivitete të tjera kulturore, do t’i avanconte në nivel elitist disa segmente të kulturës në kryeqytetin e Kosovës.

Është koha që të debatohet për kulturën dhe objektivat e saj. Jo vetëm të debatohet, por edhe të sillen vendime. Duke hezituar të veprojmë për kulturën, tashmë na është servuar ky akulturim me të cilin po përballemi sot.