LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni ka të bëjë me qeverinë e kaluar

Korrupsioni ka të bëjë me qeverinë e kaluar

Një ditë pasi kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, doli me raportin 6 mujor edhe me akuza për korrupsion ndaj Qeverisë dhe institucioneve tjera, por pa saktësuar as data dhe as emra, ka ardhur reagimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës dhe tërheqja e vet Pretenit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se asnjë zyrtar i qeverisë nuk është i përfshirë në korrupsion.

“Në momentin që do të ndodhë një gjë e tillë, iu premtoj se ata do të shkarkohen nga detyra”, tha Kuçi pas një takimi me drejtorin e AKK, Hasan Preteni.

Sipas tij, qeveria e Kosovës e ka vullnetin e plotë që të luftojë korrupsionin në çdo vend dhe në çdo pjesë të shoqërisë ku ai paraqitet, përfshirë edhe vetë ekzekutivin.


“Kundër qeverisë aktuale nuk është ngritur asnjë aktakuzë, por ato që tashmë janë ngritur janë raste të vitit 2007, që i takojnë qeverisë së kaluar. Në asnjë rast konkret nuk ka ndonjë aktakuzë që është ngritur ndaj ndonjë zyrtari të kësaj qeverie”.

Shefi i AKK-së Hasan Preteni, me deklarata më të buta dje tha se në procese korruptive janë të përfshirë njerëz nga e gjithë struktura organizative e shtetit, prej punëtorët civilë, e deri tek ministrat e qeverisë.

“Ne kemi bërë publike dje se 3 aktakuza janë ngritur. Pjesa e gjyqësorit është pushtet i ndarë , ne kemi përcjellë në prokurori 68 informata dhe është çështje e gjyqësorit se si do t’i trajtojë”.

Sipas Pretenit, në mesin e informatave, 12 janë marrë për veprime konkrete, kurse në 11 raste ka refuzime, ku prokuroria ka refuzuar t’i trajtojë ato si lëndë. /Telegrafi/