LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni është fuqi

Nëpër rrugët e Kosovës shohim njerëz që ngasin xhipa e vetura tjera automobilistike me vlerë dhjetëra mijëra euro. Disa prej nesh disa prej tyre i kanë edhe fqinjë. Dikush mund të argumentojë që ngasja e xhipit nëpër këto rrugë dhe e veturave tjera të shtrenjta është shenjë e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies së përgjithshme shoqërore këtejpari. Por, pas pesë minutash, kjo qasje ose ky formulim del të jetë i pasaktë.

Unë nuk kam ndenjur gjatë në perëndim por kam jetuar e punuar aq sa të kuptojë që njerëzit që ngasin vetura të tilla dhe kanë shtëpi, banesa, vila e para me bollëk zakonisht vijnë nga bota e biznesit, më saktësisht, nga bota e ndërtimeve dhe e njerëzve që kanë rrjetë të fabrikave. Pra, ky soj i ngasësve, sido që të sillet, e përfaqëson zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe shoqëror të shtetit. Jo si përfaqësim politik a diplomatik, por thjeshtë, si njerëz punëtorë.

Ata punojnë shumë dhe me mundim. Ndodhë të ndërrojnë deri në tri herë në ditë brekët e djersitura nga djersa e shpinës dhe e prapanicës duke punuar. Të jem më i qartë. Këta njerëz nuk janë punëtorë krahu të thjeshtë ose që kanë ndonjë profesion të specializuar në ndonjë profesion ndërtimtarie apo fabrike. Po flas për menaxherë dhe pronarë të atyre kompanive të ndërtimit dhe të rrjeteve të fabrikave e të dyqaneve të mëdha ushqimore. Ata kanë me mijëra punëtorë prapa tyre për të cilët duhet të kujdesen.


Larg cinizmit, është shteti i quajtur ligjor organi që rregullon raportet e punës. Raporti kryesor i punës është: nuk ke bukë nëse nuk punon. E lërë më të kesh shtëpi, banesë, vilë e para me bollëk. E lëre më të kesh para për të paguar faturat dhe shpenzimet tjera familjare. Gjithsesi që në perëndim ka edhe të tillë që ngasin makina të tilla të shtrenjta pas asnjë dite pune askund, as në sektorin shtetëror e as në sektorin privat. Këta njerëz zakonisht vijnë nga bota e kontrabandës së drogave, alkoolit, cigareve, naftës ose diçka të ngjashme. Të tillë ka edhe në Kosovë, por sot nuk është fjala për ta.

Po flas për njerëz që kanë xhipa e makina të tilla të shtrenjta, si dhe banesa, shtëpi, vila e para me bollëk e që punojnë në PTK, RTK, Aeroportin e Prishtinës, KEK, eventualisht në ndonjë organizatë ndërkombëtare dhe në aranzhime të tilla të ngjashme. Edhe pse, rëndom, punëtorët e këtyre kompanive shfrytëzojnë veturat e ndërmarrjes për shërbime edhe private. Pra, këta njerëz janë në gjendje të të shkelin midis rruge e të mos marrin përgjegjësi sepse ndodhë që gjyqtari të vendos në favor të tyre ose kundër teje. Pra, mund të ta lënë edhe fajin (nëse shpëton i gjallë). Ngasës të tillë, me pasuri të lartpërmendura, vijnë edhe nga ministritë tona ku rroga mesatare sillet rreth 200 euro.

Po i përmendi xhipat dhe veturat luksoze, shtëpitë, banesat, vilat e paratë me bollëk sepse kjo është ajo që shihet. Kështu, para disa javësh isha në pushim mjekësor, ndërsa kudo që shkoja për shërbim mjekësor, ua tregoja bexhin tim të Qeverisë së Kosovës, si punëtor i shtetit të Kosovës. Buzëqeshnin me mua derisa fatura dyfishohej.

Ajo që dua të them është se shumica nga ne jemi rritur duke mësuar se dija është fuqi, pra mësimi në bankat shkollore është fryt dhe pasuri e trurit edhe për individin edhe për shoqërinë. Tashti po e shohim që dikush ka gënjyer, ka rrejtë. Së paku unë po e shoh.