LAJMI I FUNDIT:

Komunat, të zhgënjyerat e konferencës së donatorëve

Komunat, të zhgënjyerat e konferencës së donatorëve

Kryetarët e komunave, duhen të jenë ndjerë njerëzit më të zhgënjyer nga konferenca e donatorëve që u mbajt në Bruksel, ku Kosova përfitoi një ndihmë prej 1.2 miliard euro, pasi nuk kanë siguruar asnjë financim të drejtpërdrejt për projektet që kanë hartuar prej disa muajsh.

Mijëra projekte të hartuara nga ekspertët komunal, ekspertë të ekonomisë dhe kompani të specializuara për projekte, të cilat u paguan për ti bërë sa më të konkurueshme projektet, do të pluhurosen nëpër sirtarët e komunave.

Nga mbi 3800 projekte që u prezantuan fillimisht, qeveria i reduktoi ato në 588 për të deklaruar pas konferencës së donatorëve se paratë e siguruar në Bruksel, do të financojnë projektet qeveritare sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.

Kryetarët e komunave të ndryshme bashkë me projekte reale për ujësjellsa dhe kanalizime,shpresonin të gjeni financim edhe për projekte të super të kushtueshme si ndërtimi i metrove, urave etj.


Më megalomani dhe futuristiku prej këtyre projekteve ishte ai i hartuar nga ish shefi i urbanizmit të Prishtinës, Lulzim Nixha,për ndërtimin e Graçanicës së Re që do të kushtonte plot 600 milion euro.

Në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve qeveria është e përkushtuar ta mbajë Transportin dhe Energjinë si sektor prioritar, për të cilat shuma të konsiderueshme do të alokohen për projekte kapitale.

Po ashtu në përputhje me prioritetet e Qeverisë, të hyra të konsiderueshme do të ndahen edhe për sektorin e Arsimit dhe Shëndetësisë dhe komunat do të përfitojnë nga këto vetëm në mënyrë indirekte.

Ndërsa drejtpërdrejt komunat nga donacionet dhe Korniza Afatmesme të Shpenzimeve do të përfitojnë vetëm nga Ligji për Financat e Qeverive Lokale, që pritet të hyjë në fuqi nga mesi i vitit 2008.

Ky ligj i ri siguron financim për ofrimin e shërbimeve standarde minimale,veç granteve të zakonshme që marrin çdo vit nga qeveria qendrore./Telegrafi/